Kolumnist

Çojani çështjen sovranit - Nga Artan Fuga

Midis gazit lotësjellës dhe kokteileve molotov, është koha për t'a zgjidhur konfliktin me zgjedhje të lira, të ndershme, të drejtpërdrejta e të barabarta!

----------------------------------

Tirana, kryeqyteti i atdheut, ka përfunduar një qytet i mbytur nga gazi lotsjellës, bombat me kokteil molotov, shkopinj dhe të gjitha ato që popujt e qytetëruar synojnë t'i vendosin në muze.

Po, ka një zgjidhje. Meqë partitë politike nuk e gjetën. Çojani çështjen sovranit, pra qytetarëve, të cilëve të gjitha palët shprehen se i shërbejnë!

E ndan sovrani pa merak fare!

Zgjedhjet e lira, të ndershme, të barabarta, të drejtpërdrejta, ku populli të japë verdiktin e tij për deputetët, jo për listat e kryetarëve, duke e ndarë shapin nga sheqeri!

Zgjedhje të lira ku grupet dhe partitë politike, kandidaturat e pavarura, të kandidojnë duke u nisur nga pozita të barabarta, nën një ekzekutiv asnjanës dhe administratë që të mos fusë turinjtë në kutitë e votimit!

Ka mundësi pa fund për t'a realizuar këtë!

Ne nuk jemi të hurit dhe të zjarrit!

Mos na vini në zgjedhjen midis kokteilit molotov dhe gazit lotësjellës! Sepse gazi lotësjellës prodhon koktailin molotov kurse koktaili molotov prodhon gazin lotësjellës!

Intelektualët, teknicienët, menaxherët, studentët, kërkuesit shkencorë, të gjithë qytetarët, kam sigurinë e brendshme dhe provat, janë për paqen, jo për dhunën, as për kanabisin, as për korrupsionin, as për grabitjen e votës, as për institucione që sillen sikur të ishin kështjella kafkajane.

Sindromi i Robinson Kruzos po vërtitet nëpër Atdhe! Simboli i vetmisë! I vetëm përpara popujve të qytetëruar. Qytetari vetëm përballë pushteteve! Politika vetëm përballë qytetarëve! Pushteti vetëm përballë shoqërisë!

Eshtë më i dëmshmi!

Çfarë i gjeti grekët që bënin zgjedhje çdo gjashtë muaj kur vendi ishte në krizë, dhe e gjetën daljen?

Çfarë i gjeti italianët që pas Luftës të Dytë botërore hynin në zgjedhje sa herë hija e krizës dukej në horizont?

Çfarë i gjen zviceranët që hyjnë në referendume sa herë ka drama që duhen zgjidhur?

Asgjë!

Zgjedhjet e lira kanë shumë herë më pak kosto sesa dhuna nëpër rrugë!

Të gjithë thonë se kanë mbështetjen e popullit. Atëhere logjika minimaliste e teknicienit, intelektualit, kërkuesit shkencor thërret: Provojeni në zgjedhje!

Ja kaq e thjeshtë është!

Tagged under Artan Fuga Flasshqip.ca