Kolumnist

Rrumpalla institucionale - Nga Erion Kristo

Jemi përpjekur disa herë ta nuhasim shtetin. Është një ushtrim i domosdoshëm. Jo për të monitoruar qeverisjen, por për të kuptuar më shumë realitetin ku jetojmë. Dhe aroma që vjen nga ky gjest shkencor është aromë burgu. Madje dhe në këto kohë, oferta e vetme për zgjidhjen e një sërë problemeve që shfaqen në jetën tonë është: burg, burg, burg.

Në Kodin Penal po përgatiten ndryshime që dënojnë me burg të rëndë një mori veprash dhe shkeljesh, disa prej të cilave krejt të shmangshme përmes dënimeve alternative, disa fare pa vend, e disa krejt të ekzagjeruara për nga rëndesa e dënimit, për të mos folur për disa të tjera që janë thjesht paranoja elektorale ose nevoja momentale të qeverisjes dhe që nuk sjellin asgjë në një këndvështrim afatgjatë. Dhe të çudit shumë fakti që qeveria merr përsipër të bëjë ndryshime në Kod kur dihet që duhen 84 vota, të cilat ajo nuk i ka. Apo janë të sigurt se e kanë në xhep opozitën e re?

Pra, shteti vjen pak erë të keqe, por nuk do të flasim për këtë. Thjesht do të përmbyllim triptikun lidhur me administratën, duke trajtuar pas policisë dhe nëpunësve civilë, edhe rolin që kanë institucionet e shumta që janë krijuar, degëzimet e shtetit, vizioni në përgjithësi mbi shtetin, si dhe pasojat e këtij vizioni. Le që fjala vizion këtu është krejt e tepërt. Fjala më e përshtatshme është: rrumpallë. Dhe këtë fjalë në hapësirën publike e ka sjellë pikërisht Kryeministri i sotëm, Edi Rama. Ai është kujdesur që të ketë një larushi institucionesh, të vjetra e të reja, që ato të kenë logo, që të kenë makina dhe zyra të mira, që të bien në sy, por dhe të mos bien në sy në të njëjtën kohë për nga produkti.

Përpara se t’ia nisim shqyrtimit do të donim të shqiptonim një nëmë, një mallkim: Të gjithë ata që për hatër të partisë tregojnë shpërfillje për atë çka ndodh me shtetin, vuajtshin personalisht pasojat e kësaj verbërie dhe shurdhërie! Në fakt, ky nuk është një mallkim, por thjesht një humor, një pickim, një tallje, sepse mallkimi i ka kapur ndërkohë njerëzit, po ata thjesht nuk e kanë kuptuar. Nëse mali me abuzime nga strukturat shtetërore vetëm në një vit kap shifrën galaktike prej 1.7 miliard dollarësh, aq sa mund të kishim ndërtuar një nëndetëse bërthamore, atëherë kjo sëmundje na ka kap, na ka ftof, e na ka mërdhif keq. Kështu që nuk është çështje mallkimi sa është çështje marrëzie. Dhe kjo marrëzi duartrokitet. Dhe pas duartrokitjes fillon vuajtja.

Marrim vetëm një detaj të vogël, të para pak viteve: mbi 60 institucione dhe ente publike nuk kanë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore të punonjësve të tyre. Qindra punonjës rrezikojnë pensionin. Asnjë gjemb në këmbë askujt. Pra, shteti s’ka asnjë ndjesi ndaj shtetit, por privatin e masakron deri në mbyllje biznesi, për një hiçmosgjë. Shtet shumë i çuditshëm. Janë me dhjetëra e qindra institucionet, agjencitë, qendrat, drejtoritë, institutet, inspektoriatet, autoritetet, shërbimet, sekretariatet, zyrat, entet, bordet e këshillat në varësi të Kryeministrisë apo të Ministrive.

