Kolumnist

Kacafytje në Olimp - Nga Klodi Stralla

Mitologjia greke është e mbushur përplot me konflikte mes zotave të Olimpit: Demetrës, Artemisës, Apolonit, Herës, Dionisit, Poseidonit dhe të parit mes tyre - Zeusit që, në rrethana të caktuara, mbanin herë anën e njërit dhe herë anën e tjetrit në konfliktet mes qytet-shteteve greke apo qytetarëve të tyre.

Mbase mund t’u duket konspirative por, për mua, konflikti mbarëshqiptar, që ka muaj që lëngon e nuk mer dot zgjidhje, është rrjedhojë e një “lufte” në nivel më të lartë, midis Fuqive të mëdha të kohës, BE-SHBA-Rusi-Turqi, në terrenin e të ashtuquajturit “Ballkani perëndimor”- një zonë gjeopolitike me tektonicitet të lartë, një terren pilot, ku këto Fuqi matin forcat me njëra-tjetrën.

Gjatë historisë, mbase për shkak të pozitës tonë gjeografike, territori ynë është bërë fushë-betejë midis të mëdhenjve, me pasoja shkatrrimtare për vendin, i cili edhe mbas një shekulli pavarësie formale, ende është në pelenat e shtetndërtimit. Kjo ka filluar që nga koha e Skënderbeut dhe vijoi në Kohët moderne me Lidhjet e Prizrenit (1878 dhe 1943), për të kulmuar me qershorin e 1999-ës, kur NATO e shkëputi Kosovën nga Serbia.

Për mua thelbi i problemit ballkanik është “problemi serb”: Nga do t’ia mbajë Serbia? Do të jetë ekonomikisht pjesë integrale e BE-së dhe ushtarakisht territori i saj do t’i përkasë NATO-s (SHBA-ve) apo Serbia do të ruajë neutralitetin titist, duke përfituar euro-dollarë nga Perëndimi dhe mbajtur sytë dhe zemrën nga Lindja? Kush do t’i kontrollojë arteriet rrugore që çojnë nga zemra e Europës drejt Mesdheut, Perëndimi apo Lindja?

Dhe, fatkeqësisht, në këtë rebus gjeopolitik faktori shqiptar, këtej dhe andej kufirit, po përdoret si “monedhë këmbimi” në tavolinat e bisedimeve mes të Mëdhenjve. Pavarësisht se kjo nuk artikulohet hapur, të gjithë e shohin se Shqipëria është në një “luftë civile” të pashpallur, në anarki totale, pa ushtri, pa institucione, e zhytur thellësisht në korrupsion e nepotizëm.

Njëri grupim i “Olimpit”, i përbërë nga burokratë të Departamentit amerikan të shtetit, diplomacisë ruse të Putinit, asaj turke të Erdoganit dhe burokratëve sorosistë të BE-së mbeshtesin në terren autokratët e tyre të preferuar Rama-Thaçi-Vuçiç-Dodiç, që janë për ndryshim kufijsh në Ballkan (natyrisht me marrveshje) dhe nga ana tjetër Europa tradicionale franko-gjermane e Macron-Merkel-it që mbështet grupimin Berisha-Haradinaj-Kurti që e kundërshtojnë ashpër një projekt të tillë, jo se ai kënaq Serbinë por hap “Kutinë e Pandorës” për vetë kufijtë e sotëm shtetërorë europjanë, të vendosura fill mbas LDB.

Cila palë do të fitojë? Kjo do të varet nga qendrimi i Zeusit - Pentagonit dhe ish-KGB-së ruse.