Kolumnist

'Mediat e diasporës janë një kazan'

Nga: Ilir Levonja

Kur ta thotë i huaji, e kalon radhën do e durosh... Po, kur ta thotë i yti, kjo është e ç'është. Janë fjalët e kryeministrit shqiptar në ikje Edi Ramës. Dhe kjo është e kuptueshme, që i ka djegur. Në fakt ka një revansh reagimesh karshi këtij samiti, nuk do thoja qejfmbetje por më shumë indinjative në kuptimin se si shikohet dhe si po gjykohet diaspora nga një qeveri. Dhe nuk po i futem shumë faktit se cila media kazan e diasporës e paska quajtur samiti i vakisë a i përçarjes. Këto janë metoda të shtyrjes së urave të zjarrit, të intrigave të dosjexhinjëve, pasi sado insinuatave qeveritare a fjalës së lirë në shtypin e shqiptarëve anekënd botës. Nuk ka mërgimtar që ta xhelozojë një shqiponjë e artë që merr ta zemë Ekrem Bardha. Pra në diasporë propaganda qeveritare nuk pi ujë. 

Mërgimtarëve u dhimbset vendi i tyre më shumë se ata që jetojnë aty. Por që ta kuptosh këtë duhet të jesh emigrant, emigrant jo i strehuar tek miku a shoku si Edi Rama në Francë, kur thuthusej me Berishën dhe bodyguard-ët e këtij të fundit i hynin me dru, por emigrant malesh, kufijsh, gomonesh, maunesh etj. Emigrant llotoje a vizave fallco. Ku t’i dijë Edi Rama këto, vetë e kishte vizën të garantuar prej kohësh. 
Por këto janë lehje qeveritarësh mëse të zakonshme nga dheu amë, ca përpjekje a strategji të kahershme aq sa nuk është e rastësishme që diaspora ka banorë të saj edhe ish-kryetarë shteti a të përndjekur të tij. Ashtu sikur ka edhe plot nga arkitektët e diktaturës së proletariatit që akoma flasin për arritjet e Enver Hoxhës në ndërtimin e socializmit, megjithëse nga ana tjetër marrin ndihma sociale a karta ushqimore të kapitalizmit. Njëri nga emigrantët aty foli shkurt dhe tha se një shqiptar në botë është një ambasador i vendit të vet. Dhe me të drejtë. Dhe nuk janë pak, por rreth 40% e kombit.

Bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u integruar dhe suportuar njëri-tjetrin. Arrijnë deri aty sa me disa kuota dhe para të faluara me shpirt, riprodhojnë abetare, japin falas kurse të gjuhës shqipe, kanë gazetat e tyre etj. Po ku i di ti këto, ti di vetëm ato që të thonë mbi vakinë dhe përçarjen. Në fakt je me fat që të mbajnë në gojë, se, kur shikon që ke sjellë aty në sallë, gjithë ish-qeveritarët e hequr për dhënien e shqiponjës së artë një emigranti, sinqerisht ta shpif. Ka më butafori se sa kur shikon Lindita Nikollën të japi një çmim të tillë. Absurde, një ish-ministre e dështuar dhe e rrëzuar nga protestat e studentëve të dhjetorit të kaluar. Protesta ku edhe ti u solidarizove dhe rrëzove jo vetëm Linditën, Mirelën, por edhe plot të tjerë. Dhe solle ca kapuçonj që për t'u treguar të kulturuar shkojnë e ia bëjnë në kokë edhe Naimit. 

Media e diasporës një kazan thotë... Jo po do të bëjnë qejfin ty që po i shtrydh shqiptarët vetëm duke u kujtuar të zezat e Sali Berishës. Mbete duke thënë shpifësit, thuthutë etj.., kurse kur vjen puna tek përgjimet, investigimet si ai i fundit i Tg2 me kapot e drogës në Shijak, a tregun brutal të medikamenteve, bën batuta me Pandeli Majkon. Nuk është e vështirë të mbledhësh 5 a dhjetë shqiptarë në mërgim, megjithëse shumë syresh të refuzuan. Këto janë gjëra normale dhe nuk ka asgjë anormale të kesh kundërshtarë të ideve a projekteve të tua qeveritare. Por gjithmonë i suksesshëm është ai që përpara se të insinuojë të tjerët, si kazan a tepsi, bën mirë t'i kërkojë llogari vetes, të ironizojë veten. Po ti nuk je nga ai soj, je soj pa kokrra.