Kolumnist

Ku ishe ti Adem?

Nga: Arben Kallamata

(‘Wu warst du, Adam?’ Heinrich Böll)

Ku ishe ti, Zotëri apo Zonjë në shkurtin e vitit 1991? A ishe me turmat që rrëzonin monumentet e diktatorit, apo me ato që përpiqeshin t’i rikthenin? Për kë votove ti zonjë a zotëri në Marsin e vitit 1991, kur 75 përqind e votave i shkuan komunistëve megjithëse diktaturës i qenë shkurtuar këmbët? Çfarë bëje ti në vitin 1989?

Po e bëj pyetjen pak më të kapshme: Në çdo vit të dhjetëvjeçarit 1980 është festuar me parakalim 1 Maji. Në cilën nga këto parada u shfaqe ti o njeri shqiptar me parrullën “Poshtë Komunizmi” apo duke bërtitur me dy gishtat lart “Enver Hoxha është kriminel”. Ose, le të themi me diçka më të butë si: “Lavdi Mid’hat Frashërit”? Në cilin nga këto vite, që nga 1945 e deri në 1991 pate ti guximin të dilje në mes të burrave dhe grave, në sy të dy tre njerëzve, mos themi shumë, që mund të dëshmojnë tani për ty, dhe të thoshe se ti ishe kundër komunizmit, që diktatura ishte një sistem i pashpirt që po e shkatërronte kombin, që morali jot i pastër prej të djathti të kulluar nuk mund të pajtohej me atë sistem të fëlliqur?

E di, e di. Po kërkoj shumë. Le të përpiqem ta ul pak stekën, të jem më i arsyeshëm dhe të të jap edhe një mundësi: Ku e ke zotëri apo zonjë faqen e ditarit të shkruar në fshehtësinë e dhomës tënde, ruajtur në një skutë të errët të shtëpisë, ku nuk mund ta lexonte askush, as nëna, as babai, as motra, as vëllai, as gruaja, as burri, as fëmijët dhe as largqoftë sigurimi i shtetit, ku e ke atë fletëzën e zverdhur nga tridhjetecavjetët e shkuara në të cilën ti ke shkruajtur : “E urrej këtë regjim!”?

Nëqoftëse përgjigja është “Unë kam qënë aq i ri në atë kohë; nuk dija as të shkruaja e as të lexoja”, atëherë unë do të të them: ‘Mbylle gojën dhe mos fol kot, se ti s’e merr vesh për çfarë po flitet.” Këto pyetje nuk i kam fare për ty dhe argumentin tënd nuk e marr fare parasysh në bisedë.

Por nëse përgjigja jote është : “Unë dija të shkruaja e të lexoja, por s’kam asnjë nga këto që kërkon ti, pasi në atë kohë, po të dilje në paradën e 1 Majit me parrullën “Poshtë Komunizmi”, apo thjesht duke bërtitur “Lavdi Mid’hat Frashërit” të nxirrnin qumështin e nënës edhe ty edhe gjithë soj e sorollopit tënd; apo “Unë s’mbaja ditar”, ose “Unë nuk shkruaja komente politike në ditar” sepse kjo ishte tepër e rrezikshme dhe mund ta haje burgun kur të doje, dhe unë s’isha aq i çmendur sa t’i thosha burgut “hapu”, atëherë unë kam të drejtë të të them: “Mbylle gojën dhe mos ha bagla nëpër rrjete sociale”.

Kam të drejtë të të them mos më dil tani, tridhjetë vjet më vonë, në facebook, në twiter, në instagram, në blogje dhe portale, në biseda tavolinash dhe telefonash e t’i vërsulesh Ismail Kadaresë, apo Dritëro Agollit, apo Fatos Arapit, apo kujtdo tjetër dhe t’i thuash që i kanë shërbyer komunizmit. Sepse po aq sa ata, po aq i ke shërbyer edhe ti, edhe unë, edhe gjithë të tjerët komunizmit. Sepse po aq sa ata, ose ndoshta diçka më shumë se ata, e kemi pasur frikë edhe ti, edhe unë, edhe të tjerët komunizmin. Ca nga ne e kanë besuar, ca nga ne s’e kanë besuar, por të gjithë ne e kemi mbajtur gojën e mbyllur.

