Kolumnist

Një objektiv i gabuar i udhëheqjes së Kosovës - Nga Shaban Murati

Objektivi, OKB? Udhëheqja e Kosovës ka humbur rrugën në oborrin e vet

Në datën 3 maj udhëheqësit kryesorë të shtetit të Kosovës, presidenti, kryetari i parlamentit, kryeministri dhe drejtuesit e ekipit të bisedimeve me Serbinë, zhvilluan një mbledhje për platformën dhe objektivat, që do të ndjekë shteti dhe diplomacia e Kosovës në dialogun me Serbinë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Pas këtij takimi të nivelit më të lartë shtetëror, sipas njoftimeve të agjencive të ndryshme të lajmeve, në emër të pjesëmarrësve nga kryetari i parlamentit u deklarua se “Objektivi kryesor unanim i Kosovës është anëtarësimi i Kosovës në OKB. Qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar është vetëm një: Kosova në OKB”.

Është vërtet befasuese në planin diplomatik, taktik dhe strategjik, që udhëheqja më e lartë e Kosovës shpall së bashku se objektivi i saj kryesor në dialogun me Serbinë qenka anëtarësimi i Kosovës në OKB. Është pak të thuhet e çuditshme, sepse ky takim u zhvillua pesë ditë pas samitit të Berlinit të 29 prillit, të thirrur nga kancelaria Merkel dhe presidenti Makron, për të rifilluar dialogun Serbi-Kosovë dhe për ta vendosur atë në rrugën e drejtë të përfundimit me njohjen reciproke, të dobishme për të dy shtetet dhe për gjithë rajonin.

Nuk u dëgjua as nga organizatorët e lartë të samitit të Berlinit, Gjermania dhe Franca, as nga Serbia dhe as nga gjithë shtetet e ish-Jugosllavisë, të pranishëm në atë samit, jo ndonjë propozim apo sugjerim për anëtarësimin në OKB, por as fjala OKB. Sepse edhe Gjermania, edhe Franca, e dinë më mirë se ballkanasit se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka asnjë lidhje me OKB.

Nuk dihet se cilat janë arsyet dhe motivet që udhëheqja më e lartë e Kosovës vendos tani sëbashku si objektiv kryesor të saj anëtarësimin e Kosovës në OKB. Edhe më profani për dinamikë në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë e di se as dialogu midis dy shteteve dhe asnjë marrëveshje e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre nuk ka lidhje me anëtarësimin në OKB.

Jemi përpara një objektivi kryesor krejtësisht të gabuar, jashtë kohe dhe jashtë vendit, dhe që e nxjerr nga shinat strategjinë e konfirmimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës si subjekt i pavarur i të drejtës ndërkombëtare, si dhe normalizimin real të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Së pari, kemi një përmbysje prioritetesh dhe një zëvendësim të papranueshëm të objektivit real kryesor: atë të njohjes reciproke midis dy shteteve, me një objektiv efemer, që nuk sjell normalizim real të marrëdhënieve. Udhëheqja e Kosovës me këtë spostim objektivash heq dorë nga objektivi primar dhe themelor i njohjes së Kosovës si qëllim fillestar dhe përfundimtari dialogut me Serbinë, dhe hedh në tavolinën e bisedimeve një çështje, që nuk i takon fare asaj tavoline dypalëshe.

Së dyti, anëtarësimi në OKB nuk ka asnjë lidhje me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk është Serbia ajo që e ka në dorë të lejojë apo të mos lejojë Kosovën të hyjë në OKB. Anëtarësimi i një shteti në OKB është vendimmarrje e pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, që kanë të drejtën e vetos, dhe nga ata të pestë, Rusia dhe Kina nuk e njohin Kosovën.

Së treti, duke shpikur kartën e anëtarësimit në OKB si çështje e dialogut me Serbinë, i jepet Serbisë një as i artë presioni dhe një avantazh i fortë në bisedimet dypalëshe. Me këtë të ashtuquajtur objektiv Serbia shpëtohet nga shpata e Damokleut, që quhet njohje e detyruar e Kosovës nga presioni ndërkombëtar, të cilën siç e pohoi vetë presidenti serb ai e ndjeu mbi qafën e tij në samitin e Berlinit nga të gjithë pjesëmarrësit, që ishin të gjithë për njohjen e Kosovës.

Tani e shpëton Vuçiçin nga kjo shpatë e Damokleut vetë udhëheqja e Kosovës. Dhe e bën këtë në një kohë kur vetë presidenti serb, duke parë çdo ditë e më tepër trekëndëshin e izolimit, ku është futur Serbia, deklaroi në Beograd pas samitit të Berlinit se “Kosova në të ardhmen do të marrë pavarësinë”. Papritur Serbisë i zbret nga qielli një salvaxhente nga udhëheqja e Kosovës, që ia lehtëson lakun e presionit ndërkombëtar, duke njoftuar se Kosova kërkon vetëm anëtarësimin në OKB.