Pyetja është shumë e thjeshtë: Cili është kontributi i tyre shoqëror? Pra, përveç pagesës, çfarë produkti japin në shoqëri këto institucione? A u ka duk puna? Dhe nuk po flasim fare për këto gjërat e thjeshta, si punësimet militante p.sh. në një nga bashkitë veriore të vendit, ku nga 300 punonjës, aktualisht janë 1000 punonjës që paguhen nga Bashkia. Le të shohim vetëm akronimet e këtyre institucioneve: AZHKR, KKAPU, KKLNL, QKR etj. Janë vërtet shumë të shpifura, madje shumica e tyre tingëllojnë si sharje. Këto germa duket sikur e ulin solemnitetin e institucioneve.

Ndërkohë, në mendjen tonë lindin disa pyetje. Ku shkoi Ministria e Teknologjisë dhe Inovacionit? Ku shkoi Ministria e Mirëqenies Sociale? Ku shkoi Ministria e Integrimit? Ku shkoi Hetimi Tatimor? Etj. Etj. Përse nuk bëhet reforma e inspektoriateve shtetërore? Përse ministritë lëvizen nga godinat dhe shpërngulen si të ishin nomadë në shkretëtirë apo gogla në një thes me lëndë dushku? Ky vizion mund  të jetë gjithçka, po jo vizion shteti. Jo se politika nuk njeh bashkime apo ndarje institucionesh; jo se praktika shtetërore nuk njeh të tilla. Problemi është kur institucionet trajtohen si tullumbace me helium. Natyrisht, një arsye është pas shkrirjes së institucioneve, apo ristrukturimeve të ndryshme: ndoshta zhduken gjurmët e vjedhjes së fondeve; ndoshta ka gjëra të tjera, punë projektesh apo emërimesh, borxhesh elektorale etj.

Ka kaq shumë agjenci sa të shpifet, dhe nuk kuptohet përse duhen këto agjenci, dhe përse duhen ministritë përkatëse. Ja për shembull: Agjencia Kombëtare Bërthamore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia për Eficencën e Energjisë, Instituti i Transportit, Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme, Shoqëritë Huamarrësve nën Administrim, Qendra Kombëtare e Biznesit, Qendra e Regjistrimit të Aksioneve, Ndërmarrja e Kontrollit të Shërbimit të Mjeteve Ujore (Vau i Dejës), Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Prodhim Mobilie, Albtransporti etj. etj. Ka dhe më të forta se këto: Kombinati i Sheqerit, Albkromi, Albbakri, Azotiku Fier, Superfosfati Laç, Çeliku Elbasan (të duket vetja si në kohën e diktaturës me këto).

Pse nuk mblidhet më ai KEK-u i famshëm? Apo u dogj? Po me KI çfarë bëhet? Po më KKT-në? Po me KA-në? Po me Agjencinë Kombëtare Bërthamore? Po KKLNL-ja çfarë bën (Këshilli Kombëtar i Librit dhe Nxitjes së Leximit)? Po Këshilli Veterinar? KKP-ja, KASH-i, KKAPU-ja, AKBN-ja? Por nëse mendoni se mbaron këtu, e keni gabim, ka ende: Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike, Qendra Kombëtare Biomjekësore, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (a doli nga loja ky?), Agjencia Shqiptare e Zhvillimeve dhe Investimeve, Agjencia e Trajtimit të Kredive, Autoriteti Shqiptar për Informacionin Gjeohapsinor, Agjencia Telegrafike Shqiptare, Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit, Qendra e Shërbimit të Ofrimeve Publike të Integruara, Agjencia Kombëtare për Zhvillimin Rajonal, Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit, Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Sekretariati i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, Organi Kombëtar i Investigimit të Transporteve, Agjencia Kombëtare e Duhan Cigareve, Bordi Rajonal i Kullimit (a ka Vlora një të tillë?).

