Kolumnist

Media, siç të ngre në qiell ashtu të zhyt dhe 7 pashë nën dhé-Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Si është kështu kjo puna e marketimit të ca njerëzve nga media? Ndodh shpesh t’u ngrihen lapidare disave që nuk kanë kryer ndonjë heroizëm, t’u thuren lavde të tjerëve që nuk janë vërtet altruistë, t’u ndërtohen profile cave që nuk kanë ndonjë talent apo zotësi. Të bëhen të famshëm aso syresh që nuk gëzojnë ndonjë vlerë.

Rastis që gazetarët të intervistojnë e të shkruajnë për ca tipa, të cilët në një moment të caktuar kanë përbërë lajm. Dhe ja që ndodh që këta pas publikimit të shkrimit apo reportazhit ndihen sikur kanë shpikur rrotën. U ndryshon sjellja, të vetëndjerit, komportimi me publikun, pozat në fotografim. Ndryshojnë garderobën, parfumin pse jo. Synojnë më pas shoqërimin me persona të njohur, mundësisht t’i bëjnë sa më parë publike përmes fotosh këto lidhje të rëndësishme.

U shtohen kërkesat, u rritet vetëvlerësimi, sillen sikur janë të vëzhguar e kanë ndonjë audiencë që sodit manierat e tyre.

Marrin apo kërkojnë vëmendje mediatike për çdo xhevahir që nxjerrin nga goja, a thua u konfirmuan si politikanë, opinionistë apo artistë me një të shtënë?! Por harrojnë se media siç të ngre në qiell të zhyt dhe shtatë pashë nën dhé. Shumë kollaj “fama” "FalsoLavdia" u kthehet në boomerang kur shfaqjet publike nuk i administrojnë mençurisht.

Gjithsesi përmes ca figurinave të tilla, media është kthyer në një mall konsumi më së shumti. Sidomos ajo online ndodh të mbushë faqe plot me histori a persona që në një kohë tjetër as nuk do t’u binte rradha të dilnin ndonjëherë në skenë apo publik. Dhe kjo puna e publikimit të një statusi apo historiçke të dikujt bëhet virale, po doli në njërin do dalë në dhjetë të tjerë. Kështu një rishtar merr një lloj vëmendje të stisur në fuqi të satë brenda 5 minutëshit.

Kjo ka çuar në rënien e cilësisë duke bërë që bollëku mediatik të shtojë rradhët e obezëve mendorë. Lexuesi i tejngrënë nuk shijon, por vetëm kalon faqet duke u hedhur nga një sy titujve. Me këtë rast digjet dhe i njomi me të thatin. Ka plot çështje të publikuara të cilat do duhet të merrnin vërtet vëmendje lexuesish por që për fat të keq kalohen tangent për shkak të fenomenit “lodhje prej postimeve boshe”.

Prandaj unë mendoj që njerëzve të realizuar, të mençurve, të drejtëve, origjinalëve, do duhet t’u jepet vëmendje më shumë nga media. Kemi nevojë të lexojmë, dëgjojmë e shkruajmë për burra e gra me integritet që nuk i trembet syri as nga partia, as nga nahija, për ata që nuk fshijnë statuse nga frika se do u tërheqë veshin organizata. Për ata që janë krenarë për mospasurimin a pasurimin prej punës së palodhur dhe jo për fodullët e milionave të vjedhura. Kemi nevojë për modelet e njerëzve të thjeshtë e të vërtetë që nuk kanë çengela mbi krye e as fije nën gjymtyrë Pinokësh të cilat t’ua lëvizë Baba Carlo.

Është mirë të mediatizohen njerëz që kanë arritur vetë gjithçka, përmes punës dhe jo emrave të ndritur të gjyshërve a etërve të vdekur. Të rinjtë që pozojnë me syze e çanta të blera nga puna si kamarierë apo diçka tjetër dhe jo me paratë e prindërve të korruptuar. Studentë e profesorë që shkruajnë të vërtetën e tyre dhe jo ata që kopjojnë ose rrëmbejnë autorësinë e dikujt tjetër.

Faktikisht, pesha e njeriut në planetin ku frymon, nuk varet nga marka e rrobave që vesh, këpucët “Loubutin” apo orët “Rolex”, as nga mbiemri që mbart apo rangu i njerëzve me të cilët pi kafen apo nga puna që bën. Gjithashtu lartësia e njeriut nuk mund të matet me centimetrat e as me shifrat në bankë, e as me pëlqimet në Facebook, as me fotot a drekat me njerëz të famshëm.  

Duhet t’i thuhet stop ngritjes në piedestal dhe vendosjes para prozhektorëve të kallinjve bosh, është koha të rikonfigurohet njerëzorja, e vërteta, e mira.

...Për çdo muaj në shkollën e fëmijëve të mi i mëshohet një vlere të lartë njerëzore. Marsi për shembull ka në qendër temën e mirënjohjes, më herët kanë diskutuar mbi ndihmën, mirësinë, dashurinë dhe bujarinë.

Kjo më bën të ndihem optimiste që dikur, në mos së afërmi, media ashtu dhe njerëzia do t’u kthehet sërish vlerave, të cilat ia vlen të marrin vëmendje të gjerë.

 Mars 2019

©FlasShqip

Tagged under Jeta Dedja