Blog

Si dy kokërrza qershie

Nga: AGIM XHAFKA

Paskali dhe Rozi ishin çifti më i pëlqyer në Universitet. Studionin për inxhinieri, ishin të dy në një kurs. Moshatarë, por Rozi ishte e imët dhe tregonte disa vjet më e vogël se Paskali. Ai ishte i gjatë, elegant, me flokë të zinj e sy jeshilë. Si sytë e Rozit, veç ajo i kishte flokët gështenjë. Nga fundi i vitit të parë u fejuan, pa mbushur ende 20 vjeç. Shkonin bashkë në fakultet, bashkë në mensë, bashkë në bibliotekë e shëtitje. Ndaheshin veç kur binte nata e secili rehatohej në konviktin e vet pas një dite të lodhshme, por të bukur.

Qyteti Studenti kishte plot çifte të fejuarish, por si ata nuk gjeje të dytë. Se shkonin si portrete, qeshnin gjithmonë e kryesorja i shihje veç duke folur me njeri-tjetrin. Pa reshtur, pa pushuar kurrë. Komunikimi është dashuri, pasion i shfaqur, etje për partnerin dhe ngazëllim që të merr frymën. Sa herë i shihja më vinin në gjuhë vargjet e Ali Asllanit:" Si dy kokërrza qershie".

Jeta i çoi në shumë ndërtime kombëtare, në diga e kombinate. Nëpër kantiere ngritën familjen, u bënë me fëmijë dhe kur ndodhi përmbysja e madhe fati ua solli që Rozi kishte gjyshin në Amerikë dhe Paskali me gruan e me tre djemtë u bënë qytetarë amerikanë një ditë para 25 vjetësh. Sot janë në Georgia dhe fëmijët në Karolinën e Jugut, Alabama e Ilinois. Mbetur vetëm, por pa dert se në USA të gjithë duan të rrinë vetëm. I nxisin fëmijët të ikin tek e mira e tyre, kërkojnë t'i çlirojnë nga detyrimet që brezit të ri ia dikton tradita njerëzore.
Një nga këto ditë i takuam rastësisht në Atlanta. Na dolën përballë. Të shkathët, por të mpakur pak, të zbardhur e disi të avashëm, por sërish me ata sy, me atë qeshje dhe me atë komunikim. Nuk u pushonte goja, si zogj që vetëm cicërojnë. I takuam me mall. Sidomos gruaja ime se e ka pasur Rozin në konvikt në kohën e studentllëkut.

Pas një kafe e një interviste për njëri -tjetrin pyeta Paskalin:

-Po si nuk u mërzite duke qenë një jetë nonstop 24 orë me Rozin? A ke ndonjë sekret? Se ja, ne shkuam e erdhëm dje nga Alabama, 8 orë rrugë e nuk folëm një fjalë të paktën për motin.

Ai qeshi e ndërsa po mendohej të fliste, ndërhyri gruaja ime.
-Dashuria e këtij çifti ishte akt, vepër, jo fjalë. Dhe po e tregoj diçka që mbase as Paskali nuk e ka mësuar.

Ngjarja u bë intriguese. Dinte diçka gruaja për Rozin që Paskali nuk e kishte mësuar?! Çudi.

-E pi cigaren akoma?-e pyeti gruaja ime.

-Po-i tha Paskali. -Kur e ndizje atëherë që ishe student, nuk e ke ditur se ato lekë të përditshëm ishin të latës së Rozit.

-Nuk po kuptoj,-tha ai e ua afrua më pranë tavolinës.

-Rozi çdo darkë shiste latën e saj të ushqimit, atë të mëngjesit. Ty të thoshte se nuk kishte uri në atë orë. Shkonte pa ngrënë në leksione dhe lekët që merrte blinte cigare për ty, ditë për ditë për ...

-Katër vjet rresht,-psherëtiu Paskali dhe po shihte Rozin. Gati po qante.
-Unë u çudita në fillim, por ajo më tha se i vëllai i dërgonte ca lekë shtesë mbi bursën që merrte nga shkolla dhe e paskam besuar. O Zot, sa kanibal paskam qenë,-thoshte pa shaka e sërish përqafonte Rozin.

Ajo si e zënë në një grackë pa dhimbje, edhe donte ta dëgjonte këtë dialog, edhe nuk donte të zgjatej.

-Po pse nuk më detyrove ta lija duhanin?-e pyeti Paskali.

-Në se do e bëja mes nesh nuk do kishte dashuri, nuk do kishte asgjë të bukur. Sakrifica për atë që do është dhimbje, por ka shumë ëmbëlsi, kënaqësi e ngopje shpirti.
U ndamë. Ata majtas, ne djathtas. Nuk durova dhe e pyeta gruan:
-Moj, më duket se dhe unë kam pirë cigare kur isha student? Të kujtohet? A ke shitur ndonjë latë mëngjesi?!

 

 

Tagged under Agim Xhafka