Kolumnist

Qejfprishurit e LDK - Nga Enver Robelli

Unë ju kuptoj që jeni të zemëruar që shumë njerëz të diasporës po e favorizojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe po mendojnë të votojnë për të më 6 tetor. Jeni të zemëruar që edhe politikane e politikanë të rinj me origjinë shqiptare në Zvicër po e mbështesin VV-në, sepse janë të bindur se është më e besueshme si me program, si me qëndrime publike dhe interesim e kujdes për diasporën.

Dikur, ju tani qejfprishur të LDK-së, keni pasur degë e nëndegë në Zvicër e Gjermani, keni pasur aktivistë të përkushtuar, rregullisht keni dërguar anëtarë të kryesisë për të takuar diasporën. Tash në viset gjermane e zvicerane nuk keni gati asgjë. Kultura e javashllëkut, e përtacisë, e injorancës, e mungesës së programeve dhe kujdesit për degë, nëndegë dhe në përgjithësi për diasporën ka ndikuar që edhe mërgata të humbë interesimin për LDK-në.

Isha të shtunën për arsye profesionale të përcjell debatin mes Albin Kurtit dhe politikanit zviceran Cédric Wermuth dhe aty pashë mjaft njerëz që ose kanë qenë me LDK-në, ose do të mund të ishin mbështetës të LDK-së. Por LDK i ka lënë anash. Kur keni mbajtur një tubim me shqiptarë në Zürich, Stuttgart, München apo Hamburg, ju të dashur qejfprishur të LDK-së nga treva e Kosovës? Ju shpesh edhe zemërimin e keni vetëm maskë për hipokrizi. Në vend të punës keni zgjedhur vajtimin!