Kolumnist

'Bota' nuk ndreqet, por mbase inspirohet..

Nga: Vangjush Saro

Çdo kohë ka veçoritë e saj, por druaj që sot u teprua… Njerëzit këmbyen lirinë me anarshinë; antivlera dhe shtirja kanë zgjeruar hapësirat. Dikur kishte pak antena e më shumë jetë; njerëzit ende shiheshin në sy, bëheshin mbrëmje me vallzime, por jo me buçitje impiantesh që s’të lënë të shkëmbesh dot dy fjalë… Fëmijët luanin përjashta. Burrat visheshin me kostume, mbanin kollare e borsalino; (kurse sot mbushin krahët dhe këmbët me tatuazhe). Ikona ishin Merlin Monroe dhe Sofia Loren; (kurse sot po duan të bëjnë këso Kardashian-et dhe diskutimin në lidhje me të prapmet…) 

Muzika, letrat, sjellja, me përjashtime të rralla, janë bërë të çuditshme, klasi sa vjen e rënohet, më e pakta, nuk vlerësohet; dhe modestinë kurrkush s’e do më. Rrjetet, me përjashtime të rralla, janë mbushur me njerëz që pozojnë orë e çast për të rënë me doemos në sy, shkruajnë e publikojnë papushuar e plot gabime, së fundi kanë filluar edhe të vjedhin sheshit, përdorin pa pikë turpi emra gjenish, lëvdohen e shkëmbejnë dhele, sa ta shpifin… Vetëshpallja është bërë e neveritshme. Për hir të audiencës, gazetat dhe TV-të, me përjashtime të rralla, çfarë nuk sajojnë, hiret dhe ndyrësia është sheshit, shitja (politike) as edhe nuk kamuflohet më. Filmat, me përjashtime të rralla, sa vjen e bëhen më të errët, më të frikshëm, plot sajesa të përbindshme, mjedise, qënie dhe armë lemerisëse, që njerëzimi s’i ka parë ndonjëherë, veç në ardhshin a në i shpiktë më tutje… 

Një mish-mash i vërtetë! Në këtë skenar pa pikë lidhjeje, politika dhe paraja iu qëndrojnë roje të gjitha zullumeve e turpeve; bakshishi mbron e pastron çdo poshtërsi. Korporatat dhe zyrtarët e lidhur me to, mbajnë në fre ekonominë dhe nuk e kanë për gjë që çmimet e gjërave bazike kanë marrë kot; po ashtu, ‘çmimi’ i vetë njeriut. Pikëpyetjet po bëhen gërryese: për mjedisin, për ushqimet, për dlirësinë shpirtërore, për diametralitetin e jetës, për të vërtetën e çdo kohe, për profesionet e thjeshta të cilave askush s’iu qaset më…
Ndërkaq, ne japim e marrim, në medie e në rrjete, si dhe me ata që kemi përqark, afër apo larg qofshin, për të ndarë atë që na duket e drejtë dhe e mirë, atë që është më e udhës, më e afërt me interesat vetiake dhe ato njerëzore në tërësi. Ndonjëherë kërkojmë të pamundurën; prej këtej vjen shprehja, që edhe mua ma kanë përcjellë shpesh njerëz të afërt: Po ti, botën do ndreqësh? ‘Bota’ nuk ndreqet, doemos; por mbase inspirohet… Besoj që kahja e bisedës nuk prodhon hatër dhe i shikon në një vijë: nostalgjitë, zhvillimet, thjeshtësinë, mospajtimin me baltën gjithfarë...

Tagged under Vangjush Saro