Kolumnist

Mediat e diasporës nuk janë kazan që të lajnë llumin e një kryeministri zhulan e shejtan

Nga: Editorial

I mblodhi Majko në Samit ca shqiptarë të diasporës, u dha ca souvenire kineze në formë shqiponje dhe aq deshën ca e ca të merrnin krahë. O pika…Majkos e shumë të tjerëve. A thua u mblodhën kryetarët e shteteve në Samit e të dilnin me marrëveshje, se në fakt Samiti këtë kuptim ka.

Por jo, shqiptarët i përdorin emrat, titujt, medaljet, konferencat si të duan për t’u krekosur në zbrazëtinë intelektuale brenda dhe rreth e qark.

Doli kryeministri më i padëshiruar i të gjitha kohërave në samitin e diasporës dhe cilësoi sërish me të njëjtin epitet mediat që nuk i dalin në krah. Kazan i quajti sërish se nuk gjen dot emërtim tjetër në bagazhin e llumit mendor që e ka pllakosur. I duhet të përpiqet shumë këto kohë të gjejë fjalët, nuk rrjedh më në ligjërime sepse ai tashmë e di që është tejkonsumuar dhe si një rrobë e përdorur shumë duhet hedhur. Fati i tij është që mund të riciklohet, pasi bota sot ka mjetet e duhura për të ricikluar shumëçka, përfshirë mbeturinat humane.

Një nga mjetet për ta ricikluar kryeministrin në ikje është edhe media, sigurisht ato që janë kazane investimesh të pista bashkëqeveritare mund t’ia kryejnë këtë shërbim me pasion, sepse asnjë kazan tjetër mediatik, aq më pak mediat e diasporës nuk mund ta lajnë e ta shplajnë llumin e një kryeministri zhulan e shejtan.

Mediat e diasporës po të marrim krahasimin që u ka bërë Edvin Rama me kazanin, do të ishin kazane artizanale me vlerë të çmuar sepse janë krijuar me përkushtimin e njerëzve të punës. Ato nuk mund të shiten as të blihen, pasi ato kanë arritur statusin e objektit të rëndësisë së veçantë që ruhen prej ligjit të pashkruar të dashurisë për atdheun.

Prandaj sado që kryeministri zhulan, shejtan e mjeran në ikje i quan kazan, kusi a tepsi, mediat e diasporës do të vazhdojnë të kontribuojnë në dobi të së vërtetës sado e hidhur të jetë ajo për këdo. Fati i madh yni është që nuk na komplekson dot as një emërtim prej tunxhi apo alumini, kështu që i sugjerojmë kryeministrit në ikje të zgjerojë fondin e fjalorit të shqipes.

Pas kësaj të heqë dorë nga teatraliteti i vjetëruar i sjelljeve të tij. Është kaq i parashikueshëm në veprime saqë nuk bën më as për të qeshur e as për të menduar. Thjesht për të vjellë!

Prandaj dhe shumë prej shqiptarëve të Diasporës nuk morën pjesë në Samitin teatral. Ata shmangën rastin për të vjellë në ndërtesat historike shqiptare në respekt të atdheut. Shumë syresh preferuan t’i përgjigjen publikisht ftesës, duke e refuzuar atë. Shumë të tjerë zgjodhën indiferencën për të mos u përzierë në çështje korruptive qeverie me buxhete të fryra Samitesh, në kohën kur shqiptarët e Shqipërisë janë në kufijtë e mbijetesës mendore e materiale.

Nga ata që shkuan kishte ca naivë që ende besojnë se batutat e kryeministrit do ndryshojnë Shqipërinë dhe se brekushet janë një element artistik i pamjes së përgjithshme. Siç kishte edhe të tjerë ushtarë partie apo të mjerë për imazh që rendin pas çdo lideri a qeverie të kapin kockën butaforike.

Këtë rradhë ishte në formë shqiponje, e cila iu dha pothuajse të gjithëve atyre që ishin në listat e propozuara për Anëtarë të Këshillit të Diasporës. Menduan t’ua bënin qejfin të gjithëve me një kockë, duke ditur se përkëdhelja e sedrës së dikujt me një titull është një mënyrë për t’u prerë hovin që mund t’u kthehej kundër.

Dhe kështu..Samiti mbylli dyert me sukses, me buzëqeshjen vesh më vesh të Majkos që mirëpret çdo batutë të shejtanit e zhulanit në ikje, me shpresën dhe ëndrrën e fjetur të zëvendësimit të tij. Se ç’u tha e ç’u bë tjetër me vlerë e me peshë për diasporën dhe atdheun përveç fasadave të ngjyera e ahengjeve të rastit nuk doli gjëkundi në dritë. Fjalimet politike, falenderimet për souveniret kineze dhe fotot folklorike ishin të vetmet arritje!

 Toronto, 2 mars 2019

©FlasShqip.ca