Kolumnist

Para Serbisë, thëngjilli - Nga Veton Surroi

Qeveria e re që në fillim do të merret me vendime të Qeverisë së mëparshme

1.

Cili do të jetë vendimi kyç që do të marrë Qeveria e re në ditët e para të pushtetit?

Diçka rreth dialogut me Serbinë? Diçka rreth Mitrovicës, Kullës a Çakorrit? Diçka rreth njohjeve apo mosnjohjeve ndërkombëtare?

Jo. Vendimi kyç që e pret Qeverinë e ardhshme në muajin e parë të pushtetit (nuk do ta ketë luksin e njëqind ditëve të para) është ai për shkëputjen e kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Arsyeja është e thjeshtë: një qeveri minimalisht e përgjegjshme nuk mund të presë që një Parlament minimalisht i përgjegjshëm të japë dy të tretat e votave të deputetëve në mënyrë që Republika e Kosovës të garantojë kredinë ndërkombëtare për një kompani private (cilado të jetë). Pastaj, edhe po të mos ishte në pyetje garantimi i kredisë (që është në njëfarë mënyre dorëzimi i një pjese të sovranitetit të vendit tjetërkujt, në këtë rast një kompanie private) kontrata e nënshkruar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” garanton që investitori (të cilit Kosova ia ka garantuar kredinë) të nxjerrë investimet dhe profitin e vet me një çmim blerjeje të energjisë elektrike të përcaktuar jashtë kornizave të tregut, pra me një çmim që ka pragun e ulët të parapërcaktuar. Kjo do të thotë se xhepi i qytetarëve të Kosovës, gjatë njëzet vjetëve të ardhshëm, duhet të paguajë investimet dhe profitin e kompanisë që do të prodhojë energji elektrike nga qymyri i Kosovës. Këtë pagesë do ta bëjë me faturën e energjisë elektrike, e cila do të rritet sa për të përmbushur nevojat njëzetvjeçare të investitorit.

Andaj, Qeveria e ardhshme do ta shkëpusë këtë kontratë, duke paguar 19 milionë euro dëme të parapara me kontratë.

2.

Partitë që garojnë për votën e qytetarit tash duhet të shpjegojnë si do t’ia bëjnë më tutje. Kontrata do të shkëputet, por kjo s’do të thotë që është zgjidhur problemi me energjinë. Për më tepër, fakti që nuk është zgjidhur njëzet vjet do të thotë se ka munguar diçka që quhet politikë energjetike. Rrjedhimisht, atë që duhet të shpjegojnë partitë politike është se çfarë është politika e tyre energjetike, dhe kjo është një gjë shumë e ndërlikuar, madje aq e ndërlikuar sa në qeveritë evropiane, në SHBA, Rusi, Kinë dhe çdo shtet që e merr veten seriozisht, politika energjetike tashmë konsiderohet si pjesë e politikës së sigurisë bashkë me atë të jashtmen. Në Kosovë, si dhe në shumë shtete të tjera merr karakterin edhe të urgjencës ambientale. Ja si duket pjesë e një skice të problemeve:

Kosova ka mundur të ndërtojë termocentrale me përkrahje të Bankës Botërore (dhe investitorëve të ngjashëm) para pesëmbëdhjetë vjetësh, por nuk mundet sot. Do ta ketë edhe më të pamundur me rritjen e ndëshkimit ndërkombëtar për ndotjen me termocentrale. Paratë që ka mundur t’i investojë në energji (dy miliardë euro), dhe ta zgjidhë problemin energjetik për këtë shekull (e ta zbusë dukshëm atë të ambientit), Kosova i ka shpenzuar në autostrada.

Edhe po të mos ndërtohet asnjë kapacitet energjetik, Kosova pëson ndotje nga termocentralet ekzistuese dhe nga mihja sipërfaqësore e thëngjillit, si dhe deponimi i hirit (çfarëdo ere që fryn i shpërndan këto nëpër vendbanimet kryesisht të fushës së Kosovës). Çfarëdo termocentrali i ri, edhe i gjeneratës më të sofistikuar për kufizimin e emetimit të CO2 nuk e zgjidh problemin e tanishëm të mihjeve dhe hirit.

Vendi nuk mund të mbështetet vetëm te burimet e veta natyrore energjetike (thëngjillin) e as ta konsiderojë energjinë të gjenerueshme vetëm në territor të vetin. Kosova ka nevojë për energji nga resurset e ripërtëritura (dielli, era, uji) dhe duhet të investojë strategjikisht për të krijuar diversitet burimesh. Për shkak të varfërisë së resurseve (për shembull ujit), investimet duhet të bëhen në shtetet e regjionit që ofrojnë mundësi dhe siguri për investimin.

Partitë që presin të marrin Qeverinë duhet që tani të kenë përgjigjen për politikën e tyre energjetike e brenda saj një elaborim të saktë që duhet të shpjegojë se si mishi të piqet e helli të mos digjet. Gjegjësisht: si të prodhojë vendi energji me thëngjill dhe burime të ripërtëritura e njëkohësisht të zvogëlojë ndotjen e ambientit dhe të gjitha këto t’i mbërrijë në mungesë të mjeteve vetjake e me mungesë besueshmërie të investitorëve të huaj?

3.

Në momentin kur të vendosë për shkëputjen e kontratës me “Contour Global”, Qeveria e ardhshme do të kuptojë se ka prekur disa sfida me të cilat do të përballet që në fillim.

Së pari, se si Qeveri e re ka trashëguar vendimet e Qeverisë (apo qeverive të mëparshme) dhe nuk ka mënyrë se si të ikën nga ato. Prej marrëveshjeve të Brukselit deri te penalizimi për autostradën “Arbën Xhaferi”, Qeveria e ardhshme do të duhet t’i pranojë dhe t’i menaxhojë të gjitha pasojat, pa marrë parasysh se këto vendime i kanë marrë qeveritë e mëparshme.

Së dyti, se siç pamë me rastin e politikës energjetike, fakti që parandalohet zbatimi i një kontrate të dëmshme si “Global Contour” do të thotë se është kufizuar ai problem, por nuk i është dhënë zgjidhje problemit më të madh, ai i mungesës së gjenerimit të energjisë elektrike dhe i ndotjes nga kapacitetet e tanishme gjeneruese.

Dhe, së treti, nuk do të ketë të ndalur së paguari nga arka e shtetit për dëmet nga kontratat e dëmshme të nënshkruara qoftë në emër të Kosovës, qoftë në emër të ndërmarrjeve të saj publike. Natyra e kontratave ka qenë e atillë, që një ditë paraja publike të kalojë në duar private në emër të dëmshpërblimeve të ndryshme (apo shërbimeve inekzistente) e natyra e shpenzimit të buxhetit qeveritar ka qenë e tillë, si të ishin paret e hasmit, pra me kurrfarë përgjegjësie publike.

4.

Ky është tranzicion, pra kalim prej një modeli qeverisjeje në tjetrin.

Në retorikën e të gjitha partive është përdorur dhe tanimë do të hyjë në stërpërdorim fjala “ndryshim”, por për të kuptuar saktësisht se çka nënkuptohet me këtë, kuti i vetëm matës mund të jetë se si të kalohet prej modelit të deritanishëm të qeverisjes (në të cilin buxheti është si i “hasmit”) në modelin e ri të qeverisjes, në të cilin paraja publike investohet aty prej nga buron.

Dhe, për ne qytetarët, pika e ardhshme që përcakton votën duhet të jetë “tranzicioni”: si mendojnë partitë të kalojnë prej një modeli të qeverisjes në tjetrin dhe çka përmban ai tjetri?

Burimi: koha.net