Kolumnist

Prilli i parakohshëm politik (Tashmë pozita në çadër)-Nga Zija Çela

Nga: Zija Çela

Më 10 prill 2017, bashkë me shkrimtarë të tjerë, u ftova në çadrën e ngritur nga PD në Shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. E prita ftesën me kënaqësi, por me kushtin që i vura vetes. Edhe sikur të më fishkëllenin, do të thoja çfarë mendoja unë, dhe jo çfarë donte veshi i tjetërkujt. Ky fragment vjen menjëherë pasi rrëfeva se si dikur i pata trokitur në zyrë shokut Xhelil Gjoni për t’i kërkuar dorëheqjen.

“Nuk do të ngurroja sot për të trokitur edhe në Kryeministri apo në selinë e PD-së (për ndonjë dorëheqje) nëse, për të thënë të vërtetën, nuk do të ishim në situata politike krejt të ndryshme, të pangjashme njëra me tjetrën. Mirëpo ja që ju, megjithatë, ia kërkoni dorëheqjen zotit Rama, ia kërkoni në mënyrë të përsëritur e me ngulm. Madje lideri i opozitës, zoti Basha, e fton kryeministrin në takim me dorëheqjen e firmosur. Nuk marr përsipër tërë analizën e këtij momenti, veçse po heq ndonjë vizë paralele. Atëherë përse do të bëhej takimi me një njeri të zhveshur nga pushteti, një njeri që nuk ka më tagër për asgjë? Me cilin do të bisedonte zoti Basha? Kryeopozitari nuk është Hamleti dhe as Kryeministri nuk mund të shndërrohet në fantazmën e mbretit, sepse dialogje të këtilla mund të ndodhin vetëm në teatër, si në tragjedinë e Shekspirit.”

“E di se prej entuziazmit vullnetarë, ka gjasa që ju do të më kundërshtoni për krahun tjetër, por vërejtja bëhet më e moralshme kur njeriun, të cilit ia drejton, e ke të pranishëm. Zoti Basha, a mund të përdoren edhe forma të tjera, pa e çuar deri në rraskapitje lodhjen e përditëshme dhe monotoninë taksative të çadrës? Unë e di se në çadra e në shpella kanë hyrë edhe filozofë të shquar. Por kanë hyrë për të medituar përkohësisht dhe pa marrë popull me vete. Kam drojën se forcat politike, të shtyra nga precedentët përsëritës, do ta kthejnë në zakon gjatë së ardhmes mbajtjen e kokës në thes, kur kemi nevojë për më shumë hapësirë dhe ajër të freskët. Prandaj uroj që si mjet, qoftë çadra e fundit në kryeqytetin tonë, ndërsa kurrë mos u ardhtë fundi protestave të qytetarëve të lirë, sa herë që liritë u shkelen. Është përgjegjësia e kësaj klase politike që të kemi më shumë dritë, sesa tym. Dhe do të jetë e pafalshme nëse edhe parlamenti i ri do të ketë më pak mendje e më shumë bark. Korbat hanë coftina, mos i lini t’i përdorin sqepat e kthetrat kriminelët me mandat, sepse cubat hanë popullin e tyre.”

Dhe ai takim u bë. Ndër të tjera, zoti Basha i hoqi Kryeministrit mëkatet e ministrive më të kritikuara, duke e marrë opozita drejtimin e tyre, pra edhe kryqin mbi kurriz. Mjeshtri Rama u tregua “bujar”, duke qenë i sigurt tek epërsia e tregut të zi, atij të blerjes së votave në terren. Por tashmë të gjitha këto dihen. Nuk dihej vetëm fakti se çfarë atëherë po linim mbrapa, do ta gjenim sërish përpara. Veçse kësaj here në të kundërtën e saj.

