Urtësi

Aforizma për politikanët që dëgjojnë (II) - Nga Lisen Bashkurti

-Çdo shoqëri krijon me kohe modelet e veta politike që i prijnë zhvillimit. Por me kalimin e kohës edhe modelet më të arrira c’vlerësohen. Prandaj, modeli politik që sot është i kohës, nesër del jashtë kohe. Kësaj dukurie nuk i shpëtojnë as liderët si personalizime të modeleve politike.

-Nëse, për arsye të ndryshme një politikan nuk i ndihmon dot të tjerët me suksesin e tij, lypet të jetë i kënaqur që i lë trashëgimi gabimet e tij për të mos u përsëritur nga pasardhësit. 

-Njerëzit lypet t’i ruhen politikanëve që premtojnë shumë sepse pa pikë dyshimi janë gënjeshtarë të mëdhenj.

-Një politikan që fillon të mendojë për veten e vet se është i pathyeshëm, lypet ta kuptojë se ka hyrë në fazën e rënies së tij të pashmangshme.

-Në politikë, deliri i madhështisë të shpie në butafori që prodhohet nga mbivlerësimi i vetevetes dhe nënvlerësimin i të tjerëve.

-Madhështia e një politikani qëndron jo në atë që mendon ai për veten e vet, por në atë që të tjerët mendojnë për të.

-Njeriun e politikës shpesh herë nuk e thyejnë armiqtë e shumtë, të cilët në jo pak raste e forcojnë. Njeriun e politikës shpesh herë e thyejnë miqtë e pakët, të cilët në shumicën e rasteve e dobësojnë.

-Në politikë humbja e miqve vjen në çdo rast prej gabimeve të vetë politikanit, ndërsa rritja e armiqve në ndonjë rast mund të vijë edhe për shkak të sukseseve të tij.

-Një politikan vdes politikisht jo sepse e thërret vdekja, por sepse e godet jeta.

-Arroganca politike në demokracinë liberale është në thelb shprehje e politikanit kompleksiv, që me anë të saj përpiqet të mbulojë paaftësitë, dobësitë dhe dështimet e tij.

-Arroganca e politikanit rrënon marrëdhëniet njerëzore, që përbëjnë themelet afatgjatë të suksesit dhe të trashëgimisë së të tij. Pra, sjellja arrogante është vetëvrasje politike.  

-Një politikan i fuqishëm nuk e demonstron forcën ndaj të popullit, opinionit publik dhe medias. Ndaj atyre demonstron vetëm qetësi, qetësia e mban fuqinë politike nga brënda dhe reflekton butësi nga jashtë.

-Politikani arrogant i trëmbet transparencës, prandaj i kundërvihet opinionit publik dhe medias, duke tërhequr kështu përbuzjen e tyre dhe duke thurrur vetëizolimin.

-Politikani arrogant përfundon në paranojak, sepse jashtë vetes së tij të gjithë i duken armiq e, kur nuk ka të tillë i shpik vetë ato. 

-Politikani arrogant mbështetet vetëm tek servilët dhe mediokrit që janë patericat më të paqëndrueshme të pushtetit të tyre.

-Politikani arrogant kur e sheh se nuk hyn dot në histori me vepra të humane të mëdha, tenton të hyjë në gjeografi me vepra materiale të vogla.

-Politikani arrogant prodhon dukuri dramatike për të tjerët, por përfundon në mënyrë komike për veten e vet.

-Politikani arrogant tenton të fusë nën kontroll gjithçka, por me këtë veprim në fakt humbet kontrollin mbi çdo gjë.

-Politikani arrogant sundon me goditjen e pushtetit nga lart-poshtë, por në fund të fundit bie prej goditjes së pushtetit nga poshtë-lart.

-Politikani arrogant është butaforik sepse duket madhështor, por është i vogël; duket i fuqishëm, por është i dobët; duket trim, por është frikacak; duket intelektual, por është mediokër; duket afatgjatë, por është jetëshkurtër; duket tragjik, por është komik. 

-Një lider politik quhet i mbaruar kur e humbet moralitetin. Moraliteti nuk është i matshëm përherë me numra, por më së shumti me vlera. Vlerat janë më të pakta se numrat, por ato peshojnë më shumë. Numrat shkojnë e vijnë, vlerat mbesin. Numrat blihen e shiten, vlerat kurrësesi.

-Nje lider egoist që nuk bëhet dot atraktiv me idetë e tij thelbësore, tenton të bëhet i tillë me përformancën e jashtme sipërfaqësore.

-Një politikan pa filozofi politike nuk zotëron dot batutat politike, por luan me politikë batutash. Batutat politike shprehin mprehtësi dhe humor. Politikat e batutave shprehin mediokritet dhe vulgaritet.

-Politikani pa statistikë është dogmatik, sepse politika pa statistikë është dogmë. Mungesa e statistikës shpreh lakuriqësinë e mendimit politik dhe përpjekjen për manipulimin e tij.

-Politikani që vrapon mbas politikave ditore dëshmon se nuk ka qëllim madhor në destinacionin e tij afatgjatë.

-Në punët dhe jetën publike të politikanit paraqitja e jashtme nuk bëhet nisur nga shijet dhe kënaqësitë personale, por nga etika dhe estetika në marrëdhëniet publike.

-Kujdesi dhe frika e bëjnë politikanin që të jetë vigjilent. Por, ndërsa kujdesi tregon karakterin e fortë dhe zgjuarsinë e politikanit, frika tregon karakterin e dobët dhe mediokritetin e tij.

-Politikani i mençur di të dallojë respektin dhe mirësjelljen nga nënshtrimi dhe servilizmi. Politikani që i ngatërron këto dy anë të kundërta të karakterit njerëzor nuk i dallon dot miqtë nga armiqtë.

-Politikani i mirë ngadonjëherë e fsheh të vërtetën, por vetëm me qëllim që ta ruajë atë nga gënjeshtrat. 

-Për politikanin e mirë të vërtetat e hidhura janë më të vlefshme sesa gënjeshtrat e sheqerosura. Të vërtetat mund ta hidhërojnë politikanin për momentin, por gënjeshtrat e hidhërojnë atë për gjithë jetën.