Po e mbyllim këtu, por të jeni të bindur që ka ende. E kemi fjalën që ka ende humor. Mungon vetëm Agjencia Kombëtare e Kruajtjes së Hundës. Dhe nuk po flasim këtu për tollovinë e kompetencave, të paqarta, shpesh të mbivendosura apo të pavendosura fare. Mjaft të bëjmë një pyetje: kush kujdeset për mishin që hamë? Janë të paktën katër institucione, ndërkohë që vulën ia vë privati. Ne nuk po themi se këto institucione nuk duhen, ose se janë krejt të papërligjura. Përderisa ekziston Shoqata për Mbrojtjen e Fasuleve Pllaqi, të gjitha të justifikuara janë. Ne po themi se ka një mbivendosje apo keqvendosje kompetencash. Se shumë nga këto institucione mund të mos ishin fare. Mjafton të kujtojmë Ligjin për Arsimin e Lartë që krijoi katër institucione të reja. Edhe kërpudhat në pyll kanë një algoritëm me të cilin shtohen, dhe nuk mund ta kapërcejnë atë, se përndryshe bota e tërë do përmbytej. Por ne jo. Ne na plasin institucionet në duar si kokoshka. Dhe nuk reshtim së menduari pyetje.

Për çfarë duhet ajo policia shtetërore private (Illyrian Guard) e sajuar në Ministrinë e Rendit? Për çfarë duhet Agjenti Shëndetësor? Po kjo gjigantja e Investimeve? Po krijimi i institucionit të Bilbilenjve (Bilbilfryrësve)? Po kjo Kadastra e famshme, a është diçka me themele të forta kushtetuese (ka shumë ankesa për këtë)? Krijimi i këtyre regjistrave pa fund në shumë prej fushave të jetës, si në noteri, në shëndetësi etj., a ka sjellë ndonjë përmirësim të ndonjë gjëje? Kjo receta elektronike, a po ndihmon kënd? A po vidhet më pak? Apo ajo ngjarja e fundit që dëgjuam me vjedhje ilaçesh është një fantazi e sëmurë e analistëve-kazan që hanë në grazhdin e SHQUP-it? Si dështoi ky sistemi perfekt që u ngrit? Çfarë ndodh me Fondin Shëndetësor? Në cilin planet e ushtron veprimtarinë e vet AKU? Përse pas frikërave të popullatës për terrorizmin ushqimor, veprimet që bëhen janë thjesht zëvendësime mekanike njerëzish, si ky i fundit, ku u hoq Drejtori i Institutit?

Ne do të donim të ishim krejt dashamirës me këtë përmbytje institucionale. Po në fakt mungon një institucion themelor i shtetit dhe shoqërisë: llogaridhënia. Duke qenë se askush nuk jep llogari, edhe ne nuk dimë se ç’bëhet. Natyrisht e dimë që Vlora përmbytet, e dimë që ajo reforma e famshme e ujërave nuk është bërë, e dimë se pjesëmarrja nëpër këto borde u leverdis atyre njerëzve që i shërbejnë një regjimi të caktuar, dhe na kushtojnë ne të tjerëve miliona euro. Ne i dimë të gjitha këto, por nuk dimë përse. Përse kemi tre institucione që merren me gjëra bërthamore? Përse kemi dy institucione që japin NIPT-e? Përse bizneset regjistrohen në QKR, ndërsa OJQ-të në gjykatë (ndoshta kjo nuk është krejt gabim, por gjithsesi)? Përse duhet Agjencia për Bregdetin tani që plazhet i morën privatët?

Me thënë të vërtetën nuk shqetësohemi fare nga larmia e pafund e këtyre institucioneve, as nga kostot, as nga mënyra e emërimeve, as nga produkti i munguar. Gjëja që më shumë na shqetëson është se pakkush reagon përballë këtij mishmashi, përballë kësaj rrumpallhaneje (hiq prof. Enriko Cekon dhe ndonjë tjetër). Dhe kemi një pyetje edhe më të thjeshtë: Sa media e kanë trajtuar këtë çështje, përveç emisionit Bardhazi në TV Scan dhe ndonjë emisioni tjetër, ku ka qenë i pranishëm Enriko Ceko që e ka ngritur me të madhe këtë çështje? Përse studiot e mëdha televizive, ku ngjizet helmimi më masiv i popullatës (shumë më masiv se sa helmimi masiv në Bulqizë këto ditë, ku dyshohet se janë helmuar nga uji i ujësjellësit), nuk kanë pasur as guximin, as dëshirën për ta trajtuar këtë çështje madhore?

