Kolumnist

Kurajoja për t’u qytetëruar

Nga: Aben Kallamata

Në luftën e Parë Botërore Kanadaja, e rreshtuar me forcat aleate, luftonte ndër të tjera edhe kundër Perandorisë Austro-Hungareze, ku përfshihej një pjesë e Ukrainës së sotme. Nga 1914 deri në 1920 qeveria kanadeze internoi dhe izoloi në 24 kampe pune me mijëra familje ukrainase. Në 25 Nëntor 2005, Senati Kanadez miratoi një ligj që pranonte përgjegjësinë e qeverisë kanadeze për këtë veprim të shëmtuar, duke i hapur rrugën bisedimeve me komunitetin ukrainas për mënyrën e dëmshpërblimit, kryesisht përmes projekteve edukues dhe përkujtues për këtë ngjarje.

Në Luftën e Dytë Botërore qeveria kanadeze kreu një veprim të ngjashëm, kësaj rradhe ndaj qytetarëve me prejardhje japoneze. Pavarësisht se shërbimet informative në vend jepnin garanci se qytetarët kanadezë me prejardhje japoneze nuk përbënin rrezik për vendin, politikanët ndërmorën hapin e turpshëm të shpërnguljes me forcë të mijëra familjeve dhe izolimit të tyre në kampe pune. Në 1988, Kryeministri Brian Mulroney u kërkoi publikisht ndjesë personave dhe familjeve që ishin prekur drejtpërdrejt nga internimet. Qeveria akordoi një paketë simbolike kompensimi prej 300 milion dollarësh.

Në 11 Qershor 2008, Kryeministri Stephen Harper bëri një deklaratë ku u kërkonte ndjesë mijëra nxënësve aborigjinalë që ishin detyruar me forcë të ndiqnin Shkollat Rezidenciale. Shkollat Rezidenciale ishin një sistem asimilimi i hartuar nga Qeveria Kanadeze në bashkëpunim me Kishën e Krishterë për t’i detyruar fëmijët e banorëve aborigjinalë të hiqnin dorë nga identiteti i tyre etnik, kulturor dhe fetar, për t’u konvertuar në të krishterë, për të harruar gjuhën e të parëve. Sipas një programi familjeve aborigjinale iu merreshin fëmijët që në moshën 5 ose 6 vjeç për t’i dërguar të ndiqnin shkollën në konvikte të posaçme. Që në vitin 1880 e deri në 1996 mbi 150 000 fëmijë vuajtën poshtërimin, dhunën fizike, seksuale dhe mendore, proces që solli si rezultat humbje jete, trauma psikologjike dhe rrënim shpirtëror për breza të tërë vendasish. Pasojat e kësaj politike ndihen edhe sot në shumë komunitete të Kombësive të Para, Inuite dhe Meti. 

Qeveritë dhe politikanët gabojnë. Edhe shoqëritë gabojnë. Ata pasqyrojnë mendësinë e kohës me të mirat dhe të metat e veta. Dallimi midis shoqërive dhe kombeve të përparuar nga ato të prapambetur është padyshim dëshira, vullneti për t’i parë dhe pranuar gabimet, për të kërkuar ndjesë, dhe për të  korrigjuar vetveten. Pa një proces të tillë nuk mund të ketë përparim.

Në tetor 2016, ish-Presidenti Bujar Nishani dekoroi 82 viktima të një krimi të pashembullt të kryer nga komunistët shqiptarë, një pushkatim masiv krejtësisht i panevojshëm. Krimi nuk mbaroi aty. Ai vazhdoi me persekutimin e vazhdueshëm të familjeve dhe të afërme të 82 viktimave gjatë gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, njerëz të cilët me anë të një logjike krejtësisht të mbrapshtë që vetëm perversiteti i regjimit komunist mund ta shpikte, u konsideruan armiq – u burgosën, u dërguan në kampe pune e internime, iu mohua e drejta për të studiuar në universitet, iu mohuan vende pune, iu mohuan e drejta për të qënë anëtarë të barabartë të shoqërisë. Viktima të drejtpërdrejta të këtij krimi nuk janë vetëm 82 të pushkatuarit, por edhe me qindra familjarë të tyre.

Shtatëdhjetë e tre vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vazhdon të mbizotërojë e njëjta mendësi. Një pjesë e madhe popullsisë vazhdon të mbetet e ndarë në të nëjtat kampe – komunistët dhe ballistët, komunistët dhe anti-komunistët. Dy partitë kryesore të vendit janë pozicionuar de-jure pak a shumë në të njëjtat pozicione antagoniste – pro komunistëve, pro anti-komunistëve. Vendi s’ka bërë as hapin më të vogël për t’i dhënë fund këtij antagonizmi pa kuptim.

Dekreti nuk kërkonte as identifikimin e vrasësve dhe persekutorëve, as hakmarrje, as shpagim. Kërkonte vetëm njohje institucionale të një krimi të kryer. Sipas të gjitha standarteve bashkëkohore, vrasja masive e njerëzve, ekzekutimi në grup, pa gjyq të rregullt, me urdhër nga lart, përbën krim. Mbas dekretit të Presidentit Nishani (që i përket kampit anti-komunist) vërshuan komentet komuniste, duke bartur të njëjtin mentalitet sikur të ishte 1943, 1973 apo 1983. “Po na dekorojnë ballistët; po na dekorojnë armiqtë dhe tradhëtarët; po dekorohen ata që u lidhën me fashistët, me nazistët.” Në ndihmë, si gjithmonë, erdhi nje grupim i pështirë propagandistësh amatorë partiakë që gëlon në të gjithë mediat dhe që nuk mënguan të sjellin ofshamat e Vito Kapos e rënkimet e kufomave të tjera të komunizmit që s’merret vesh përse vazhdojnë të trembin kalamajtë në mes të ditës.

