Kolumnist

I zoti e nxjerr gomarin nga balta - Nga Çapajev Gjokutaj

Këto ditë po flitet shumë për rolin e ndërkombëtarëve. Është e vërtetë, qendrimi ultimativ i SHBA-ve për të shmangur trazira më 30 qershor, përbën arsye madhore pse ajo ditë kaloi aq qetë.

E megjithatë, është koha që të kujtojmë proverbin për të zotin dhe gomarin e ngecur në baltë. Zgjidhja e krizës institucionale e politike vjen e duhet të vijë nga brenda.

Është afërsisht si puna me komshiun. Në se në shtëpinë fqinje grinden e rrihen, komshiu me mirësjellje jep ndonjë këshillë. Ndërhyn vetëm kur grindjet e rrahjet bëhen burim shqetësimi e rreziku për të. Ndryshe sipas kokës, festen.

Nuk janë të rralla vendet që për vite me radhë janë bërë kashtë e koqe nën monitorimin e ndërkombëtarëve. Për të mos ikur larg shikoni Bosnje Hercegovinën dhe kujtoni finalen sarkastike të filmit «Toka e askujt».