Ndryshimi midis Kadaresë dhe teje, ndryshimi midis Agollit, Arapit e shumë shkrimtarëve të tjerë dhe teje që ngrifesh sot si i djathtë ekstrem, si i papajtueshëm me majtizmin ndërkombëtar, është se ata i kanë të gjitha të shkruara në letër, të zezë në të bardhë - edhe pjesën ku kanë bërë punën e tyre si shkrimtarë në periudhën e komunizmit duke qënë të detyruar, ashtu si edhe ti edhe unë, të rrijnë urtë e të pajtohen me regjimin, edhe pjesën ku kanë bërë punën e tyre si intelektualë dhe mendje të ndritura për ta emancipuar popullin e tyre, duke të përfshirë edhe ty. Ata të shkretët i kanë të gjitha në letër, që të shfletosh ti e të zgjedhësh çfarë të të interesojë ty, ndërkohë që ty s’të ka mbetur as edhe ndonjë dëshmi e kallove që të krijoheshin në pëllëmbët e duarve nga duartrokitjet për Partinë.

Ty të është shëruar plotësisht rryli i fytit që të ngjirej rregullisht sa herë çirreshe duke thirrur me të madhe “Parti-Enver Jemi Gati Kurdoherë”. Ti nuk i ke më ato pantallonat që të ishin holluar stolave të dërrasës në sallat e ftohta të formave të edukimit komunist. Ti i mban të fshehura librezat e notave ku tregoje me krenari krahas provimeve të tjera që kishe marë në vjeshtë edhe 10-tat a 9-tat në Historinë e Partisë, apo Materializmin Dialektik. Ti ke harruar se si mundoheshe të fshihje nga biografia (se atëherë nuk kishte as CV dhe as Rezyme) gjithë të prekurit politikë të familjes dhe se si kërkoje me qiri nëpër farefis ndonjë që kishte pozicione të mira në Parti.

Ti punoje në fabrikë dhe ndërtoje socializmin dita ditës, duke u përpjekur të tejkaloje normat dhe të dilje në tabelën e të dalluarve, për të marrë 100 lekë të qelbura më shumë. Ti derdhje kokrrën e djersës në kooperativë dhe i serviloseshe sekretarit të partisë apo brigadierit që të të jepte sa më pak ngarkesë për të nxjerrë atë 40 lekëshin e fëlliqur për ditë pune. Ti projektoje detale në uzinën tënde mekanike, ti ngrije rendimentin e tezgjahut, ti iu kërkoje llogari dhe iu ngrije normat punëtorëve. Ti bëheshe novator dhe gjeje mënyrat më të efektshme për t’i kursyer shtetit komunist në mënyrë që të të jepnin një fletë-lavdërimi dhe të ta ngrinin pak atë rrogën qesharake. Ti punoje për vitin 2000 që në vitin 1972. Ti ishe ai që iu mësoje fëmijëve të përsërisnin si papagaj gjithë broçkullat e teksteve mësimore që i kishte përgatitur një tjetër si puna jote.

Bashkë me gjithë të tjerët ti kryeje shërbimin ushtarak për dy apo për tre vjet. Ose shkoje në zbor dhe mësoje përdorimin e karabinës vetëmbushëse që shërbente për asgjësimin e forcave të gjalla të armikut me zjarr, qytë dhe bajonetë. Ti shkoje gjithë qef nëpër aksione për të ndërtuar hekurudha dhe për të vjelur agrume dhe kishe zili Shkurte Pal Vatën që ishte plandosur poshtë ledhit. Ti sakrifikoje pa u ankuar fare edhe një ditë të qelbur pushimi duke mbjellur fidane në të Dielat e Enverit dhe duke përsëritur gjithë zell shprehjen idiote të atij eunukut, Ramiz Alisë - çdo ditë si në ditën e Enverit, çdo javë si në javën e enverit. Sinqerisht, nuk mbaj mend të kesh dalë ndonjë ditë dhe të kesh thënë: “Unë s’punoj në Ditën e Enverit, sepse e diela është dita ime (ose dita e Perëndisë, siç e quan ti tani me fjalorin tënd të djathtë ultra-kristian, megjithëse emrin e ke Adem dhe jo Adam.)

