Kolumnist

Si do t’i lajë duart Majko në Samitin e Diasporës?- nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Ministri vendimzgjatur dhe vrullmpakur i Diasporës Pandeli Majko po i meriton dita ditës më tepër këto epitete. I fundit njoftim prej tij, i postuar dje është shtyrja sërish e vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Koordinativ të Diasporës. Ministri Vendimzgjatur argumenton se i duhet kohë për të marrë vendimin pasi e sheh me vend të konsultohet njëherë me pjesëmarrësit e Samitit të Dytë që do të mbahet nga data 28 deri më 2 mars.

E kemi thënë që herët që nuk duhet të kishte ndodhur kështu zgjedhja e Këshillit Koordinativ të Diasporës. Ligji e ka futur nën zgjedhën qeveritare qëkur ia ka lënë në dorë ambasadave dhe ministrive administrimin dhe procesin e zgjedhjeve. Diaspora do të ndihej më e përfaqësuar nëse do t’i kishte vetë në dorë zgjedhjet e përfaqësuesve të saj. Në ditët e sotme është shumë e thjeshtë të kryhen zgjedhje të lira e në kohë rekord, falë teknologjisë që e lidh botën cep më cep brenda sekondit.

Por kjo nuk i intereson qeverisë shqiptare, dhe prandaj sajon ndonjë manovër për të larë duart si Pons Pilati për çdo emër që do të zgjidhet duke ia mveshur vendimin Samitit.

Pse ka zgjedhur këtë strategji Ministri vendimzgjatur e vrullmpakur, e cila as në ligj nuk parashikohet?

Ndoshta sepse para se të zgjedhë ndonjë anëtar kot më kot, ministrit (d.m.th. Ramës) i duhet së pari të bindet për devotshmërinë e tij ndaj partisë dhe liderit suprem. Se përndryshe për çfarë i duhet të konsultohen për shembull për një kandidat si Kostandin Ristani nga Kanadaja, i cili punon në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Kanadeze apo për Genci Çapi (Japoni) PhD dhe profesor i robotikës në një nga universitetet më të mira japoneze?

http://samiti.diaspora.gov.al/wp-content/uploads/2019/02/KANDIDATËT-PËR-KËSHILLIN-KOORDINUES-TË-DIASPORËS_.pdf )

Pra ne ngremë hipotezën se Ministri vrullmpakur do të zgjedhë si anëtarë të Këshillit Koordinativ më së shumti ata kandidatë të listës që do të marrin pjesë në Samit dhe do të gajasen me batutat bajate të kryeministrit. Ose ata kandidatë që nuk kanë nxjerrë asnjë status apo qoftë as një tingull për çmendurinë e buxhetit të Samitit të diasporës, i cili është një vjedhje ashiqare publike.

Dhe meqë përmendëm buxhetin, jemi bërë kuriozë për qiranë stratosferike të kësaj salle ku do të mblidhet diaspora. Mos vallë është shtruar e larë me flori që kushton mbi 100 milion lekë? Sikur në Toronto ta kishte prenotuar atë sallë do të kishte kushtuar shumë herë më pak.

Po skenografia mbi 170 milion lekë, për çfarë do t’i shërbejë këtij samiti? Mendon vrullmpakuri që pjesëmarrësit do vijnë të dehen me shkëlqimin fals të vendit prej të cilit ikën edhe për shkak të këtij mentaliteti politik foshnjërak??

Po të shohim zërat e tjerë të buxhetit të planifikuar për pritjen e përcjelljen e 800 pjesëmarrësve kanë vlera shumë herë më të ulëta sesa janë shpërndarë për fasadën dhe spektaklin e këtij Samiti. (Shih linkun me buxhetin, faqe 15 http://samiti.diaspora.gov.al/wp-content/uploads/2019/02/Vendimmarrja-dhe-Transparenca.pdf )

Kjo do të thotë që Qeveria shqiptare, synon që përmes këtij samiti të joshë diasporën me luksin e fasadave shkëlqimplotë apo t’i bëjë ftesë asaj t’i bashkohet shoqërisë së spektaklit që ajo kaq mirë e shfaq të manipuluar mediatikisht.

A do të pranojë Diaspora shqiptare të trajtohet si marioneta e rradhës në duart e Kryeministrit? Mbetet për t’u parë kush do të marrë pjesë e çfarë do të thonë në Samit? Nëse do shkojë ndonjë i mençur, lutemi të mos verbohet nga personaliteti i liderit suprem e të bjerë në dashuri me poturret e çorapet me zilka.

Toronto, 2 shkurt 2019

©JetaDedja/FlasShqip