Urtësi

Ka ardhur koha për themelimin e klubit të idealistëve - Nga Endrit Mullisi

Fatkeqësisht sot njerëzit nuk janë të interesuar për të vërtetën, por për të vërtetën qe u përshtatet.

Kjo duket në llojin e kanalit të lajmeve që ndjekin. Duket në llojin e gazetarëve investigativë që ndjekin. Duket në llojin e festave fetare ku perfshihen (po nuk ishte festë me mish dhe DJ, nuk ja vlen të marrësh mundimin). Duket në llojin e librave dhe artikujve që lexojnë. Duket në llojin e shoqërive që ndërtojnë apo marrin pjesë.

Ah, sikur të ishim më të sinqertë me veten dhe si rrjedhojë dhe me të tjerët. Ndoshta në fillim do të na duhej të kaperdiheshim sepse po flasim ndryshe nga pjesa tjeter, por me kalimin e kohës mund të ndërtohet një qoshe ku pjesëmarrësit nuk kanë frikë të mendojnë dhe të bëjnë pyetje të vështira. Ndoshta do të na duhet që t'i thonim mirëupafshim shoqërive sipërfaqësore për të gjetur kohë për shoqëri më të vërteta. Ndoshta do të na duhet të paguajmë çmimin që këto lloj shoqërish nuk do të reklamohen dot nëpër rrjete sociale, sepse nuk do të mblidhen për të treguar rrobat, pjatat, filxhanet e kafesë apo ndonjë bamirësi ndaj një nevojtari…

Por ja vlen mendoj une! Ja vlen, sepse shpirti ynë pastrohet nga kashta e përkohshme dhe vishet me arin e të vërtetave! Ja vlen. sepse e lejon shpirtin të shprehet, sepse jo çdo gjë duhet llogaritur në jetë në mënyrë materialiste!

Ndoshta ka ardhur koha për themelimin e klubit të idealistëve, që guxojnë të mendojnë dhe flasin duke kërkuar të vërtetën në çdo aspekt të jetës.

Ndoshta mund të jemi më shumë se sa mendojmë e ndoshta diçka me rrënjë pozitive mund të ndodhë me shoqërinë shqipfolëse. Ndoshta...