Kolumnist

Në Shqipëri duhet një ortek ndryshimi - Nga Mishel Koçiu

Asgjë e re nga fronti i perëndimit BILD. Të gjitha diheshin. Thjesht u konfirmuan nga shtypi i lirë. Sepse shtypi ynë ka kohë që merr rrogën poshtë gurit... Publikimet e BILD japin një përgjigje thuajse direkte se pse vendi i shqiponjave po braktiset me shpejtësi prej njerëzve të vet. Sepse Shqipëria u kap nga gangsterët! Dhe viktima e parë është shpresa se ai vend do bëhet.

Mashtrimi ka zbythur edhe varfërinë si të keqen më të madhe. Vendi është zhytur në falsitet. Fushata zgjedhore që nisi si një episod veror i Portokallisë, është mbushur me “kandidatë” për kryetar bashkie që konkurrojnë... me veten. Njerëzit janë mpirë. Të urtët kur pyeten ekraneve s’kanë asnjë prognozë se ku po shkon vendi. E panjohura po mbarset me rreziqe të një shpërthimi të cilit askush s’ia di përmasën.

“I gjati” është i palëkundur. Po ashtu edhe “më pak i gjati” në krahun tjetër!

Më shumë se për çdo retorikë boshe, ai vend ka nevojë për dhembshuri! Për frymëzim! Për idealizëm! Për shpresë! Për një lëvizje të thellë transformuese të elitave politike e për njerëz që jo vetëm shpallin I HAVE A DREAM por i përveshin krahët në shërbim të ëndrrave.

Vetëm kjo lëvizje mbarëkombëtare do mund t’i përfshinte të gjithë në një ortek ndryshimi. Ky do të ishte fillimi i fundit të gangsterëve të neveritshëm, që shkaktojne të vjella nëpër ekranet e blera!