Kolumnist

Estetika pagano-talebane. Ku ka arritur kultura e pushtetarëve tanë?

Nga: Artan Fuga

Ajo që më shqetëson më shumë në këtë çështjen e ndërtesës të Teatrit Kombëtar, që sigurisht as do te prishet dhe as ka guxim njeri të vejë dorë mbi të, është ana estetike, e mendimit. E çfarë mendimi? E mentaliteteve gjysëm estetike të ndonjë pushtetareje dikasteresh apo e ndonjë pushtetari lokal që dalin në dritë sa herë flasin, sa herë deklarojnë ndonjë frazë, sa herë sulmojnë me lloj lloj shprehjesh nëpër televizione servile mbrojtësit fisnikë të teatrit.

Nuk thoshte kot Niçja pak a shumë: Fol të kuptoj se kush je!

E po ta konkretizoj pak do të thosha: Me shaj të kuptoj se çfarë paditurie ke, të kuptoj sesa i dobët je, të marr vesh se çfarë ke në kokë, në tru, në mendje!

Aman vetëm fol!

Një nga zhargonet estetike që dëgjoj prej muajsh dhe që më bën të trishtohem për shkollën shqiptare si edhe për edukatën filozofiko-estetike dhe botëkuptimin e disa zyrtarëve tanë që marrrin vendime brenda padijes së tyre, është se paska një luftë midis të vjetrës që po shëmbet dhe së resë që po ndërtohet.

Pra, lufta e së vjetrës me të renë. Ky mentalitet gardist kinez e paraqet historinë si të prerë me thikë, e vjetra dhe e reja, dhe akti historik i prerjes me shpatë i kohës historike në dy pjesë. Po ku e keni gjetur këtë filozofi makabre, infantile, o njerëz? Mosni më me këtë se do të mbeten në histori këto thënie dhe për mijëra vjet do të citoheni si të paditurit që shkatërruan gjithçka sepse ishin të panxënë.

Prisheni teatrin, por mundësisht pa folur. Le të dëgjojmë zhurmë zinxhirash, buldozerësh, traktorësh, tankesh, por jo fjalë njerëzore, sepse nuk ka fjalë nejrêzore që mund ta justifikojë, ta mbajë prishjen e ndërtesës të Teatrit Kombëtar dhe të zonës historike të Tiranës.

Kokolepsja mendore vazhdon edhe më tej.

Ndërtesa që ka origjinë në histori qenka vjetërsirë kurse ajo që ngrihet më pas, sot, na qenka e reja. Matet e reja me të vjetrën jo nga vlerat shpirtërore që përmban, por me rrotullimin e tokës rreth diellit, me kalendarin natyror. Mos flisni më pash nderin sepse na i sollët zorrët në gojë.

Mua më vjen turp për nivelin e shkollës shqiptare si edhe për nivelin e edukimit filozofiko-estetik të disa pushtetarëve tanë. Futini mo buldozerin teatrit, bankës, ministrive, varrezave, por mos flsini. Më mirë le të dëgjojmë një gërrrrrrrr, kra krau, bum bum bum, sesa të dëgjojmë fjalë dhe fjali që kushdo në botë që ka lexuar një libër estetike, një libër urbanizmi, një libër filozofie do të kishte kapur kokën me duar dhe do të kishte qarë me lotë gjaku.

Ndërtesa e Tetarit qenka e vjetra kullat idiote qenkan e reja!!!

Sepse historia na u ndaka në të vjetër dhe në të re që dora e pushtetarit e ndaka me shpatë a me sqepar.

Sepse e re qenka ajo që është në përputhje me kalendarin ditor, me modën e ditës, me interesat e lobeve të betonit, me çelësat në dorë, me rentën e tokës, me përqindjet e interesit, kurse arti, kultura, kujtesa qenkan të vjetra.

A mendoni se po na çoni në estetikën talebane ku sipas kësaj mendësie Budat që u hodhën në erë nga talebanët në Afganistan qenkëshin e vjetra, dhe çallmat e bëra rishtazi konsiderohen si të reja!

Big Bang-u përse po mirëmbahet me skela gjigande në Londër, ai është i vjetër? Përse mbahet ndërtesa e Parlamentit, përse ruhen si nuse ndërtesat një ose dykatëshe të Westminster-it? Përse ruhet Porta e Brandeburgut, përse ruhet Katedralja e Strasburgut, përse ruhen banjot termale romake në Baden-Baden a gjetiu, përse ruhet ai mulliri i vjetër në Amsterdam, përse ruhet porti i vjetër me shina të shekujve të kaluar në Anvers, përse e ruajnë Pagodën e vjetër në Vienë, përse ruajnë qytetin historik në Pragë, Budapest, përse ruajnë kryptin e vjetër te sheshi i Katedrales qendrore në Saint-Mishel në Paris dhe nuk e bëjnë parking të nëdheshëm?

Le te triumfojë e reja sipas koncepteve talebane edhe në Europë si po duket se po vjen vërdallë kjo estetikë e shkatërrimit në Tiranë!

Ja kemi marrë dorën, e reja janë magazinat e ushtrisë, e vjetra ishin ndërtesat e kultitt që u prishën.

Më mirë mos flisni! Le të dëgjojmë më mirë zhurmë rrotash të vërteta traktorësh, buldozerësh, tanksesh, sesa fjali të një estetike që do ta kishte bërë çdo njeri me shkollë të mesme që ka lexuar ndonjë libër estetike, qoftë edhe rastësisht, të ulurinte nga dhimbja.

Ku ka arritur kultura e disa pushtetarëve tanë?