Kolumnist

Diaspora e përçarë dhe këmbanat e trarëve ndërshqiptarë

Nga: Petrit Kuçana

Nuk është e rëndësishme nëse u zgjodh apo u vet-ofrua për të kumtuar lajmin e madh; “Më 1 janar nuk do ketë më kufi me Kosovën”. U duk si një përsëritje që Pandeli Majko, Ministër shteti për Diasporën, i bëri deklaratës së vitit të kaluar, por kësaj here u bë nga Drenica.

Ky kumt i Majkos duket si një himn për këngët e bukura folklorike në odën e burrave, ku kërcet “kënga dhe alltia” e këputen telat e çiftelisë.

Por Majko bën shumë që na rikujton ne shqiptarëve, se sa larg jemi me njëri-tjetrin së pari.

Mbase Majko, shihet si i vetmi zyrtar shqiptar “që i shkon përshtat klima e Prishtinës”, pasi thuajse nga pjesa tjetër e kabinetit të kryeministrit Rama nuk ka pipëtitrë asnjë fjalë, e aq më tepër kur dy kryeministrat shqiptarë duket se i ruajnë “çartaqefet” dhe nuk kanë prodhuar ndonjë lajm që nga pranvera e “fotografisë së orëve të vona”.

Nuk është e rëndësishme nëse e perceptojmë Majkon si ndërmjetës, apo zbutës, e as zërat e ditëve përvëluese se Majko është në listën e ministrave që do të bien si gjethet e fillim-vjeshtës. Asnjë fjalë nuk u tha për “oligarkët, andej e këtej kufirit” që sipas Majkos (së hershëm), “e bënë të pamundur zbatimin e marrëveshjes mes dy qeverive shqiptare” dhe nuk dihet se çfarë ua paska thyer turinjtë këtyre oligarkëve, që nuk do të guxojnë të bëjnë “gëk as mëk” me 1 janar të 2019.

“Vazhdoj të besoj se do të mund të gjejmë një rrugëzgjidhje me qeverinë shqiptare për heqjen e doganave” na tha kryeministri Haradinaj në Londër, duke argumentuar se të ardhurat e shtetit të Kosovës janë nga doganat dhe se “vllaznit zakonisht përlahen për pare”.

Kumti i ri-transmetuar nga Majko prodhoi më shumë lajm në Beograd dhe u shkëmbyen disa deklarime facebook-iste, por mbetet shqetësues fakti se “Majko u la sërish i vetëm” nga kolegët e tij nga Tirana. Sikur këtë ta thoshte Ministri i Ekonomisë Ahmetaj…Thua i hëngri sërish kurrizi Majkos?  (këtu do jemi dhe do ta shohim pati thënë ai në kumtimin e parë). Në të dytin? Po presim dhe shohim.

Por ka një kontradiktë themelore këtu që e bën të duket kaq tragjikomike këtë deklaratë, nëse kihet parasysh se Majko është Ministër Diaspore dhe se ishte i ftuar nga kolegu i tij në Ditët e Diasporës që mbahen çdo vit në Kosovë, por Majko dhe qeveria e tij nuk e shohin të arsyeshme që t’i mbajnë edhe në Shqipëri…

Në Kosovë 2 Gushti është dita e diasporës, ndërsa qeveria e Majkos e ka vendosur me 18 Dhjetor. De jure e kanë përçarë diasporën, de-fakto nuk do të munden.

Mos duhet që Majko të filloi nga këtu “bashkimin” dhe t’i kërkojë qeverisë së tij ndryshimet e kësaj data, pasi me 18 Dhjetor si Ditë e Diasporës vetëm në “festofshin” ata që po bëjnë gati valixhet për të ikur (fatkeqësisht numri i tyre është vërtet i madh; statistikat shtetërore flasin për të paktën 330 mijë në vitet e fundit) sepse mërgimtarët është e pamundur të gjenden në Tiranë me 18 Dhjetor.

A do të kishte gjë të keqe që “ditët e diasporës” të bëhen në bashkëpunim mes dy qeverive, pasi Diaspora është një. Aq më tepër që kemi tre ministra shqiptarë diaspore në Ballkan? Sikur të fillojë nga këtu “bashkimi”?

Imagjino sa bukur do të ishte që një ditë të organizohej në Drenicë, një ditë në Shkodër, një ditë në Vlorë, në Prizren, Gjirokastër, Ohër, Manastir, Ulqin?

