Kolumnist

Kurthi i mjaltit në rrugën E 71​ - Nga Eric Margolis

Nju Jork - Kam patur shumë përvoja të çuditshme gjatë dekadave të mbulimit të çështjeve të inteligjencës. Duke filluar me KGB HQ në Moskë, Inteligjencën kineze në Pekin, Inteligjencën amerikanë në Virxhinia, atë libaneze në Tripoli, atë të Afrikës së Jugut e madje edhe me Shërbimet Inteligjente shqiptare në Tiranë.

Por asnjë nga këto nuk ka qenë më e veçantë sesa dita kur u ftova të drekoj në Nju Jork me tashmë famëkeqin Jeffrey Epstein. Djali i artë i shoqërisë së Manhatanit dhe Palm Beach-it tani ndodhet në një qeli i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me vajza të mitura. Ai e ka bërë hapur këtë që në fillim të viteve 1990 por deri kohët e fundit ka qenë i paprekshëm.

Menjëherë pasi kapërceva pragun e hyrjes së shtëpisë së Epstein në Rrugën E 71, që thuhet se ishte shtëpia më e madhe private e qytetit, një shërbyes më pyeti: "A do të donit një masazh intim, zotëri, nga një vajzë shumë e re?" Kjo ofertë mu duk kaq jashtë kontekstit dhe kaq e çuditshme saqë e refuzova në çast.

Më rëndësi sesa sjellja e patakt, si një vëzhgues i vjetër i çështjeve inteligjente, për mua kjo ofertë kutërbonte erën e një kurthi mjalti, një taktikë e vjetër qëkur Babilonia ishte e re, për të kapur e shantazhuar njerëzit. Një dhomë diskrete me shtrat masazhi, lubrifikantë dhe pa dyshim me kamera të gatshme për rregjistrim të vendosura në hollin qëndror.

Kisha ardhur me gazetaren që kryesonte grupin kanadaz, e cila kishte afërsi në atë kohë me të dashurën e Epstein, Ghislaine Maxwell e cila siç thuhej ishte tutore prostitutash, gjë të cilën Maxwell e mohon.

Çuditërisht, Maxwell besonte se unë mund t’i kërkoja qendrës së KGB në Moskë të më jepte fotot e kryera me satelit që tregonin vrasjen e babait të saj në jaht, baronit të shtypit Robert Maxwell, i cili ishte një agjent i dyfishtë i mirënjohur për Izraelin dhe KGB, dhe një kriminel i madh.

I pranishëm ishte gjithashtu i vetë promovuari avokat Alan Dershowitz, i cili kishte shpëtuar vrasësin e akuzuar Claus von Bulow, si dhe një titan të industrisë së pasurive të paluajtshme në Nju Jork (jo Trump) dhe shumë VIP-a të elitës hebraike të qytetit. Të gjithë këndonin lavdërimet e Izraelit.

Epstein thuhej se kishte lidhje me Donald Trump, Bill Clinton, Princin Andrew të Britanisë dhe vazhdimisht fluturonte me ta në avionin e tij privat, përndryshe i njohur si “Lolita Express”. Të gjithë mysafirët mohojnë çdo aktivitet seksual. Unë e refuzova darkën me princin Andrew.

Rezidencat e Epstein në Manhatan dhe Palm Beach, të dyja të vizituara prej meje, ishin të pajisura me “masazhatore” të reja në moshë. Të gjithë ishin vajza të klasës punëtore që bënin shumë para në kohën e tyre të lirë. Unë nuk pashë ndonjë ndërveprim midis këtyre vajzave dhe mysafirëve.

Epstein dhe Maxwell filluan të hapeshin si vaji në lakra. Ata kapardiseshin me aventurat e tyre seksuale duke qeshur me shoqërinë e Nju Jorkut. Çdokush pyeste veten për burimin e të ardhurave të Epstein por askush nuk e dinte origjinën e tyre. Ai deklaronte se ishte menaxheri ekskluziv i të ardhurave të një grupi sekret milionerësh. Por i vetmi i identifikuar i tillë ishte Leslie Wexner, pronari i L Brands and Victoria’s Secret. Wexner mohoi të kishte dijeni mbi krimet për të cilat akuzohej Epstein.

Krahas kënaqësive seksuale, Epstein dhe Maxwell ishin të dhënë pas shumë gjërave të tjera. FBI gjeti diamante, para të thata dhe një pasaportë falso kur bastisi rezidencën dhe kontrolloi dokumentet e tij që tregonin vlerën neto në 559,120,954.00 dollarë. Nëpunësit e taksave të IRS do të jenë të etur për të shqyrtuar burimet e këtyre të ardhurave.

Duket se ka të ngjarë që influenca politike dërgoi Prokurorin Alexander Acosta (i dorëhequr një javë më parë) të bënte një marrëveshje të ëmbël me Epstein, i cili u dënua nga Florida për ngacmim të të miturve.

Epstein u kënaq, 13 muaj dënim me burgim i mundësuan atij të punonte më shumë nga kjo zyrë.

A ishin të përfshirë Trump ose Clinton? Sa “festuan” ata me Epstein dhe a u argëtuan në tregun e mishit të njomë? Pati zëra për ca lloj këndvështrimesh “inteligjence” në aferën Epstein të cilat ia kursyen atij dënimin e rëndë. Një ish-zyrtar i respektuar i CIA-s, Phil Giraldi ka deklaruar hapur dhe akuzuar Epstein si agjent të Izraelit. «Epstein ia hodhi vetëm me një shuplakë në akuzën e tij të parë për abuzim me fëmijët, shprehet Giraldi, për shkak të lidhjeve të tij të fuqishme me Izraelin».

Sipas Giraldit dhe këtij shkrimtari (autori e ka fjalën për veten) operacioni i “masazhit” Epstein ishte një operacion klasik i shërbimeve inteligjente i projektuar për të shantazhuar njerëz influentë me kërkesë të Izraelit. Clinton thuhet se kishte rënë tashmë në këtë kurth vite më parë, ndërsa ishte ende president.

Tani shikoni këtë stivë të qelbur korrupsioni mbuluar nxitimthi. Flet për kullimin e moçalit.

Copyright Eric S. Margolis 2019

E drejta e publikimit dhe përkthimit për FlasShqip.ca