Urtësi

Mjeku, mes heroit dhe keqbërësit - Nga Çapajev Gjokutaj

Gjithnjë më ka bërë përshtypje mënyra si e shohin mjekun pacientët dhe të afërmit e tyre. Mbizotëron një përzierje besimi, respekti dhe adhurimi, sikur mjeku të mos ishte rob vdekatar si gjithë të tjerët, por si të ishte i racës së heronjve antikë, një Herakli a një Akil, gjysmë-njeri e gjysmë-perëndi.

Natyrisht mjeku preston të jetë njeri i ditur e profesionist, ka sakrifikuar vite të tëra të jetës së vet auditoreve e spitaleve, kërrusur mbi libra, mbi mikroskopë e kufoma, që të na gjendet kur sëmundja vjen dhe na kujton se jeta e vdekja fqinjërojnë në çdo çast, se kufijtë mes tyre janë tejet të brishtë e porozë.

Por, sakrifica e privime të tilla nuk bëjnë vetëm mjekët. Edhe inxhinierët, juristët, agronomët, veterinerët etj. harxhojnë një pjesë të mirë të jetës duke investuar për zanatin që të fitojnë një status të pëlqyeshëm, të sigurojnë një jetesë komode, por edhe që t’u gjenden të tjerëve, t’ua bëjnë jetën më të lehtë e më të këndshme. Dhe doemos, edhe që të jenë të vlerësuar prej tyre, se ekzistenca nuk bie nga qielli, as realizohet në vetmi, por gjenerohet mes njerëzve dhe në marrëdhënie me ta.

Vlerësimi për mjekun, thoshja me vete, shkon deri në adhurim dhe hera-herës synon viset e hyjnizimit ngaqë ka në dorë shëndetin tonë apo atë të të dashurve tanë, jo në rrethanat e përditshmërisë, por në periudha rreziqesh e pasigurish ekzistenciale.

2.

Këto ditë, duke lexuar librin “Mos bëj dëm: tregime për jetën, vdekjen dhe kirugjinë e trurit”, shkruar nga neurokirurgu britanik Henry Marsh dhe sjellë në shqip nga Mentor Petrela e Florian Dashi, hasa një shpjegim tjetër, gjithsesi befasues.

Pacientët dhe të afërmit e tyre, thotë pak a shumë britaniku, ndeshen ballazi me idenë e vdekjes, ndaj për të zbutur frikën dhe pasiguritë që ngjall prania e saj, sendërtojnë figurën e një mjeku tejet të zot, të jashtëzakonshëm dhe gati-gati ideal. Me një fjalë, idealizojnë mjekun për të qetësuar veten e për të ushqyer shpresat.

Sendërgjia e njeriut të jashtëzakonshëm u siguron mjekëve një vetëndjerje këndellëse, por jo rrallë kthehet në peripeci shqetësuese për ta. Nuk thonë kot, sa më i madh të jetë iluzioni, aq më i thellë pason deziluzioni.

Henry Marsh përshkruan jo një rast operacionesh të dështuara që përfundojnë me vdekje pacientësh apo, akoma më keq, me paraliza, paaftësi për të ndërvepruar a komunikuar, raste kur pacienti mbetet në gjendje vegjetative dhe shndërrohet në “bimë njerëzore”. Kur ndodh kështu, gjasat janë që imazhi i mjekut të kthehet nga hyjni në mjeran keqbërës, madje edhe vrasës. Kjo e fundit përftohet sidomos për kirurgët. Pasojnë më tej, seanca të trazuara ballafaqimi e ndërmjetësimi, që nisin nga zyrat e ankesave dhe përfundojnë në procese gjyqësore me dëmshpërblime të kripura, të cilat arrijnë edhe miliona paund.

Gjithsesi, duke lexuar librin, të bën përshtypje se, megjithë armiqësinë e hapur që krijohet në kësi rastesh mes mjekut dhe pacientit a të afërmve, përplasja mbetet në vështrime plot urrejtje, fjalë ironike a sarkastike, por kurrë nuk kalon në përleshje fizike, siç ndodh shpesh në spitalet tona, të qendrës e të periferive.

Në fakt, tek ne mungojnë statistikat dhe rrallëkush mund ta dijë si zgjidhen mosmarrëveshjet mes mjekut dhe pacientëve e të afërmve; sa zgjidhen me ndërmjetësim e procese gjyqësore dhe sa halabakërisht me përleshje fizike. Një gjë dihet thuajse me siguri. Meqë mediat u bëjnë jehonë rasteve të agresionit fizik, publiku priret të mendojë se kjo është rruga më e ndjekur. Duket se mendësia që hyri ka dalë nga xheneti nuk i takon vetëm proverbit të vjetër.

3.

Përballë këtij kontrasti natyrshëm lind pyetja: Pse në kësi rastesh anglezët shfaqen të vetëpërmbajtur, por gjithsesi mbeten këmbëngulës për të gjetur të drejtën dhe për të marrë secila palë hakun, kurse një pjesë prej nesh nuk kërkojmë ndërmjetësimin e institucioneve të specializuara, por priremi nga larja e hesapeve me dhunë, i kthehemi qasjes tradicionale, d.m.th. vetëgjyqësisë?