Cilët oligarkë e pengojnë këtë?

Apo Qeveria e Majkos nuk e shikon të arsyeshme që të shpenzojnë asnjë sekondë të vetme për Diasporën, vetëm në rast se diaspora do t’i duhet për ndonjë eveniment ku të prodhohet lajm, siç ishte Samiti i Diasporës që prej dy vitesh u harrua fare?

Duhet theksuar se “diaspora e Majkos”, pra shqiptarët e Shqipërisë, janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që nuk e kanë të drejtën e votës, dhe që nuk duket asnjë gjasë që “do t’u sigurohet diçka” edhe për zgjedhjet e ardhshme.

E mbase diaspora nuk përbën lajm, dhe nuk është në vëmendje-agjendën e qeverisë shqiptare, ndërsa deklaratat për bashkim, po, ato po. Ato përbëjnë lajm. Ato çojnë peshë ata “djemtë dai” të Drenicës dhe jo vetëm, që ja krisin këngës me çifteli deri në mëngjes…

Ishte interesante se në të njëjtën ditë kur deklarimi i dytë i Majkos për “heqjen e kufijve mes shqiptarëve” që u plasua pareshtur nëpër masmedian shqiptare, bashkë me reagimet flakë-përflakë me zyrtarin serb, doli një lajm se Rusia kishte paguar miliona euro për të bërë një film, ku demaskohet lufta e “tmerrshme e Kosovës”.

Por shumë mirë bën Majko që trazon sadopak “pellgun e ujit të ndenjur” shqiptar, që të paktën na rikujton largësitë ndërshqiptare.

Kemi në shqiptarët një film për Luftën e Kosovës?

Apo kjo nuk na sjell vota në sëndukun e partisë.

Mos duhej deklarata e Majkos që institucionet, andej e këtej Drinit, të kujtohen e rikujtohen që duhet bashkëpunuar se ka disa marrëveshje… të paktën për një rilindje koordinimi ndër-shqiptar? Ambasadat e përbashkëta- u tha se do të ketë. Pah çfarë lajmi, për kokë të lajmit.

Thjesht kjo deklaratë është ri-kujtim i asaj çfarë nuk është bërë, e në mbamendjen e shqiptarëve janë me dhjetëra marrëveshje të nënshkruara në tavolinat e mirë-kuruara deri në detaj, por deri më sot nuk dihet një rezultat-produkt nga mbledhjet e famshme të dy qeverive shqiptare, as në Prizren, as në Vlorë apo në Korçë.  Do të këtë mbledhje tjetër të përbashkët mes dy qeverive?

Domosdoshmërisht Majko duhet marrë seriozisht me deklaratën e tij. Së paku si shkëndijë reflektimi se sa larg jemi ne shqiptarët me njëri-tjetrin, se sa pak kemi bërë dhe se është e papranueshme që kjo “largësi” nuk po ndryshon edhe pas kaq e kaq vitesh që Kosova u çlirua, e shqiptarët në Ballkan janë më të lirë.

U ndërtua spitali i Preshevës, se qeveritë shqiptare (Tirana dhe Prishtina) dhanë plot nga 50 mijë euro, pra sa gjysma e kostos së një makine me të cilat udhëton zyrtari më i vobektë!?

Nuk kemi parë asgjë konkrete akoma as nga institucionet e dy shteteve shqiptare, qoftë nga elementët më të thjeshtë, aktivitete të përbashkëta kulturore, e deri tek bashkëpunimet institucionale. A është e mjaftë të vazhdojmë akoma të tundim abetaren e përbashkët?

E turpshme? Më shumë se kaq.

Ka ndonjë bashkëpunim apo projekte të përbashkëta, bie fjala midis teatrove shqiptare? Bashkëpunime mes galerive apo ekspozita të përbashkëta fotografie, pikture, librash dreqi e marrtë? As kaq?

Asnjë gazetë e Kosovës në Shqipëri, asnjë e Shqipërisë në Kosovë?

Shumë pak lajme apo emisione, (thuajse fare) debate televizive për Kosovën apo trojet e tjera shqiptare, në Tiranë, (përveç ndonjërit që gjen rrugët më të ndyra për t’u bërë pjesë e debatit) e shumë pak publikime të Kosovës në Shqipëri, qoftë historianë, akademikë apo përfaqësues elitash kulturore.

