Telendisja e Akademisë së Shkencave me fytyrëshpullën Gjinushi-Nga Taulant Dedja
35 akademikë në pozita të rregullta, të përhershme apo të asociuar ka Shqipëria dhe mes të gjithëve iu tek vetëm Skënder Gjinushit për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave. Mes tyre që plotësojnë kriterin e moshës ka disa, por që ose nuk denjojnë të lakojnë emrin nëpër mediat e qeverisë ose kanë bërë pazaret e tyre. Dhe kështu i vetmi që pranoi t’i bëhet fytyra shollë edhe nga shpullat, si gjithmonë është ai, i pështirosuri nga të tijët dhe të tjerët, por i servilosur deri në palcë, ai që arrin të shfaqet aty ku s’duhet, në shkencën e menderosur tashmë shqiptare.
I vetmi që ka reaguar sot e përtej të djeshmes është Akademiku Artan Fuga, i cili mos mendoni se ka interesa për t’u bërë kryetar vetë meqënëse kundërshton Gjinushin. Jo, ai reagon se ka guxim intelektuali dhe nuk ka frikë burracaku apo pseudo intelektuali të ngritur përmes lëpirjeve e qëndrimeve në hijen e pemëve të mbetura ende me sharm akademie në oborrin pranë kalasë.
Anëtarët e Asamblesë kishin kohë një muaj të shpallnin kandidaturat, por nuk e bënë. Ata në heshtje, me mosveprimet e tyre po mbështesin prehistorikun e pa dokumentuar gjëkundi si shkencëtar në faqet ndërkombëtare të shkencës. E tregoi këtë edhe Taulant Muka, shkencëtari i ri që ka nisur fushatën e çjerrjes së maskave të medemek shkencëtarëve shqiptarë që duket se kanë mbirë si kërpudha pas shiut të dendur në vend.
Gjithashtu ata po lejojnë si kurrë më parë, në krye të shkencës një figurë të politizuar e dalë boje duke cituar Prof Artan Fugën, i cili në shkrimin e tij të sotëm të publikuar nga FlasShqip (lexo këtu) shprehet se “Është një ngjarje e paprecedent që nga koha e themelimit të kësaj akademie! Edhe në periudhën e diktaturës, qoftë edhe formalisht, kurrë Akademia e Shkencave nuk ka pasur në krye të saj një njeri politik, madje as anëtar partie, por personalitete shkencore, madje të parreshtuara hapur me pushtetin e kohës!”
Unë mendoj se nëse u ka mbetur një fije sedër profesionale, respekti për punën e tyre e të paraardhësve të tyre, nderimi për emrin që kanë ndërtuar me mund e djersë, të paktën disa akademikë të shquar duhet t’i dalin përballë Gjinushit të dallavereve dhe aspak të shkencës. Nëse këta akademikë pranojnë Gjinushin do të thotë që s’kanë asnjë lidhje me paraardhësit e tyre që themeluan akademinë, Profesorët Aleks Buda, Kolë Popa, Petrit Radovicka, Bedri Dedja, Eqerem Çabej, Mahir Domi e të tjerë, që pavarësisht sistemit ishin të gjithë shkencëtarë (përjashto ata që vinin nga fusha e marksizëm-leninizmit).
Disa ndoshta do t’i mirëkuptoja në pamundësinë e tyre për shkak të ndërthurjes së lidhjeve personale me ato profesionale si për shembull Prof. Mejdanin, por nëse shumica e akademikëve do të kishin lidhje shoqërore, partie, fisnore apo krushqie me Gjinushin do t’i binte që të tërhiqeshin në heshtjen e tyre siç edhe po bëjnë.
E në fund të fundit le t’i mbetet gjuajtja përfundimtare e topit presidentit, i cili është mësuar të hajë e të presë goditje si para ashtu edhe pas shpine. Në fund të fundit ç’do t’i ndodhte vendit me një institucion më tepër në kolaps? Asgjë! ERTV do vazhdojë të transmetojë arritjet e sukseset e mëdha të qeverisë.
©FlasShqip.ca