Kolumnist

Shiu i akullt - Histori me motin e çuditshëm kanadez

Nga: Taulant Dedja

Hyri prilli shkriu bora, thuhet në një nga këngët më të bukura polifonike labe ...

Këtu në Kanada normalisht e njëjta gjë ndodh kur hyn pranvera. Por moti na rezervon jo rrallë edhe surpriza të pakëndshme e të pazakonta. Kështu ndodhi edhe këtë fund javë. Shiu i akullt u derdh me tonelata mbi metropolin kanadez dhe jo vetëm.

Në këto dy ditë dimri pranveror përjetuam gati të njëjtat skena si pak më shumë se katër vite më pare. Për fat në përmasa shumë më të vogla. Teksa lëvizja me makinë dje dhe sot mu kujtua “apokalipsi” i dhjetorit 2013. Mu kujtua dhe “një ëndërr e keqe nate dimri” që e pata hedhur në letër. Po e rrëfej sërish.

Fundvit. Prag Krishtlindje. Sapo ka hyrë dimri. I ftohti i pazakontë dhe mëma natyrë me sa duket shkarkon tërë dufin e saj. Tonelata shiu të akullt janë derdhur mbi Toronton pa drita, pa energji. Qyteti gdhihet i ngrirë. Pamje paradoksale. Panoramë sa e bukur aq edhe e trishtueshme.

Mijëra degë pemësh të rëna pa pyetur se ku duke marrë me vete qindra kabllo elektrikë dhe bllokuar pjesë të tëra rrugësh. Mijëra shtëpi pa energji elektrike e për rrjedhojë pa ujë e pa ngrohje.  Duket gati gati e pabesueshme që ne shqiptarët të përjetonim në këto përmasa atmosferën e dimrave të tranzicionit pa drita që dikur patëm provuar në vendlindje. Po ja që e provuam. Gjithshka e ngjashme me një film fiction. Skenar apokalipsi, në zemër të tokës së premtuar.

Qyteti gjigand krejt i paralizuar. Transporti urban si monstër e balsamosur parahistorike në muzetë e heshtur.  Rrugët shndërruar në lumenj automjetesh që rrjedhin herë normalisht e më shpesh me ngadalësi therëse deri në padurim. Në ndonjë kryqëzim të zë syri dikë i cili ka lënë në një cep veturën e tij dhe provon të ndihmojë në rregullimin disi të lëvizjes, rol që askush s`ia ka kërkuar ta luajë. Thjesht ka ndjerë se duhet ta bëjë.

Ata që kalojnë e përshëndesin me dorë në shenjë mirënjohjeje. Të tjerë rendin në dyqane për të blerë ndiçues a qirinj. I shtyn natyrshëm instikti i mbijetesës. Askush nuk mund ta dijë sa mund të zgjasë kjo gjendje. Në disa dyqane madje nuk gjen më ndriçues në stok. Tragjikomike bëhet dhe mungesa e kripës… Marketet ushqimore, krejt në terr dhe punonjës të ç'orientuar që mundohen t`u tregojnë nga brenda klientëve të befasuar që presin jashtë, se nuk mund t’i ndihmojnë.

Nata e shndërron qytetin në një masiv krejt të zymtë, herë-herë të frikshëm nga terri që ka mbuluar pjesë të tëra të tij. Panik.  Njerëzit nuk reshtin së telefonuari njëri-tjetrin. Mijëra e mijëra tekste që këmbehen. Mijëra pyetje «a keni drita?» Mijëra ftesa për të strehuar shokë, miq a të afërm, të cilëve shtëpitë u janë shndërruar gati në frigorifer. Janë momente kur një aparat i vogël kthehet në sendin më të çmuar. I çmuar sepse siguron atë që kemi më të domosdoshme, komunikimin. Vallë mos duhen ngjarje të tilla për ta kuptuar se sa vlerë ka marrëdhenia njerëzore në një shoqëri ku përditshmëria na bën nganjëherë të harrojmë dhe vetveten?

Për shumë nga ne, ditët e shiut të akullt në këtë fundvit ishin një eksperiencë e pajetuar më parë në kushtet e temperaturave të ulëta deri në ekstrem. Ato thjesht na kujtuan ca vite të mbrapshta të jetuara dikur, kur ikja dhe ardhja e energjisë elektrike në dimër i ngjante lojës së maces me miun e kur çfarë nuk sajonim për ndriçim e ngrohje. Përjetuam kësisoj një ngjarje të rrallë e cila dëshmoi edhe njëherë se mbetemi gjithmonë të papërgatitur sa duhet për të përballuar tekat e natyrës. Ajo gjithashtu dëshmoi, për fat të mirë, se zotërojmë ende aftësinë për të mbijetuar e për t`iu rikthyer solidaritetit shpesh të munguar apo të harruar për shkak të konfortit që të mundëson një vend si Kanadaja dhe jo vetëm.

Por, për fat të keq, në ato ditë fund dhjetori ajo që të vriste më shumë sytë nuk ishte bardhësia e akujve apo terri mërzitës deri në lodhje disa ditor për një pjesë prej nesh. E pakuptueshme, e lodhshme për sytë e veshët, për t’u shprehur me fjalë të kursyera, ishte letargjia dhe ngadalësia e makinës shtetërore për të reaguar. Qytetarët e Torontos e meritonin një ndjesë publike nga ata që i qeverisin. Por askush nuk e bëri. Heshtja jo gjithmonë eshtë pranim i gabimit ...