Blog

Vlera e leximit dje dhe sot

Nga: ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Kam shkruar një ese, dëgjojeni, tha Qaniu dhe, si vuri syzet, hapi celularin, kroi zërin e ia nisi:

Gjatë adoleshencës dhe rinisë kam harxhuar mijëra orë duke lexuar letërsi. Orë dite e nate, të kaluara në tavolinë, në minder a në krevat, pa lëvizur, pa folur.

Sot, plak me bastun, akoma nuk e di: këto mijëra orë ia kam hequr apo ia kam shtuar jetës?

Shumicën e herëve më ngjajnë orë të shtuara. Ikja nga provinca, nga jeta e vakët dhe meskiniteti. Degdisesha në qendër të tokës, në thellësitë e oqeaneve, në hënë, në katakombet e Parisit, në sallonet aristokrate ruse a në Eldorado, në kërkim të arit.

Por më shumë se ikje nga ambjenti, më ngjan se kanë qenë arratisje nga vetja. Për t’u ndjerë herë Gishto e herë Herkul, herë Martin Iden e herë Bazarov, herë Donkishot e herë Romeo, hero e viktimë, tani i përndjekur nga taksirati e pastaj i shpërblyer nga fati.

Ngjan paradoksale, por ato arratisje nga vetja kanë qenë investimi më i madh që i kam bërë qenies sime, mbeten shkolla më e çmuar ndër gjithë ato që kam ndjekur.

Kjo ishte shkolla që më mësoi njerëzillëkun: jo vetëm ta pëlqej e ta dua tjetrin, por edhe të hyj në lëkurën e tij, të vuaj e të gëzoj bashkë me të. Se ndjenjat s’janë si paraja, përkundrazi, sa më shumë i harxhon, aq më i pasur ndihesh.

Leximet kanë qenë shkollë edhe në një kuptim tjetër. Në ato vite kur kisha fare pak njohje e përvojë më mësuan ta shoh botën me sytë e të tjerëve. Dhe këta të tjerët s’ishin dosido, por disa nga mendjet më të ndritura të njerëzimit.

Është fat i madh që qysh në fillime ta shohësh botën me sytë e Servantesit e të Shekspirit, të Dantes, Eskilit e të Homerit.

Sytë e Homerit, do qeshni ju. Ç’mund të shohësh me sytë e një të verbri? Po këtu është një nga magjitë e letërsisë: alkimia e fjalës. Të jep një tekst të përbërë nga fjalë dhe të nxit të rikrijosh njerëz e ngjarje, pa të vënë thuajse asnjë kufizim si ato që të venë piktura, teatri a filmi.

Të rinjtë e sotëm jetojnë në bollëkun e imazheve dhe të informacionit, por lexojnë më pak. Dhe s’di të them ç’fitojnë e ç’humbasin.

Kujdes, Qano vëllai - e ndërpreu kamarjerja - ke hyrë në të thella e s’të ndihmojmë dot. As not dimë e as gomone kemi.

Gomonia na kujtoi hashashin, drogat dhe ëndrrat me sy hapur.

***

Thuaji Qaniut, më shkruan një ish studente, që lajthit rëndë kur u qan hallin të rinjve se lexojnë pak letërsi.

Vërtet lexojmë më pak, por edhe bukë hamë shumë më pak se sa keni ngrënë ju kur ishit të rinj. Jo se nuk ushqehemi, por e kemi tavolinën plot e mund të ngjërojmë pak e nga të gjitha.

Kështu ndodh edhe me ushqimin shpirtëror. Provojmë shumë gjellë, pa lëvizur nga divani. Edhe libra, edhe filma, edhe drama e tragjedi, edhe video me muzikën më të mirë, të sotme e të djeshme, edhe muzetë më të famshëm të arteve figurative, edhe...

Mamaja më tregon se, në fëmininë e saj botimet me ngjyra ishin ëndërr. Ndaj shpesh adhuronte kokën e Deas, riprodhuar në letër amballazhi të paketës së cigareve.

Nuk po flas për informacionin, vazhdon ish studentja. Ju e merrnit me pikatore, si të ishte ilaç, ne notojmë në të. Interneti ofron kaq shumë informacion, sa problem kemi përzgjedhjen.

Po ta shohësh më thellë, Qaniu nuk ka dhe shumë faj, përfundon ish studentja. Në çdo kohë, brezi i vjetër u ka qarë hallin të rinjve se ‘kjo botë po prishet’. Në fakt është iluzion. Një pjesë të rrënjëve i ka në psikologjinë e moshës së tretë.

Të moshuarit e sotmja i mundon me lloj lloj dhimbjesh, e nesërmja i tromaks. Jo aq me vdekjen, sa me pasigurinë: në ç’shkallë do degradojnë. Këto pakënaqësi e frikëra janë shumë, ndaj për t’i zbutur sadokudo, një pjesë e nxjerrin jashtë vetes dhe me imagjinatë ia veshin kujt mundin, edhe brezit të ri.

Dhe nisin e i qajnë hallin. Në fakt s’bëjnë gjë tjetër veçse qajnë hallet e tyre ose më saktë qetësojnë ankthet e frikërat vetiake.

Kështu më shkruan ish-studentja dhe për ca gjëra më ngjan se ka të drejtë, për të tjera jo. Gjithsesi mesazhi i saj më tingëllon pak cinik. Po mbase jam në konflikt interesi.