Kolumnist

Profili i ri serb dhe dy fjalë për shtetarët e mjerë filofrancezë të Tiranës - Nga Shaban Murati

Vizita e Presidentit të Francës, Emanuel Makron, në Beograd në 15-16 korrik përuroi një hyrje ambicioze të Francës në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Dy muaj pas shpalljes zyrtare të “Strategjisë së Francës për Ballkanin Perëndimor” Presidenti francez ndërmori nisjen e ofensivës së re diplomatike të Francës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mjafton të lexosh strategjinë e re zyrtare franceze për BallkaninPerëndimor për të kuptuar se Presidenti francez nuk shkoi në Serbi as për integrimin europian të Serbisë dhe as për marrëveshjen e shumëpërfolur midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti francez shkoi për t’i dhënë Serbisë një rol të ri në ofensivën diplomatike franceze dhe në politikën franceze në Ballkanin Perëndimor.

Radio “Europa e Lirë” citonte në 12 korrik Ambasadorin francez në Beograd, Frederik Mondoloni, se “vizita e Presidenti Makron në Serbi është shenjë e interesimit të Parisit për Serbinë si partner i parë në rajon”.

Vizita e parë e Presidentit francez Makron në një shtet të Ballkanit Perëndimor sanksionon rolin e ri që Parisi i akordon vetëm Serbisë për realizimin e strategjisë franceze në Ballkanin Perëndimor. Madje në Beograd Presidenti francez e cilësoi Serbinë “një shtet i madh europian”.

Franca ka përcaktuar Serbinë si violina e parë e saj në rajon. Kjo po merr formë konkrete me hapjen e Zyrës Rajonale të Francës në Beograd. Krahas kësaj Franca do të hapë në Beograd byronë rajonale të “Euronews-it”.

Pyetja më e thjeshtë është se çfarë do të thotë një Zyrë Rajonale franceze për Ballkanin Perëndimor, që funksionon nga Beogradi. Do të thotë që për diplomacinë franceze Serbia do të shërbejë si plasdarm i përhapjes dhe i rritjes së ndikimit francez në këtë rajon.

Në fakt, pas një inaktiviteti të gjatë disa vjeçar në rajon, Franca po rimerr rolin që ajo hartoi që në vitin 2000 për vendet e Procesit të Stabilizim-Asocimit me BE, të cilat ajo i pagëzoi me emrin “Ballkan Perëndimor”, në vjeshtën e vitit 2000 në Zagreb në samitin e parë BE-Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Parisi.

Gjatë vizitës së Makronit në Beograd u nënshkruan 22 marrëveshje, por ajo që tërheq vëmendjen, është marrëveshja për të furnizuar Serbinë me armë të sofistikuara franceze. Presidenti serb Vuçiç njoftoi në 15 korrik se në bazë të marrëveshjes Franca do t’i japë Serbisë 32 sisteme të mbrojtjes antiajrore “Mistral” dhe 50 raketa “Mistral”.

Nuk mund të mos krijosh habi për interesin e Francës që të forcojë ushtarakisht të vetmin shtet ballkanik me qendrim jomiqësor ndaj NATO-s. Nuk është i qartë interesi i Francës që të furnizojë me armë të sofistikuara një shtet ballkanik të lidhur ushtarakisht kokë e këmbë me Rusinë. Nuk është i qartë interesi i Francës të furnizojë me armë të sofistikuara një shtet që ka shpallur “neutralitetin ushtarak” si kundërvënie ndaj NATO-s.

Nuk është e nevojshme të jesh ushtarak për të kuptuar se gara e ethshme e armatimit, ku është futur Serbia, drejtohet kundër shteteve anëtare të NATO-s, që janë rreth e rrotull Serbisë, dhe në rradhë të parë kundër Kroacisë dhe Shqipërisë, sepse në doktrinën zyrtare serbe të mbrojtjes kombëtare Kroacia dhe Shqipëria kualifikohen si armiq potencialë të Serbisë.

Roli i shtetit lider rajonal apo i partnerit të parë në rajon, që Franca po i jep Serbisë, ka me vete dy implikime.

Së pari, del e nevojshme që të qartësohen arsyet përse Franca nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, ndër të cilët dy janë shtete shqiptare, i jep rolin e shtetit drejtues pikërisht Serbisë. Është e kuptueshme se kjo nuk vjen vetëm për nostalgji historike të kohës kur Franca ishte ndër fuqitë kryesore të krijimit të Federatës artificiale Jugosllave të drejtuar nga Serbia.

Emërimi aktual vjen për arsye aktuale, ku diplomacia franceze mendon se nëpërmjet Serbisë do të arrijë shtrirjen e ndikimit më të fortë të saj në Ballkanin Perëndimor.

Sipas mendimit tim, është një llogari emotive, dhe e gabuar nga pikëpamja strategjike dhe gjeopolitike. Serbia nuk pranohet dhe nuk mund të pranohet si shtet drejtues i rajonit jo vetëm nga dy shtetet shqiptare, por as edhe nga tre shtetet e tjera ish-Jugosllave, që bëjnë pjesë në këtë mikrorajon.