Dekreti i Nishanit ishte veprimi më minimal që mund të bëhej për ato 82 viktima dhe qindra të tjerëve rreth tyre. Mënyra e reagimit ndaj tij tregoi se institucionet e tjera të shtetit dhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë nuk e përkrahën atë. Turp!

E vetmja rezervë që kam kundër atij dekreti është që atë duhet ta kishte inicuar krahu tjetër politik, ai që është de-facto pro-komunist, megjithëse botës i hiqet sikur i ka prerë lidhjet me komunizmin. Dekretin duhet ta kishte propozuar Edi Rama, duhet ta kishte shkruar Gramoz Ruci, ta kishte financuar Koço Kokëdhima, ta kishin firmosur gjithë kasketat dhe kostumet e dokut që janë ende gjallë por që s’shprehin asnjë pendim, asnjë shenjë turpi për atë që është bërë dhe asnjë shenjë keqardhje për viktimat e shkaktuara. Vetëm nëse do ta kishin nisur ata vetë debatin shqiptarët do të mund të mendonin seriozisht për pajtimin.

Në çdo vend të botës shoqëritë janë të detyruara të merren me plagët e të kaluarës. Ato kanë dy rrugë – ose të kapërcejnë vetveten, t’i pranojnë ato dhe të ripërtërihen për të ecur më tej, ose t’iu shmangen, t’i injorojnë apo, edhe më keq ende, të vazhdojnë t’i majisin. Shumë vende, duke përfshirë edhe Kanadanë, kanë përfituar nga shembulli i Afrikës së Jugut në mënyrën se si ata vepruan në fillim të viteve 1990-të kur hoqën qafe aparteidin. Fatmirësisht jetën politike të Afrikës së Jugut të asaj kohe e dominonin dy politikanë, dy njerëz me të vërtetë të mençur dhe me vizion për të ardhmen, Nelson Mandela dhe F.W. de Klerk – jo rastësisht ndarës të çmimit Nobel për paqe. Këta kërkuan dhe gjetën një precedent të ngjashëm me Afrikën e Jugut – atë që kishte ndodhur në Kili pas rënies së Pinoçetit. Ata i kërkuan takim presidentit të atëhershëm të Kilit dhe biseduan gjatë me të. Rezultati ishte Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit (Truth and Reconciliation Commission).

Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit ishte një institucion pak a shumë gjyqësor i ngritur për të rivendosur drejtësinë në Afrikën e Jugut. Ai organizonte në të katër anët e vendit seanca publike, më së shumti të transmetuara edhe në TV, ku njerëzit dëshmonin për përndjekjet politike që iu ishin bërë në kohën e aparteidit. Në to dëshmonin viktimat, dhe ftoheshin që të flisnin edhe ata që kishin kryer krime me motiv politik. Atyre që flisnin publikisht për krimet e tyre nuk iu kërkohej asgjë tjetër, vetëm të dëshmonin me hollësi ç’kishte ndodhur. Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit kishte të drejtën që atyre që dëshmonin t’iu jepte amnisti.

Nuk bëhej fjalë për fitues të rinj të arenës politike që donin të hakmerreshin ndaj torturuesve të tyre të hershëm. Nuk bëhej fjalë për hakmarrje. Bëhej fjalë për pajtim. Bëhej fjalë për pranim haptazi të një armiku të përbashkët të kombit afrikan – racizmi dhe aparteidi – dhe për demaskim të tij. Bëhej fjalë për gjetjen e rrugës më efikase për ta shpëtuar kombin nga një e keqe e madhe.

Gjatë luftës së Dytë Botërore për shqiptarët armik i përbashkët ishin ata që na pushtuan. Ne gjetëm mënyrën të vrasim më shumë njeri-tjetrin se sa armikun e përbashkët. Pastaj, për pesëdhjetë vjet armiku i përbashkët u bë varjanti enverist i komunizmit. Kjo formë perverse, dështake e diktaturës që e ktheu vendin në një burg gjigand me disa shtresa burgimi, ishte armiku i të gjithëve shqiptarëve, me përjashtim të një grushti të vogël njerëzish të afërm të Enver Hoxhës. Ky armik mbetet ende i pacënuar. Jo vetëm kaq, por ka ende parti politike, duke përfshirë edhe partinë në pushtet, që nuk pranojnë dhe nuk dëshirojnë të dalin dhe të dënojnë komunizmin enverist. Ne kemi ende forca politike dhe shoqërore që mbështesin krimet e përbindshme të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, duke përfshirë edhe pushkatimin e 82 shqiptarëve të pafajshëm dhe persekutimin për pesëdhjetë vjet të familjeve të tyre. Për aq kohë sa kjo pjesë e popullsisë nuk do të gjejë mënyrën të pranojë krimet e kryera, qoftë edhe 72 vjet më parë vendi nuk mund të ketë asnjë mënyrë pajtimi dhe zhvillimi normal. Në këtë rast fajin, topin në dorë, e kanë jo vetëm politikanët, por edhe zgjedhësit e tyre, jo vetëm aktivistë e partisë, por edhe gazetarët, edhe gjithë media që i fryn urrejtjes dhe përçarjes.

Nuk është e nevojshme që Shqipëria të ndjekë hap pas hapi të njëjtin proces që u praktikua në Kili dhe në Afrikën e Jugut. Por diçka duhet bërë, sepse Lufta e Dytë Botërore ka 73 vjet që ka mbaruar, Komunizmi ka 25 vjet që ka rënë dhe ne vazhdojmë, për turp të botës, me të njëjtën mendësi t’i hakërrehemi njeri-tjetrit, pa pasur kurajon për t’u qytetëruar.