Kolumnist

Sa vlen Shqipëria për Kanadanë Z. Ministër i Jashtëm në detyrë?-Nga Taulant Dedja

Kanadaja ka “adoptuar” si shtetas të saj plot shqiptarë, kryesisht në një proces selektimi mbi baza meritokracie dhe përmbushjeje kriteresh, ku të “adoptuarit” i kanë përballuar vetë shpenzimet përkatëse proceduriale. Ka edhe nga ata që kanë ardhur në forma të tjera, dhe të gjithë së bashku përbëjnë tashmë atë komunitet që synon të konsolidohet në atdheun “e dytë”. Bëjnë përpjekje individuale të integrohen ashtu siç bëjnë edhe përpjekje të organizuara apo çorganizuara sipas rrethanave dhe vizionit. Po mendoja, mirë komuniteti se kaq e ka mundësinë për momentin, po shteti shqiptar çfarë ka bërë këto 30 e ca vite marrëdhëniesh zyrtare për t’i ardhur në ndihmë diasporës në planin e ngushtë si dhe bashkëpunimit shumëplanësh mes dy vendeve në planin më të gjerë?

Një postim i sotëm në Twitter nga ana e Kryetarit të Senatit Kanadez, të Nderuarit George Furey (përfaqësues i Newfoundland and Labrador) pas takimit me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Ottawa, Ermal Muça, më nxiti ta shtroj publikisht problemin që më ka shqetësuar sistematikisht: Ngërçin disa vjeçar të marrëdhënieve mes atdheut tonë të origjinës dhe vendit që na ka “adoptuar”.

Dihet botërisht se niveli i marrëdhënieve mes dy shteteve vlerësohet nga disa kritere ndër të cilat renditen si më të rëndësishmet: marrëveshjet dypalëshe, vizitat e ndërsjellta zyrtare, por edhe niveli i këmbimeve ekonomike, tregëtare apo kulturore, volumi i investimeve etj. Duke vlerësuar angazhimin diplomatik të Ambasadorit Ermal Muça, profesionalizmin e të cilit e kam konstatuar prej fillimit të detyrës në Ottawa, në mesin e vitit 2016, si qytetar i dy shteteve, por edhe si botues e gazetar unë shtroj disa pyetje që lidhen me deklaratën e kryetarit të Senatit të shtetit ku unë paguaj taksat, votoj dhe jetoj. Gjithsesi dua të theksoj se më shumë jam i prirur ta lexoj thjesht si qëndrim të matur diplomatik deklarimin e tij ku janë përmendur prioritetet e përbashkëta dhe asgjë më tepër.

Unë në këtë rast pyes konkretisht: përse në më shumë se 30 vjet marrëdhënie diplomatike nuk është nënshkruar ende një marrëveshje dypalëshe?

Përse ka mbetur e bllokuar qysh prej fundit të vitit 2013 FIPA (Foreing Investments Protection Agreement), Marrëveshja për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja? Vërtetë ka patur disa probleme me një kompani kanadeze (Bankers Petroleum), por a duhet që ky rast ta mbajë peng konkludimin e marrëveshjes në fjalë?

Përse prej vitit 2015 nuk ka vizita dypalëshe të nivelit të lartë midis dy vendeve? Përse, edhe pse ka përfunduar çdo gjë teknikisht, ende nuk nënshkruhet Marrëveshja e Sigurimeve Sociale, të cilën ka kohë që e ka nënshkruar dhe shteti gjysëm-artificial i pagëzuar rishtaz me emrin Maqedonia e Veriut?

Përse nuk ka asnjë diplomat kanadez të atashuar në Tiranë, por vetëm një zyrë me staf lokal që thjesht pranon dokumente e i nis për në Romë?

Madje edhe vula kanadeze për autentifikimin e dokumenteve zyrtare të çertifikuara nga MPJ e Shqipërisë është tërhequr nga Tirana dhe dokumentet e marrin tashmë konfirmimin zyrtar nga autoritetet konsullore që mbulojnë Shqipërinë në Romë. Dhe me këtë ndryshim, rezidentëve apo shtetasve shqiptaro-kanadezë që u duhet një dokument çfarëdo u duhet të presin me muaj për të marrë një copë vulë sepse letrat janë kapicë në Romë dhe afatet e trajtimit janë të papranueshme?

Plot “Përse” të tjera mund të ketë ende por pyetja që i përmbledh të gjitha është: Sa vlen Shqipëria për Kanadanë, ku siç thuhet jetojnë e punojnë të paktën 50.000 shqiptarë?

Nuk i takon Ambasadorit Ermal Muça t'i kthejë përgjigje këtyre pyetjeve, sepse nuk vihet në diskutim angazhimi i tij dhe i stafit të tij për mbarëvajtjen dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve. Këtyre pyetjeve i takon t'u përgjigjet në radhë të parë Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Madje Ministrin në detyrë, i cili gjen kohë të merret me targat dhe pasaportat diplomatike thjesht për show (detyrë kjo e Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit) e ftoj të zgjidhë me urgjencë problemin e pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti në Ottawa. Është kosto e tëpërt dhe mundim për secilin shqiptar që jeton këtu të shkojë deri në New York për ta patur një shërbim të tillë. Ndërkohë gjej rastin të kujtoj që Republika e Kosovës e ofron këtë shërbim për shtetasit e saj në Kanada përmes Konsullatës së Përgjithshme në Toronto. Për të mos folur edhe për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve apo edhe për heqjen e vizave hyrëse për shtetasit shqiptarë në Kanada, të cilët aktualisht lëvizin lirisht në BE.

Por pyetjes sa vlen Kanadaja për Shqipërinë duhet të angazhohemi t'i përgjigjemi edhe ne shqiptarët e Kanadasë. A kemi lobuar ne sa duhet veç e veç, apo të organizuar në këtë drejtim? Me një brerje ndërgjegje se nuk kam bërë aq sa duhet personalisht angazhohem t’i drejtoj që sot zyrtarisht pyetje lidhur me sa më lart dhe t’i kërkoj përgjigje bazuar në legjislacionin mbi të drejtën e informimit deputetit federal të zonës ku banoj në Toronto, ndërkohë që pres përgjigjen e Ministrit të Jashtëm në detyrë.

©FlasShqip

11 Prill 2019