Ka një logjikë të thjeshtë gjeopolitike, që nuk duhet neglizhuar. Serbia nuk qe në gjendje që të mbante me dhunë të bashkuar Federatën komuniste Jugosllave, të cilën e drejtonte dhe e kontrollonte, pra është e pamundur që ajo të jetë në gjendje të kontrollojë Ballkanin Perëndimor, ku asnjë shtet nuk pajtohet me statusin e veçantë që kërkon t’i japë Serbisë, Parisi.

Duket se një nga pikat që Parisi mendon se mund të sigurojë një pozitë të fortë është ajo e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare. Makron njoftoi në Beograd se si pjesë e ndërmjetësimit europian Franca është gati bashkë me Gjermaninë që të mbështesë ringjalljen e dialogut.

Për herë të parë Presidenti francez lëshoi mesazhin e fortë diplomatik se dialogu Serbi-Kosovë është çeshtje europiane dhe madje e rriti tonalitetin me deklaratën se “këto konflikte nuk mund t’i zgjidhë asnjë nga fuqitë që nuk janë europianë dhe angazhimi ynë është shenjë e sovranitetit europian”.

Presidenti u hapi punë diplomatëve për të analizuar nëse e kishte më shumë me SHBA apo me Rusinë. Natyrisht problemet e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës janë midis dy shteteve europiane. Por përvoja e hidhur e dobësisë europiane gjatë luftës në Bosnje dhe gjatë luftës në Kosovë nuk jep motiv për optimizëm europian në zgjidhjen e konflikteve në Europë.

Së dyti, nuk kuptohet mirë përse diplomacia franceze ka zgjedhur t’i japë Serbisë rolin e instrumentit të parë të strategjisë franceze në Ballkanin Perëndimor, kur këtë rol i kanë dhënë Serbisë shtete të tjerë përpara Francës.

Kemi Rusinë, e cila me të vetmin shtet ballkanik që ka nënshkruar Traktatin e Partneritetit Strategjik është Serbia, dhe realisht është shteti me ndikimin më të madh në Serbi. Kemi Kinën, e cila me të vetmin shtet ballkanik që ka nënshkruar Traktatin e Partneritetit Strategjik është Serbia, dhe tani me programin “16+1” është e pranishme në Serbi me megaprojekte miliarda dollarëshe, të cilat Fanca nuk i zëvendëson dot.

Kështu që Francës do t’i duhet të konkurojë me Rusinë dhe me Kinën për të fituar rol dhe ndikim në Serbi. Është një rrethanë gjeopolitike, që e bën më të vështirë realizimin e strategjisë franceze në Ballkanin Perëndimor dhe që e parashikon të humbur bastin ballkanik të Parisit të vënë te Serbia.

Profili i ri francez i Serbisë duhet të shkundë nga letargjia shtresën filofranceze të klasës politike shqiptare. Lobi filofrancez, që ka dominuar dhe drejtuar skenën politike shqiptare gjate 30 viteve të postkomunizmit, nuk ka qenë në gjendje që me ndihmën franceze t’i japë një profil të fortë ballkanik Shqipërisë.

Nuk po përmendim se Franca është bllokuesja kryesore e hapjes së bisedimeve të pranimit me Shqipërinë nga BE dhe bllokuesja kryesore e liberalizimit të vizave të BE me Kosovën. A e dini se që nga viti 1945, kur Franca ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë e deri në ditët e sotme nuk ka një President francez, nuk ka një Kryeministër francez dhe madje nuk ka një ministër të Jashtëm francez që të ketë vizituar Shqipërinë në një vizitë zyrtare?

Nuk duhet harruar se në Francë regjimi i kaluar dërgoi dy grupet kryesore të politikanëve të ardhshëm nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Fakulteti i Shkencave, të cilët jo rastësisht morën frenat e drejtimit të Shqipërisë në gjithë periudhën e tranzicionit demokratik në krye të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.

Nga dy grupe te mësipërme filofranceze u bënë presidentë, kryeministra, ministra të rëndësishëm në të dy llojet e qeverive dhe të partive.

Fatkeqësia kombëtare ishte se dy grupet e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Shkencave, të përgatitur në Francë për të dominuar skenën politike shqiptare postkomuniste, nuk zbatuan në Shqipëri as demokracinë franceze, as kulturën politike franceze dhe as shkollën franceze të drejtimit të shtetit ligjor.

Ndaj nuk duhet ngatërruar nderimi që shqiptarët kanë për kulturën franceze, për shkrimtarët, poetët, piktorët, dhe filozofët francezë, me filofrancizmin kallp dhe rural të udhëheqësve politikë shqiptarë gjatë 30 viteve të tranzicionit.

Është vërtet një pyetje një milion dollarëshe se si grupet politike filofranceze në Shqipëri nuk patën asnjë ndikim real në politikën franceze në Ballkan në dobi të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Mendimi im modest është se ndërsa filofrancezët e Beogradit ditën të sillen si partnerë me drejtuesit e Francës, filofrancezët e Tiranës u sollën si raja. Ndaj dhe Franca nuk e përfilli kurrë Shqipërinë dhe zgjedh edhe në ditët tona Serbinë si partner kryesor dhe si aleatin kryesor të Francës në Ballkanin Perëndimor.

Burimi: DITA