Përse një qytetari të thjeshtë, i shkojnë lodrën, i kallin tmerrin, dhe e bëjnë të ikë nga ky vend, vetëm për një copë letër të munguar, apo për ndonjë masë krejt pa vend që duhej të kishte marrë? Përse shteti është jashtëzakonisht i rreptë për gjëra fare të parëndësishme, dhe kaq qesharak dhe i cekët për gjërat më themelore? Dhe nuk kemi folur fare për shtetin paralel, për atë që është zhbërja më e madhe e institucioneve: Platforma e Bashkëqeverisjes. Kjo platformë në thelb është asgjësim i shtetit. Në vend që institucionet të monitorohen për veprimtarinë e tyre nga organet më të larta, në vend që të jenë transparente dhe të japin llogari përpara publikut drejtpërdrejt apo përmes medias, këto institucione funksionojnë nga frika.

Është qesharake se si dhënia e një flete është kthyer në një operacion nga ata të rëndët. Shteti i së drejtës nuk prodhon drejtësi vetëm me gjyqësorin, por përgjithësisht prodhon akte të së drejtës përmes administratës publike. Dhe nëse dikush aty abuzon me qytetarin, është faji i drejtuesit të institucionit, e kështu me radhë në një linjë hierarkike që shkon deri te maja. Rishikimi i procedurave, zhdukja e mundësive për të abuzuar, e të tjera gjëra do ishin më efikase se sa këto letrat drejtuar Komitetit Qendror. Po dhënia e së drejtës është bërë një spektakël pa vlerë përballë mundësisë që Kryeministri të zëvendësojë gjithë administratën në të njëjtën kohë. Pra, ai ka zëvendësuar në autoritet shumë nga ministrat, këtë e bën dhe për gjithë administratën. Nëse ky portal është kulmi i shteti, ky në fakt është kulmi i humorit.

Hallet e shqiptarëve nuk zgjidhen përmes magjisë elektronike. Ndonjëherë të krijohet përshtypja se shumë nga këto halle sajohen me qëllimin për të promovuar këtë portalin lekëngrënës, kohëngrënës dhe shtetngrënës. Ky portal është thjesht një centralizim total i gjithë administratës. Ky portal ka marrë tipare gjykate dhe të heq nga puna pa siguruar mbrojtje maksimale për nëpunësin e shtetit. Pyetja e fundit, më ngacmuesja, dhe më dashamirësja është: Çfarë ndodhi me ato Bletët e Arta? Ku e kanë mjaltin? Ku janë njerëzit që na u ofruan si shpëtimtarë? Duke kërkuar ndjesë për ndonjë pasaktësi në emërtim (se ndërkohë mund të ketë ndërruar emri), ndonjë mosnjohje të saktë të kompetencave (e kush është ai që i di të gjitha?), ndonjë moskuptim të detyrimeve institucionale (ka gjëra magjike që nuk shpjegohen dot me mendje të kthjellët), mendojmë se nuk duam të ofendojmë dhe të cenojmë askënd që jep një kontribut për shtetin dhe shoqërinë në administratën shtetërore. Ajo që duam është të hapim një diskutim të shëndetshëm lidhur numrin, dobinë dhe mënyrat e funksionimit të institucioneve.

Ne si gjithmonë, vetëm sa i kemi cekur problemet. Do të donim që të tjerë njerëz të shkruanin dhe të sillnin përfytyrimin e tyre për shtetin, madje dhe të na kundërshtonin, në mënyrë që t’i qasemi sa më shumë të vërtetës dhe të jemi sa më konstruktivë. Nuk është qëllimi ynë të jemi shterues, sepse siç thotë populli ynë i mençur: shumë sy bashkë e gjejnë gjilpërën në kashtë.

Burimi: gazetamapo.al