Sot parlamenti është kthyer në çadër. Sot në atë çadër është ngujuar pozita. Por si durojnë, mor aman, me kokën në thes e gjynahet në shpinë?! Mblidhen në rrethim, si t’u kenë vënë sytë perde. Mblidhen e flasin, kapërdisen dhe marrin vendime. Po me kë flasin, me kë debatojnë, me kë ndahen në Pro e Kundër?! Me fantazmat e opozitës, që enden në atë sallë. Shëmbëllimet kanë mbetur aty, sepse opozita që ka përfaqësimin politik, ndodhet në sheshet e protestave me elektoratin e saj. Ajo i ka flakur mandatet, i ka bërë nul. E kështu, pozita ka mbetur përballë nulit, përballë hiçit, përballë mospërfaqësimit real. Kjo është më tepër se drobitje e rraskapitje, është asgjësim i pluralizmit në demokraci.

Zoti Rama e ka përmendur disa herë Ronaldon, futbollistin e famshëm. Përfytyroni një ndeshje derbi mes Juves e Milanit, ose Barcelonës e Realit. Për arsye të dukshme në fushë, njëri nga ekipet e ndërpret lojën. Çfarë ndodh më pas? A do të guxojë arbitri t’u thotë lojtarëve të stolit që ta vazhdojnë lojën?! Këta lojtarë të rezervës vërtet janë të federuar, pra ekzistojnë në listë, por asnjëri prej tyre nuk mund ta shkelë fushën pa autorizimin e trajnerit, që përfaqëson vullnetin e ekipit, të klubit dhe të sportdashësve të tij. Kur dëgjon ndonjë nga deputetët e rezervës të shprehet, po, e mora mandatin sepse s’mund të tradhtoj votat e atyre që më kanë zgjedhur, ndien neveri personaliteti. Ata nuk janë votuar, prandaj dhe nuk janë mandatuar në kohë. Po ta kishin marrë mandatin në kohën e zgjedhjeve, edhe pse jo krejt e arsyetuar në këtë rast, sidoqoftë do të gëzonin njëfarë pavarësie për vendimin individual. Shkurt, sido që të votojnë, të ngjallin trishtim, sepse të kujtojnë manekinët e vitrinave kur mbesin picillak.

Por Zot na ruaj nga përfytyrime më agresive! Bie fjala, përfytyroni Kryeministrin tonë në bisedime me Kryeministrin e një vendi tjetër. Nga mospajtimi, befas ky yni i ndërpret bisedimet dhe ngrihet nga tryeza. Pastaj merr vesh se ata që ka pasur pas shpinës, pra plotësuesit e ekipit që ka marrë me vete, i kanë vazhduar bisedimet në kokë të tyre, madje kanë marrë edhe vendime, pas asnjë tagër përfaqësimi.

Askush të mos trembet as brenda, as jashtë. Tek ne nuk ka shenja për destabilitetin e vendit. Pritet vetëm vendimi politik i pozitës. Mos i duhet ca kohë? Kohë për të përfunduar çfarë ka mbetur nga reforma në drejtësi? Ndoshta. Mirëpo çfarëdo të vendoset për këtë reformë, ka për të qenë e kontenstuar nga pala tjetër.

As pozita dhe as opozita nuk mund ta mundin njëra-tjetrën, duke ruajtur pozicionet e ngurta që kanë zënë sot. Zgjidhja e ngërçit ka vetëm një perspektivë, zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Dhe nuk do të ketë bisedime, por negociata. Ndërkombëtarët do të bëhen gjithnjë e më balancues, pastaj edhe diktues.
Por kur do të dalë ekipi i PS-së nga çadra me kolltuqe? Ky vendim u takon forumeve të saj. E rëndësishme është që, kur ta kemi kapërcyer këtë krizë, kurrmë të mos na dalë përpara çfarë do të lëmë mbrapa. E prandaj, për të shmangur shtysat e precedentit, në Kodin Zgjedhor mund të shtohet një nen për të ardhmen: Forca politike që djeg mandatet në zgjedhjet pasuese hyn me minus 20 vende në parlament.

Mirëpo jemi larg kësaj të ardhme. Çështja janë zgjedhjet e parakohshme të kësaj radhe. Po sikur, pas marrëveshjeve për zgjedhjet e pritshme, për rezultatin të kemi përsëri ankesa, pendesa, ulërima, vjedhje të votave?! Nëse ndodh kështu, ahere në të sëmës të shkojë PD-ja, në të sëmës PS-ja, në të sëmës LSI-ja, në të sëmës politika shqiptare me gjithë Shqipërinë qyqare!

 

Tagged under Zija  Çela