Kolumnist

Kriza institucionale dhe problemi ynë me autoritetin - Nga Çapajev Gjokutaj

Politika ka hyrë në vetëgjyqësi katundi. Njera palë fton përkrahësit të shkojnë në zgjedhje, tjetra i grish për bojkot e protesta.

Kriza institucionale mes Presidencës dhe Kuvendit ka marrë tone dramatiko - komike dhe, po të thellohet me hapa të tjerë, rrezikon ta shndërrojë palcën e shtetit në zonë sizmike për gjithë shoqërinë.

Situata bëhet më dramatike se nuk kemi një autoritet që të hyjë mes palëve dhe ta gjykojë çështjen e të japë drejtësi sipas ligjit, sipas kushtetutës e sipas moralit.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, qoftë edhe momentale, është handikap i rrezikshëm. S’duhej të ishte lejuar nga ata që ideuan dhe po zbatojnë reformën në drejtësi, shqiptarë a të huaj qofshin.

Nuk ua kemi patur për borxh të bënin eksperimente që vështirë se janë bërë në ndonjë shtet normal. Pas gjasash dhe, të paktën për këtë vakum institucional, ligjvenësit dhe ekspertët shqiptarë kanë punuar me parimin «të dalë ku të dalë». Mos qoftë e thënë që të huajt të kenë punuar me parimin «berber në kokë të kacidhjarit».

Le të shpresojmë se ky moment delikat do të kalojë pa pasoja të rënda. Le të besojmë që reforma në drejtësi nuk do të prodhojë vakume dhe handikape të tjera të këtyre përmasave.

Gjithsesi s’do bënim keq që, kur të kemi nge e të mos jemi të zënë me çështje jetike si ajo për Babalen apo tjetra për eshtrat e Mit’hat beut, të diskutonim seriozisht pse jemi të prirur të bëjmë kaq shpesh eksperimente që ligji s’i lejon dhe bota nuk para i njeh.

Vjen kjo nga që kemi shtet të dobët që heraherës përgjumet?

Vjen nga që kemi liderë që anojnë nga bajraktari, shumë-shumë nga feudali dhe s’para mbajnë erë shtetari?

Vjen nga që shumicën e politikanëve i kemi aguridh e pasberihajt?

Apo vjen nga që jemi një shoqëri që s’para kemi dhe s’para njohim autoritete? Autoritete politike e shtetërore jo se jo, por as autoritete morale, që do të qendronin mbi palët dhe do të shënonin një lloj nordi mes shtrëngatës së mosbesimit që na ka pllakosur e s’ka shenja se do të prapset shpejt.

Një shoqëri pa autoritete të njohura e të pranuara gjerësisht i ngjan një ngrehine me tulla, por pa llaç. E prirur të rroposet periodikisht dhe po periodikisht të nisë nga themelet në një qerthull sizifjan.