Kolumnist

Ministri vendimzgjatur e vrullmpakur dhe Diaspora

Nga: Jeta Dedja

Më vjen të qesh kur shoh ministrin e Diasporës në udhëtimet e tij nëpër botë. Nuk më duket as më shumë e as më pak se një vizitor i vetëftuar, i cili pas përfundimit të vizitës a qëndrimit zyrtar e shet atë si të rëndësisë së veçantë të ilustruar me foto ku numërohen dhëmbë e dhëmballë.

Shëtit ministri i Diasporës nëpër botë, bën sikur takon e mban shënime hallet e emigrantëve dhe kur kthehet në zyrën e tij mbledh stafin e tejlodhur nga gjurmimi i artikujve të vjetër e të rinj mbi shqiptarët e diasporës, dhe u jep urdhrin: “Bëjini share”! Kaq ka në dorë ministri i Diasporës dhe kaq bën realisht.

Sepse ky ministër, dikur dhe kryeministër “by chance”, i cili në atë kohë dallohej për vrullin dhe vendimet e shpejta, sot për shembull, kërkon kohë të mendohet për të zgjedhur 15 anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës. Do duhej t’i kishte shpallur më herët dhe t’i mblidhte të zgjedhurit në ditën kombëtare më 18 dhjetor, por ky ministër vendimzgjatur e vrullmpakur, e ka shtyrë ca muaj procesin, duke shkelur si ligjet ashtu edhe aktet nënligjore, madje duke nxjerrë nul edhe urdhrat e firmosur nga vetë ai.

Ndoshta ministri Majko nuk zbaton dot një ligj, kur mbi krye ka një Maliq. Soji i Maliqëve, nga ata që luajnë me ligjet sikur t’i kenë arra dhe gurë, kërkojnë nga diaspora t’u mbajë ison. Si për shembull, kur të zgjidhet Këshilli Koordinativ i Diasporës, të mjaftojë që vetëm një anëtar, i cili do zgjidhet dhe hiqet me vendim qeverie të ngrejë kartonin në mbledhjet 1 miliardëshe të Fondit për Zhvillimin e Diasporës. Prej këtej qeveritarët e çdo kohe, krahu e partie mund të ngopin barkun me projekte të vjetëruara e të kopjuara të tilla si “Diaspora për zhvillim”, në emër të “fuqizimit” të diasporës. Apo edhe të sajojnë platforma me titull për shembull “ConnectAlbania”, nisur nga përvoja irlandeze që Majko mund të ketë marrë gjatë vizitës së tij në Irlandë.  

Ai jo më kot e ka kthyer faqen e tij zyrtare në Fb a Twitter në një faqe lajmërimesh e njoftimesh shoqatash, apo shpërndarjeje artikujsh mbi shqiptarët e diasporës që e bëjnë ministrin krenar që është shqiptar. Ose si një agjensi lajmesh, ku njoftohen mbledhjet me “superstrukturat e ngritura për zbatimin e çdo pike të ligjit”. Kjo sjellje “e përkushtuar” ministrore në fakt mbulon jo vetëm dështimin politik të qeverisë shqiptare me diasporën, por edhe atë të diplomacisë kulturore të Shqipërisë, e cila ndryshe nga vendet e tjera nuk është kujdesur t’u ofrojë shqiptarëve të diasporës shërbime për ruajtjen dhe forcimin e trashëgimisë kulturore. Një rast fare i thjeshtë do të ishin koncertet (falas sigurisht) me artistët shqiptarë. Me ata artistë, për të cilët vrapojnë të bëjnë shqiponjën me duar nëpër foto kur ndodh t’i takojnë në skenat e botës. Po kujtoj vetëm një fakt. Para dy vitesh, në Kanada erdhi violinisti shqiptar me famë botërore Olen Çezari, i cili prej vitesh jeton në Itali. Qeveria italiane kishte organizuar dhe financuar koncertin për diasporën e saj në Montreal. Ndërsa artdashësit shqiptarë të Torontos, u shtrënguan të paguanin biletën 90 dollarë për të ndjekur koncertin e shqiptarit të famshëm, në një sallë modeste, pagesë me të cilën mund të ndiqen koncerte në “Roy Thomson Hall” që është salla më prestigjioze e metropolit kanadez. Pse? Sepse qeveria shqiptare as nuk e vë në refene këtë model raporti me diasporën e saj.

