Urtësi

Mësime nga bota e bletëve

Nga: Klodi Stralla

Ata që mbajnë bletë apo kanë lexuar diçka për jetën e tyre komunitare, me siguri u kanë rrënë në sy disa veçori karakteristike që i bëjnë ato jo vetëm të veçanta por edhe të admirushme e mësimdhënëse edhe për ne Njerëzit.

Bleta, ashtu si Njeriu, jeton në komunitet, në bashkësi. Ka mbi krye një “të parë” që quhet Matka ose Mbretëresha e bletëve, që është ajo që i ka lindur të gjithë pjesëtarët e familjes dhe i udhëheq në gjithë veprimtarinë e tyre të përditshme, duke siguruar mbijetesën dhe vazhdimësinë e llojit. Përveç saj, janë edhe dy grupe bletësh, bletët femra, apo siç quhen ndryshe “bletët punëtore” dhe bletët meshkuj. Ja disa veçori të këtij komuniteti mbreslënës e mësimdhënës:

Si e realizojnë bletët vazhdimësinë e llojit?

Kjo realizohet pëmes të ashtuquajturit “fluturimi i martesës”. Matka, si bleta më e madhe dhe më e fuqishme e bashkësisë, fluturon lart e më lart, dhe qindra meshkuj e ndjekin pas për ta fekonduar. Triumfon ai mashkull që është më i forti për t’u ngjitur sa më lart në fluturim. Vepron, pak a shumë, parimi i Haremit, por në sens të kundërt – konkurojnë shumë meshkuj për t’u bashkuar me një femër – Matkën.

Si e mban dhe si e humbet Matka pushtetin e saj mbi bashkësinë e bletëve? – Matka jo vetëm është nëna biologjike e çdo blete, femër apo mashkull qoftë, por është edhe drejtuesja dhe koordinuesja e veprimtarisë të kosheres (shtëpisë të tyre). Përsa kohë e kryen mirë këtë detyrë “publike” ajo mbetet e dëgjueshme dhe e respektuar nga të gjithë antarët e grupit. 
Është interesant se çfarë ndodh kur ajo nuk e kryen si duhet detyrën e saj. Në këtë rast bletët punëtore, përmes “thumbit” të tyre e vrasin dhe e nxjerrin jashtë kosheres, duke ndërmarrë njëkohësisht masa urgjente për zëvendësimin e saj me një tjetër. Pra vepron parimi i zëvendësimit, edhe me çmimin e eliminimit fizik të lidershipit, nëse ai nuk i përmbush si duhet detyrat për të cilat është ngarkuar.

Si e formojnë bletët lidershipin e tyre?

Matka është e vetmja bletë që pjell vezë, prej të cilave çelin bletët femra dhe meshkuj. Disa nga hojet, ku Matka e mëparshme kish depozituar vezët e saj, ushqehen me një ushqim special, të veçantë, që quhet “qumësht blete”, me vlera shumë të larta ushqyese, në sajë të së cilit foshnja që lind (bleta embrion), nuk është si gjithë bletët e tjera. Ajo ka një trup disa herë më të madh se bletët e zakonshme dhe është e destinuar të bëhet Matka e re e kosheres. Pra vepron parimi sipas të cilit lidershipi nuk është si gjithë të tjerët, por formohet në kushte dhe trajtim të veçantë për t’u bërë udheheqës i grupit.

Pra, Bletët na mësojnë se jo kushdo mund të drejtojë; se askush nuk duhet lejuar të drejtojë pa u kontrolluar nga bashkësia dhe se, nëse nuk largohet me të mirë kur nuk përmbush detyrat, çdo mjet është i lejuar për ta larguar, sepse interesat e grupit prevalojnë mbi ato të individit.

Tagged under Klodi Stralla Bletet