Së katërti, nuk ka informacion se kush ka qenë ajo mendje e ndritur shqiptare, serbe apo europiane, që ia ka këshilluar udhëheqjes së Kosovës këtë “objektiv themelor të anëtarësimit në OKB”. Si mundet udhëheqja e Kosovës të ketë akoma iluzione për Serbinë, kur edhe pas gjashtë vitesh të nënshkrimit në Bruksel me ndërmjetësimin e BE të marrëveshjes së 19 prillit 2013, ku Serbia merr detyrimin të pranojë anëtarësimin e Kosovës në BE, Beogradi e ka shkelur me të dy këmbët dhe bllokon Kosovën të futet në UNESCO dhe në Interpol.

Së pesti, vendosja e anëtarësimit të Kosovës në OKB si objektiv kryesor i dialogut me Serbinë ka brenda farën e një zhvillimi shumë të rrezikshëm. E thënë me fjalë të thjeshta, ky qëndrim i udhëheqjes së Kosovës merr trajtën e një ftese për Rusinë që të marrë pjesë në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës.

Mund të bësh sa të duash deklarata dashurie për Amerikën, por kur deklaron se objektivin kryesor e ke vetëm të anëtarësohesh në OKB, këtu mbaron dashuria për Amerikën dhe fillon ajo për Rusinë, sepse anëtarësimi në OKB kërkon domosdoshmërisht praninë e Moskës. A ka lidhje kjo dhe a është vazhdim i bisedimeve, (përmbajtja e të cilave nuk u mor vesh kurrë), midis presidentit rus Putin dhe presidentit të Kosovës Thaçi në Paris në 11 nëntor 2018, kjo mbetet të shihet.

Teza e objektivit kryesor të dialogut me Serbinë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, duke hequr prioritetin e njohjes së shtetit të pavarur nga Serbia, realisht është një karrem i vjetër i diplomacisë së Serbisë dhe Rusisë. Ajo u hodh në qarkullim përpara se të dilnin idetë e rrezikshme të korrigjimit të kufijve apo të shkëmbimit të territoreve.

Që në vitin 2017 e kam denoncuar planin e fshehtë të qeverisë serbe që t’i ofrojë Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur Kosovën si shtet. Kam tërhequr vëmendjen se “Është tepër e rëndësishme që Kosova në kanale diplomatike të hedhë poshtë planin serb të “formulës ukrainase” dhe t’i bëjë të qartë Serbisë, por edhe BE-së, se Kosova nuk do t’ia japë Serbisë alibinë e re të OKB. Zgjidhja e vetme për normalizimin e marrëdhënieve është respektimi i kushtit të kushteve, që është njohja e Kosovës nga Serbia”. (”Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, Tiranë, 2018, fq. 272).

Prioritizimi i anëtarësimit në OKB, duke mënjanuar njohjen nga Serbia, do të thotë të pranosh statusin e dikurshëm të Ukrainës, e cila në kohën e luftës së ftohtë, ndonëse ishte anëtare e OKB, ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Serbisë i leverdis formula ukrainase, sepse edhe po të supozojmë se Rusia do të japë votën për Kosovën të hyjë në OKB, Serbia do të vazhdojë ta konsiderojë pjesë të saj.

Qëndrime të tilla të dëmshme e fusin Kosovën në konfuzion, por hutojnë dhe na i largojnë edhe aleatët dhe miqtë perëndimorë të Kosovës, të cilët po bëjnë të pamundurën që dialogu të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Këtë objektiv të dialogut për njohjen reciproke duket jo rastësisht e përsëriti për të disatën herë Ambasada Amerikane në Prishtinë në datën 7 maj.

Siç thotë një shprehje kosovare, udhëheqja e Kosovës ka humbur rrugën në oborrin e vet. Shpresa është që kjo të mos jetë nga shkaqe, të cilat kombi shqiptar i njeh mirë, sepse i ka provuar shpesh herë gjatë historisë në kurrizin e pavarësisë, të sovranitetit dhe të integritetit të vet.

Është shqetësuese që, në prag të mbajtjes në Paris në 1 korrik të fazës së dytë të samitit të Berlinit për dialogun Kosovë-Serbi, udhëheqja e Kosovës i nis përgatitjet me një hap tepër të gabuar. Nëse nuk do ta ndreqë gabimin pa vajtur në Paris, kjo do të thotë që Kosova e ka të humbur qysh tani ndeshjen me Serbinë.

Burimi: Gazeta DITA