Kolumnist

Edi Rama, ky humbës i madh - Nga Jeta Dedja

Si doli rezultati i votimeve për qeverisje vendore? - pyeta një miken time gazetare në Shqipëri. "Pasi u lodhën komisionerët duke bërë arithmetikë të thjeshtë dolën fitues ata që konkuruan me rreshtat bosh të fletës"-mu përgjigj ajo pa energjinë që dikur nëpër ditë zgjedhjesh e karakterizonte.

Domethënë nuk kishte zgjedhje, por votime të kushtëzuara për të hedhur votë pro ndaj atyre që pranuan të bëheshin pjesë e farsës. Autokrati Rama zhvilloi votime si dikur Enveri, duke marrë 60+1 bashki për vete. Ai ka gjithçka në dorë, zotëron çdo gjë por sërish nuk është fitues. Rama, ky humbës i madh ka humbur edhe mbështetësit e tij. Fletë të shkarravitura e qëndisura plot zemëratë bënë xhiron e rrjetit duke thënë qartë se votimi ishte një nga pikat e “To Do List” e Ramës kur të raportonte tek Zotët e tij, pasi çdo lideruc ka një zot mbi krye.

Pse duket sikur e mbështet Ambasada Amerikane Edi Ramën? Në fakt kjo është vetëm ajo që duket, por s’do të thotë që është e vërteta, pjesa tjetër e ajsbergut, ajo nën majë është e vërteta. Ne nuk e dimë a është kjo mbështetje për Edi Ramën apo është për ndonjë interes afatshkurtër që pragmatistët amerikanë kanë. Ajo që dihet me siguri është që Amerika përgjithësisht është renditur në krah më të dobëtëve, dhe e dobët në këto momente në vend është qeveria. Se ç’bën Amerika me të dobëtin ajo e vendos në momentin e fundit, deri në të cilin e ka mbajtur pezull në ajër viktimën, pastaj vendos ose ta ulë butësisht ose ta përplasë poshtë.

Por siç duken bathët, për shkak se të paktën 80% e shqiptarëve treguan se nuk e duan qeverisjen aktuale të neodiktaturës së instaluar prej autokratit Edi Rama, këtij i ka ardhur fundi.  

Kështu që, se më 13 tetor se në ndonjë datë tjetër ka gjasa të ketë zgjedhje të reja. Por a do të bëhen zgjedhjet e ardhshme me Ramën Kryeministër? A do të largohet Edi Rama nga skena politike?-pyet shumëkush i dëshpëruar nëpër komente rrjetesh sociale.

Nëse i përgjigjemi këtyre pyetjeve me jo ose po, edhe pse mund të duken sikur lehtësojnë shpirtin e shqiptarit të lodhur e të pashpresë, nuk do t’i japin zgjidhje magjike krizës politike duke shpëtuar njëherë e mirë popullin nga e keqja më e madhe që i ka pllakosur. Largimi i Ramës do të ishte vetëm një hallkë më pak e së keqes. Lipset që ky largim i dëshiruar të pasohet me ndryshime të thella në mentalitetin dhe organizimin e sistemit politik shqiptar. Në fakt, kur kaloj ndër mend disa sjellje të Kryeministrit të vendit, të cilat gjithmonë kanë arritur të tërheqin vëmendjen për keq të shumicës prej nesh, them se Edi Rama kërkon të largohet, por është në kërkim të mënyrës së përshtatshme për t’u larguar pa efekte anësore për atë vetë. (Natyrisht që ai mendon për veten).

