Urtësi

Njeriu që kërkon t’u pëlqejë të tjerëve

Përgatiti: Klodi Stralla

Në daçim t’a përkufizojmë këtë njeri, mund të themi se është ai që, në bisedat e në marrëdhëniet me të tjerët, përpiqet të sjellë një farë kënaqësie, por një kënaqësi të zhveshur nga çdo e mirë. Njeriu i pushtuar prej këtij vesi, të përshëndet që atje tutje, të thotë se je një burrë fort i mirë, të lajkaton, të zë me të dy duart e s’të lëshon. Bën ca hapa me ty, të pyet se ç’ditë do të të shohë përsëri dhe, më në fund, ndahet duke të lëvduar deri në minutën e fundit.

Sa herë e thërrasin si gjykatës, kërkon t’ia bëjë qefin, jo vetëm atij që e thirri, por edhe anës kundërshtare, që të duket njeri i paanshëm. Thotë se të huajt flasin më drejt se bashkëqytetarët e tij. Kur e ftojnë për darkë, i lutet atij që e ftoi, t’i thërrasë edhe fëmijët e shtëpisë, e pasi hynë këta, thotë se i ngjasin t’et më shumë se dy faqe mes tyre. I mer pastaj, i puth, i vë të rrinë pranë tij, ndonëse kjo i sjell një bezdi të madhe.

Kur ndodhet në treg, lakmon të qëndrojë afër tregtarëve, duke ua lëvduar mallrat e tyre, ndonëse vetë nuk blen asgjë prej tyre. Edhe kur blen dhurata për miqtë, këto i trumbeton në të katër anët e qytetit. Mburret se mban dhe ushqen raca të ndryshme kafshësh, se mban pullumba të Siçilisë, se ka qilima të qëndisur me fytyra persësh, se ka një oborr të vogël, të shtruar posaçërisht për ushtrimet e mundjes apo gjimnastikës, që frekuentohet nga filozofët e pushtetarët e qytetit, apo muzikantët e përdoruesit e armëve. Këtë e bën për të treguar se ai vetë është mësuesi dhe admiruesi i tyre.

Shkëputur nga “Karakteret” Teofrasti

Shënim: Në foto skica e portretit të filozofit grek Theophrastus

 

Tagged under Klodi Stralla Teofrasti