Do thoni ju, pse e bën veten për një biletë diaspora? Nejse, shqiptarët e diasporës kanë punuar fort, shumë prej tyre janë rropatur, Plot të tjerë janë diskriminuar dhe as janë mbrojtur ndonjëherë nga shteti e megjithatë nuk pyesin për çmime kur bëhet fjalë për çështje të krenarisë kombëtare, por ama kërkojnë të paktën që një herë të ndihen krenarë edhe për fuqinë, autoritetin apo seriozitetin e qeverisë së atdheut të tyre.  

Zaten se mos përpiqet Majko a ndonjë tjetër t’u ofrojë ndonjë aktivitet masiv kulturor shqiptarëve të diasporës. Këta të fundit, ngelën duke u organizuar grupe-grupe në festa me këngëtarë dasmash. Artistët e mëdhenj mundohen t’i ftojnë të paktën një herë në vit meqë e kanë “piacën” e lartë dhe nuk shkelin në kontinentin e largët për pako gjë.

E mos t’i kërkojmë ministrit Majko të mendojë a të veprojë për më tepër se kaq si për shembull për regjistrimin e emigrantëve, votimet e tyre, apo ligjin për sigurimet shoqërore. Joooo! E shumta që do bëjë do jetë të përplasë me gjasme karrigen në parlament si i nervozuar, e të largohet pa debat. Fiks si një vrullmpakur!

Dhe kështu diaspora shqiptare do të vazhdojë të shihet si pjesë e jashtme dhe e vlefshme ose në kohë pushimesh, ose vetëm për ca takime të shkurtra të ministrave a deputetëve nëpër botë kudo gjenden shqiptarë. Ose në salla me ahengje ku ca këngëtarë shuajnë mallin e shqiptarëve me këngën e vallen shqipe. E në fund ca fotografi me vipat apo pushtetarët që i begenisin sa për të justifikuar ca projekte e për të mbushur letrat dhe lajmet. Me kaq, aktiviteti kulturoro-atdhetar, ku hyrja është kundrejt një çmimi, quhet i kryer dhe gjithkush shkon në punë të vet.

Por nuk ka pse të jetë thjesht kështu dhe kaq. Ka ardhur dita që Diaspora të ketë një zë të fortë, të padirigjuar nga orkestrat e politikës së Shqipërisë, tentuar të futet nën zgjedhë përmes ligjit për Diasporën dhe hallkave të tij. Sepse Diaspora sot mund të jetë i vetmi zë i vërtetë dhe i pavarur përballë politikës shqiptare. Ajo, ashtu si edhe njerëzit e lirë në ditët e sotme, ka një avantazh të madh. Zëri i saj mund të përcillet drejtpërdrejt nga çdo aparat telefoni apo rrjeti social, të cilin s’ka qeveri që mund ta drejtojë, çensurojë e manipulojë.

Prandaj, Diaspora nuk duhet të rrijë indiferente a soditëse së largu, por duhet të punojë e bashkuar intensivisht në dobi të interesit kombëtar, si dikur. Diaspora duhet të jetë më kërkuese ndaj çdo qeverisjeje që merr në dorë fatin e Shqipërisë.  Duke filluar që nga pjesëmarrja në Samitin që po afron, shqiptarët e diasporës nuk duhet të mjaftohen vetëm me kënaqësinë për t’u dukur njerëz të rëndësishëm në krah të ministrit apo për ta shkruar në CV rolin e tyre si delegatë në Samitin e Parë apo të Dytë. Shqiptarët e diasporës duhet të dinë se pavarësisht se në statistikat e shtetit shqiptar rezultojnë të reduktuar në numër, diku edhe të pallogaritur si në rastin e diasporës shqiptaro-kanadeze, ata përfaqësojnë shumicën e popullsisë shqiptare. Dhe një shumicë, nëse bashkohet mund të bëjë histori. Shqiptarët meritojnë ta besojnë dhe jo vetëm ta këndojnë vargun “Jam krenar që jam shqiptar”! Le të jetë Samiti i dytë, i parashikuar të mbahej në Vitin e Skënderbeut, por i shtyrë pa shkak të qenësishëm nga qeveria shqiptare dhe ministri i Diasporës, rasti dhe vendi ideal për të treguar se sa peshon diaspora shqiptare.

©FlasShqip