Kolumnist

Lërini koreanët t’i zgjidhin vetë problemet e tyre

Nga: Eric Margolis

Pranverë në Kore. Paqja dhe dashuria kanë shpërthyer në të gjithë gadishullin malor ndërsa udhëheqësit e dy kombeve rivale po përpiqen t'i japin fund armiqësisë prej gati shtatë dekadave mes tyre. Nuk mund të nënvlerësohet dëshira e zjarrtë që ndjejnë shumica e koreanëve në të dy anët e Zonës së Demilitarizuar (DMZ) për një formë ribashkimi-ose së paku ri-lidhjeje të të dy kombeve. Çuditërisht Lufta e Koresë së viteve 1950-‘53 nuk ka qenë kurrë e përfunduar me një traktat paqeje, kështu që ekziston një gjendje lufte që zjen, ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për t'i dhënë fund asaj. Gjatë luftës, 33.686 amerikanë u vranë dhe 128.600 u plagosën, dhe të dy Koretë kishin mbi 2 milionë të vdekur. Viktimat kineze ishin të shumta. DMZ (Zona e Demilitarizuar) është ndoshta kufiri më i militarizuar në botë, me qindra mijëra trupa, mijëra tanke dhe armë që përballen me njëri-tjetrin. Unë kam parë disa pamje mbresëlënëse ushtarake. Vetëm kufiri Pakistan-Indi në Kashmir ofron një pamje dhe kërcënim të ngjashëm ushtarak. Përgëzimet u takojnë udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe të Jugut për uljen e tensioneve midis tyre. Të dy meritojnë një çmim Nobël për paqen. Kim Jongu dhe Moon Jai kanë bërë një hap të madh përpara duke u munduar t'i japin fund Luftës së Koresë. Shumica e koreanëve - me përjashtim të të Krishterëve anti-Komunistë të djathtë në Korenë e Jugut - janë të gëzuar. Si një vëzhgues dhe mik prej një kohe të gjatë i Koresë, edhe unë jam i gëzuar nga samiti miqësor Moon-Kim dhe i uroj suksese. Por unë jam gjithashtu i shqetësuar nga roli i Uashingtonit. Presidenti Donald Trump sigurisht e ka thyer akullin me Korenë e Veriut dhe luajti një rol kyç për fillimin e bisedimeve per vendosjen e paqes. Por unë jam gjithashtu i shqetësuar se çështja e ashtuquajtur de-nuklearizimi mund të shkatërrojë përpjekjet për t'i dhënë fund Luftës së Koresë. Uashingtoni kërkon që Koreja e Veriut të bëjë një raport të armëve të saj bërthamore dhe pastaj t’i shkatërrojë ato nën mbikëqyrjen e SHBA. Ky është pretendimi kryesor amerikan. Është interesant fakti se, ndërsa bëjnë këto kërkesa, SHBA-të po vazhdojnë përpjekjet për të paraqitur një program të ri bërthamor "të vogël" B61- modeli12, i projektuar si një penetrues i thellë tokësor kundër objektivave taktikë. Ky program prej 1 trilion dollarësh është projektuar për situatë lufte, jo për parandalim të saj. Kritikët paralajmërojnë se ka mundësi që kjo të sjellë një luftë bërthamore. Koreja e Veriut, e cila ka një numër të pakët të raketave bërthamore me rreze të gjatë, thotë se do të "de-nuklearizojë" të gjitha armët bërthamore për të përmbushur kërkesat e Uashingtonit. Por pse? Koreja e Veriut po kërkon 'qëndrim reciprok' nga SHBA. Deri më tani, nuk ka asnjë shenjë që Shtetet e Bashkuara të pranojnë të mbyllin bazat e tyre ajrore në Korenë e Jugut ose në Japoni, të heqin armët bërthamore nga Azia e Veriut, ose të heqin disa ose 28,500 trupat e saj në Korenë e Jugut. Administrata Trump e ka bindur veten se është e mundur të bëhet një marrëveshje e njëanshme me Korenë e Veriut. Ekstremistët John Bolton dhe Mike Pompeo, besohet që veprojnë kundër çdo lëshimi amerikan. Ata duan që Koreja e Veriut të dorëzohet pa kushte, pa bërë bisedime. Të dy janë neo konservatore, që druajnë se armët bërthamore të Koresë do të shkojnë në ndihmë të armiqve të Izraelit në Lindjen e Mesme. Një marrëveshje midis Uashingtonit dhe Phenianit në kohën e Presidentit Bill Clinton u sabotua nga neokonservatorët për këtë arsye. Koreja e Veriut ka ngrënë bar për një brez te tërë, për të blerë armë bërthamore. A do t'i jepnin ata vetëm për një shuplakë nga ana e Uashingtonit? A do ta shtynte Kina Phenian-in në këtë drejtim? Shumë e dyshimtë. Bota po flet vetëm me Kim Jong-un sepse ai ka dhe mund të japë armë bërthamore. Shumë koreanë të Jugut janë krenarë për Kim, i cili po i bën SHBA-të e fuqishme të tërhiqen. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon, ka bërë një punë të shkëlqyer në politikën e tij të re të 'dritës së diellit'. Ai është një njeri i guximshëm dhe i mençur dhe një ndryshim i mirëpritur, ndryshe nga ish-liderët e djathtë të Koresë së Jugut, të cilët ishin tërësisht nën gishtin e SHBA. Koreanët do të kenë rezultate më të mira në zgjidhjen e kontraditave të tyre të shumta në qoftë se do t’u jepet mundesia për të zgjidhur problemet e tyre pa ndërhyrje nga të huajt, qofshin këta amerikanë apo kinezë. Një mënyrë e mirë për të filluar do të jetë që SHBA të përfundojë luftën e saj ekonomike ndëshkuese ndaj Koresë së Veriut dhe të ndalojë përgjithmonë stërvitjet provokative ushtarake në çdo vjeshtë. Dy fuqitë e mëdha, SHBA dhe Japonia, nuk janë të interesuar për ta parë Korenë e ribashkuar si një qendër të fuqishme me 80 milionë njerëz të zellshëm. Ata do të vazhdojnë të nxisin tensionet Koreane.

 

Përktheu: Ariola Mani