Ky ishe ti, që tani, pas 30 vjetësh ose ke rrjedhur fare dhe nuk mban mend se si ka qënë, ose (dhe kjo ka shumë më tepër të ngjarë) të gënjen mendja se tani pas tridhjetë vjetësh asnjeri nuk mban mend, dhe prandaj fillon e bërtet duke i rënë gjoksit : “Kadareja i ka shërbyer komunizmit”, “Kadareja nuk ka gojë të flasë”, Kadareja nuk meriton asgjë”, duke nënkuptuar pas çdo britme : “Jam unë ai që nuk i ka shërbyer komunizmit”, “Jam unë ai që gjithmonë e ka urryer systemin”, “Në familjen tonë ne të gjithë kemi qënë të djathtë.” “Në familjen tonë flitej vetëm kundër komunizmit”, “Ne bënim namin duke mos pushuar së foluri kundër regjimit”.

Hipokrizi, Adem, hipokrizi. Ti s’ke dhe s’mund të kesh asnjë prove, asnjë dëshmi, asnjë dëshmitar të veprimtarisë tënde, sepse nuk ke pasur kurrë veprimtari. Ti mendon se mungesa e provave dhe e dëshmitarëve të jep të drejtë ty, kur në fakt ajo të bën ty njëlloj si gjithë të tjerët. Nuk them që të bën fajtor. Por të bën të shtypur, si gjithë të tjerët. Hero nuk bëhesh dot. Nuk bëhesh dot hero, sado thellë të përpiqesh t’i zhytësh të tjerët, sado të përpiqesh ta vesh këmbën mbi Kadarenë për t’u ngjitur mbi llucë. Kadareja është shumë lart dhe këmba jote e shkurtër nuk arrin deri atje.

Ti nuk ke për shembull një libër, siç ka Kadareja “Nëpunësi i Pallatit të Endrrave”, që të dëshmosh se ia ke çjerrë maskën diktaturës në periudhën më të errët të sundimit të saj, në vitin 1981. Nuk e ke. Nuk ke asnjë vjershë si “Pashallarët e Kuq” ku të akuzosh hapur gjithë Komitetin Qëndror. Nuk ke asnjë “Dosja H” ku të kesh tallur menderen me sigurimin e shtetit. Nuk ke asnjë novelë si “Nata me Hënë”, ku të jesh ngritur kundër një shoqërie me mendësi të mykur dhe të kesh kërkuar emancipim, emancipim të grave dhe vajzave, emancipim të të gjithë shoqërisë. Nuk ke asnjë personazh si Zyloja i Dritëroit, ku të shkatërrosh nga themelet gjithë burokracinë komuniste. Nuk ke asnjë dëshmi ku të thuash që “shiko, sa bukur shprehesha unë”, në një kohë kur të shpreheshe bukur konsiderohej dekadentizëm, ndikim i huaj, borgjezim. Nuk i ke, prandaj duhet të mbyllësh gojën.

Fatkeqsisht, ti nuk e mbyll gojën. Jo vetëm kaq, por sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e hap, aq më shumë e ngre zërin. Veçanërisht ti, që edhe në dhjetorin e vitin 1990-të nuk ta mbante të dilje as shëtitje nga Qyteti i Studentit. Sidomos ti që edhe në Marsin e vitit 1991 votove për Partinë e Punës. Aq më keq ti që deri në vitin 1994 dhe 1995 vazhdoje të betoheshe për ideal të partisë dhe për kujtimin e kuçedrës. Mos flas për ty, që në 97-tën rrëmbeve kallashnikovin dhe shtije në ajër si i çmendur.

Përpara një jave dikush postoi fotografinë e një 65 vjeçari që kërkonte të mos paguante biletë në autobuz duke pretenduar se ishte veteran i Luftës – i Luftës së Dytë Botërore, që ka mbaruar para 74 vjetëve. Asnjë ndryshim nuk ke prej tij as ti, Adem, që po i bën gjoksin gropë duke u mburrur si i djathtë i paeupur që s’e paske duruar dot kurrë komunizmin dhe që tani revoltohesh sa herë përmendet Ismail Kadareja.   

Tagged under Arben Kallamata