Që me lëvizjen e Mbrojtjes së Teatrit Kombëtar Edi Rama kuptoi se kishte ardhur fundi i tij. Por si ta shiste këtë rezultat në mënyrën më të mirë të mundshme për të mos lënduar egon e djalit të përkëdhelur nga fati apo nga dikush që i kishte varur në qafë besimin e çirakut të zellshëm ? Një plan degradimi duhej ndërtuar dhe në të do të bënin pjesë shumë aktorë e figurantë, e sigurisht regjia do instalohej në ndonjë bunker, aspak të pangjashëm me çka diktatura kish mbjellë vite më parë anembanë. Kështu pra Edi Rama, nisi si dikur kur ngriti figurën e tij, fushatën e handikapimit duke bërë ç’është e mundur të shkatërronte gjithçka prekte me dorë, në mënyrë që dështimi i tij (si dikur suksesi i tij ) si politikan dhe figurë publike të lexohej e perceptohej haptazi më në fund nën efektin e çdo lloj fuqie ndriçimi. Edi Rama nuk ka veshur rastësisht poture e atlete nëpër samite apo evente. Atij nuk i bëhet vonë të shfaqet as si një palaço, as si një humbës i madh, e as si një dështak me famë në mënyrë që eprorët e tij ta zhvendosin vëmendjen diku tjetër. Atij i ka interesuar të shoqëroje emrin me skandalin pasi vetëm kështu (siç dikur korrte suksese) do bajatosej në sytë e eprorëve aristokratë, njëlloj si palaçoja që pasi dëfrente mbretin për pak, dëbohej nga salla. A është kjo inteligjencë e tij, sigurisht që është. Edi Rama është diabolikisht inteligjent, njëlloj si disa njerëz që vuajnë nga çrregullime psikike.  Ai përdor si për suksesin ashtu edhe për dështimin të njëjtin model-Shkatërrimin.

 

Por sot, ndryshe nga ca vite më parë, ai është i lodhur dhe velur nga pushteti, paraja, favoret dhe politika si dhe nga njerëzit që kontribuan në skalitjen e tij si një përdorues jo vetëm të substancave që thuhet se i ka në menunë e ditës, por edhe të Shqipërisë të cilës ia nxiu faqen brenda e jashtë saj. Ai ka nisur të përgatitë daljen prej politikës, por a mundet ai të dalë lehtësisht prej rrjetës së merimangës të organizuar? Unë nuk jam e sigurt por hamendësoj që jo, është e vështirë. Një herë të gëlltisësh një lugë çorbë të prishur dhe do ta vjellësh gjithë jetën është parimi i atyre që blejnë lirinë e njeriut. Kështu dhe Edi Rama e ka ditur dhe e di këtë. Prandaj atij i duhet të sajojë terrenin për sabotime të ndryshme të shanseve për suksese për ta kaluar partinë në duart e dikujt tjetër që njëlloj si ai të ketë shitur shpirtin për të kënaqur të Zotin. Soje të tilla ka plot rreth vetes kryeministri ynë. Është vetëm çështje negociimi me pyetjet Sa, Si, Kush, Kur ?

Njëlloj si paraardhësi i tij, Fatos Nano, i cili e dorëzoi partinë tek i zgjedhuri i dikujt që lëviz fijet e marionetave, kështu do të bëjë edhe Edi Rama sapo Zoti i tij t’i japë urdhrin. A është ky Zot Sorosi apo ndonjë lloj si ai, unë nuk di të them me siguri, por hamendësoj që dikush apo disa tipa a shtete kanë pushtet mbi veglat që caktojnë si lidera në shtetet e vogla.

Krizat ekstreme, të shkaktuara qëllimisht në vendet e vogla trazuar prej duarsh djallëzore, janë preludet e rotacioneve. Ndërkombëtarët, të cilëve u digjet xhani për mirëqënien e Shqipërisë do mobilizohen të mbështesin një lider tjetër për të nxjerrë vendin nga kriza, nuk ka rëndësi nëse është xhaketë e kthyer mbrapsht apo ndonjë spitullaq ambicioz. Rëndësi ka që ndërkombëtarët të gjejnë të bindurin e rradhës për të hedhur vallen sipas ritmit që ata duan.  

Ndërsa për ne, çështja është edhe sa do të presim që ekscentriku Rama të largohet veshur me poturet e tij të famshme? Kush do të vijë pas tij? A do ndryshojë sistemi politik në Shqipëri? A nevojiten Avni Rustema apo Mic Sokola? A duhet t’ua lëmë të huajve t’u japin përgjigje dhe zgjidhje çështjeve tona? A do të ngjallet shpresa për shqiptarët?

 

©FlasShqip.ca