Jemi popull mesdhetar, na hipën gjaku në kokë ngaqë kemi temperament më të ndezur se ishullorët e nordikët, mund të ishte një shpjegim.

Këtij argumenti psikogjeografik mund t’i shtoje një tjetër, social-historik: si pasojë e prapambetjes tradicionale jemi më pak të kultivuar, porsa kemi dalë në demokraci e në ekonominë e tregut, por në mendësi kemi vraga të theksuara patriarkale, feudale e totalitare. Britanikëve u ra në pjesë që qysh tetë shekuj të shkuar të ishin hartuesit e Magna Carta-s, gur themeli për të ekuilibruar pushtetet dhe për mbrojtur të drejtat kundër despotizmit, kurse dy shekuj e ca më pare, u bënë nismëtarë të revolucionit industrial.

Pastaj mund të shtoje dhe një argument të tretë që lidhet me inercinë e traditës: vetëgjyqësinë e kemi të gjallë, madje dy dekadat e fundit është shfaqur e ringjallur dhe e fuqizuar. Kur ka një tendencë që jo rrallë mosmarrëveshjet për pronat, marrëdhëniet e biznesit, lidhjet martesore, normat e moralit etj. të zgjidhen me vetëgjyqësi, pse mosmarrëveshjet me mjekun duhet të bëjnë përjashtim? Për më tepër se, siç u tha edhe më lart, kjo e fundit ka edhe një faktor universal që e ushqen: kalimi i lehtë nga idealizimi e iluzionet në zhvleftësim e deziluzion.

Të gjitha këto shpjegime mund të jenë të vërteta, por shpesh bëhen joproduktive. Po të qe për historinë dhe traditat, Koreja e Jugut, Brazili, Singapori etj. do të duhej të ishin shumë më poshtë në shkallaren e zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Duke i kërkuar fajet në gjeografi, histori, tradita e zakone marrim pozën e eruditit me syze e kravatë që sheh larg e gjykon thellë, por në thelb bëjmë pathoin me xhybe e shallvare, që trulloste e vinte në gjumë me refrenin “kështu qe e shkruar”. Shpesh shpjegimet me histori e tradita shërbejnë për të shfajësuar veten e për të jashtësuar të keqen, për t’ua hedhur fajin brezave e për të shtuar numrin e bashkëfajtorëve.

4.

Në vend të qahemi për të shkuarën na del më mirë të diskutojmë shtruar e qetë për ndryshime e reforma. Para pak muajsh ligjvenësit ashpërsuan dënimet për personat që ushtrojnë dhunë ndaj bluzave të bardha. Është logjike që kush ngre dorë kundër personash në detyrë, aq më keq kush ngre dorë kundër mjekëve, të dënohet ashpër, që të tjerë, të ndodhur në pozita të ngjashme t’i thërrasin mendjes.

Megjithatë, denbabaden si popull e si shtet nuk na kanë munguar dënimet, jo rrallë edhe të egra dhe në kufijtë e barbares. Ato që na kanë munguar ose i kemi patur të pakëta janë reformat që do të përfshinin gjithë sistemin, duke nisur me funksionalizimin e institucioneve të sigurimeve në financimin dhe menaxhimin e spitaleve e duke ardhur tek purifikimi i raportit mjek-pacient, për ta kthyer në një marrëdhënie të pastër kurimi, pa kurrfarë elementësh financiarë, a turp e faqe e zezë, mitmarrjeje.

Fatkeqësisht mungojnë sondazhet serioze për shkallën e përhapjes së pagesave nën dorë në spitalet tona publike, por në përfytyrimin qytetar kësaj dukurie i jepen përmasa endemike. Atje ku mjeku përfytyrohet si mitmarrës i rrethuar nga sekserë, raporteve me pacientin dhe të afërmit u është hequr guri i themelit, mjeku nuk rrezikon të shndërrohet në kurbën universale “hero-keqbërës”, shndërrimi bëhet në përmasa ala shqiptar, nga hero në horr.

Kur vjen puna për të diskutuar reformat në shëndetin publik, nevojitet më pak politikë e më shumë politika se, si kudo gjetkë, politika “e madhe” më shumë turbullon sesa kullon. Qeveria thotë se ka bërë goxha, opozita kundërshton e thotë se përftuesit e vërtetë të këtyre reformave janë bizneset pranë qeverisë dhe jo qytetarët. Mjekët dhe specialistët e tjerë ngjan të jenë thuajse të pagojë, të paktën në ligjërimin publik. Ne, qytetarët e zakonshëm flasim gjithë ditën për partira e politikë të lartë dhe pak ose aspak arrijme të bëjmë trysni për shërbime kaq të rendësishme, që lidhen me jetën dhe mirëqënien tonë. Dhe kështu më tej e kështu më tutje merremi me politikë e me pallavra deri ditën që gdhijmë pacientë...