Po ka vetëm hip-hopistë që njihen më mirë këndej Drinit, sesa çdo ministër kabineti po e po, e mbase më mirë se Presidenti apo Kryeministri.

Është folur për njëfarë kalendari bashkëpunimi për vitin e Skënderbeut. Eh sa shumë është folur, sa rruga tre-orëshe Tiranë-Prishtinë do të kalonte si pa u ndier, si përrallat e netëve të gjumit.

Thua shkojmë shumë larg të mendojmë për bashkëpunimet për unifikimet e teksteve, mësimdhënies, e deri tek akademitë e shkencave?

Kush i pengon shqiptarët për këto bashkëpunime? Ku do të mund ta gjejmë armikun, të brendshëm apo të jashtëm?

Po jemi larg edhe në gjithçkanë tjetër që ka të bëjë me ne shqiptarët.

Sa nxënës-gjimnazistë shqiptarë të Shqipërisë zyrtare kanë qenë në Prizren? Po në Drenicë? Në Manastir? Po në Plavë? Në Ulqin?

Që të shohin dhe të prekin vendet e shenjta të shqiptarëve? Të bëjnë një selfie, që të dëgjojnë ndonjë cicëron shqiptar që flet për to? Apo të ketë shkolla të përbashkëta verore, në Jalë apo në Rugovë, në Dhërmi apo në Ulqin, ku mund të jenë edhe fëmijët shqiptarë të diasporës? Kjo mund të organizohet, kaq mund të bëhet? Është shumë?

Të paktën sikur të nisen nga kjo apo nga këto “vogëlsira”. As këto nuk sjellin vota…. dreqi e mori…

Sa është numri i pedagogë shqiptarë që japin leksione në Kosovë dhe anasjelltas? Sa pedagogë të Kosovës ka në Shqipëri?

Apo janë të mjaftueshëm ndonjë këshilltar, apo një prej duzinës së zëvendësministrave të Ramës është “kosovar” dhe u kry.

Po në sport? Kombëtarja që ishte, nuk ishte aq keq apo jo? Bëri histori. Tani kemi dy dhe duket asnjë njëkohësisht… Ai ishte kombëtarja modeli sesi mund të fitojnë shqiptarët?

Apo mbaruan fotot me ta, ceremonitë, lajmet shkuan, s’prodhon më lajm kombëtarja e mbetur? Po sikur të kishte një kampionat brenda shqiptar? Që Flamurtari i Vlorës të luajë me Dritën, Apo Skënderbeu me Llapin etj etj… apo? Do të afroheshim më shumë?

Apo as kjo nuk sjell vota në sëndukun e Partisë…

Majko patjetër duhet marrë si reflektim i largësisë së papranueshme mes shqiptarëve dhe ngulshëm duhen ngritur pyetjet, se sa është numri i biznesmenëve të Kosovës që kanë investuar në Shqipëri dhe anasjelltas?

Si është e mundur se në të gjitha PPP-të (koncesionet) që ka dhënë qeveria shqiptare nuk është qoftë edhe një investitor nga Kosova apo nga trojet e tjera shqiptare?

U zgjidh ajo çështja e patateve, e qumështit, e çimentos apo do të vazhdojnë akoma arrestimet nëpër dogana për dy thasë mollë që konsiderohen kontrabandë, ndërkohë që mollët e Korçës hidhen nëpër përrocka, e qershitë priten në rrënjë sepse nuk ka treg, bashkë me tonelatat e prodhimeve të ndryshme nga ultësira perëndimore, apo nga bereqetet e mëdha të rrafshit të Dukagjinit etj etj?

Strategji, platforma, plan-projekte ka dhe mund të ketë (sidomos) mbase kur Partia të jetë e nënrenditur nga shqiptaria.

Tre orë Larg mbeten Tirana nga Prishtina e kushedi sa vite e vite do të duhet “për t’u afruar”.

Deri atëherë do ia marrim ndonjë këngë me fyell, çifteli, lahutë, kitarë apo klarinetë sa të dridhet vendi, sidomos sa herë që të kujtohet Majko për bashkimin ose heqjen e kufijve, apo të ketë ndonjë deklaratë se shqiptarët do të bashkohen nën qiellin e Evropës.

Të paktën edhe pak ditë, sa nuk na ka rënë kokës ai trau, që do të taksojë Rrugën e Kombit…

Burimi: kohajone.com