Urtësi

Lumturia nuk blihet me para - Nga Endrit Mullisi

Jam i bombarduar nga jashtë dhe brenda me sugjerime që të bëjnë të strukesh i menduar. Nuk kam aq para sa filan fisteku dhe nuk arrij të bëj atë që ata bëjnë, prandaj ndjehem jo i lumtur. A ju ka ndodhur kjo gje? Mendoj që po. Puna është sa shpesh?

Një reflektim i shkurtër ndoshta mund të ndihmojë dikë që ndjehet sikur nuk është në vendin e duhur për të qenë i/e lumtur.

1) Kalo kohë me ate qe ke afer, familje apo miq. Disa biseda të paplanifikuara mund të japin jo vetëm kënaqesi, por të nxjerrin jashtë botës tënde vetmitare.

2) Luaj pak më shumë. Gjej diçka që ne e quajmë lojë kalamajsh, por mund të japë kenaqesi. Unë mësova vajzën të luajë tavëll dhe tani kam një kundërshtare shumë të mirë. Secili prej nesh e ka femijën brenda të papërmbushur. Ende sot une shoh lojra që do të deshiroja t'i luaja kur isha i vogel. Ndoshta është koha të mësosh të luash me femijët e tu.

3) Bëji të mirë dikujt tjeter. Bibla ka ca mesime fantastike si: Bëji të tjerëve atë që do të donin të bënin ty, apo është më i lumtur ai që jep, sesa ai që merr. Një gjë e vogël që bën për dikë tjetër është më mirë se hiç dhe kjo do të japë kënaqësi.

4) Gjej kohë për veten, pa qenë i vetmuar. Ka njerëz që nuk rrinë dot pa njerëz rrotull dhe nuk kuptojne që kjo i lodh. Ka një kohë për të pushuar dhe folur me veten dhe pse jo me Krijuesin. Të rigjeneron mendjen dhe shpirtin.

5) Qesh. Gjej diçka online që është për të qeshur dhe lejoji vetes hapësiren për të qeshur. Më kujtohej në Shqipëri vite më parë që, kur vdiste dikush në familje gjithçka bëhej serioze dhe nuk hapej as televizori. Secili i bënte policin vetes dhe të tjerëve në një mënyrë që u bë shtypëse. Kishte raste kur familja që kishte përjetuar një fatkeqesi ishte duke parë TV në darkë dhe binte dera e shtepisë. Menjëherë fikej televizori… Jeta vazhdon miq, sado e rëndë fatkeqësia në jetën tënde, jeta vazhdon. Pra jepi vetes më shumë mundësi për buzëqeshje. Nuk është e lehtë, e di nga eksperienca ime, por e mundshme.

6) Lëviz, është provuar që personat që janë në lëvizje, ecin, vrapojnë, bredhin rrotull, ndjehen më mire dhe mendërisht apo shpirtërisht.

7) Fokusohu tek gjërat e vogla që ecin mirë në jetë dhe jo te të mëdhatë që kanë ngecur diku. Një grindje me bashkëshortin/en mund të erresoje syte dhe nuk shikon gëzimin e femijëve që kërkojnë aprovimin tënd.

8) Ndoshta është koha të mësosh një vegël muzikore. Për këtë më thuaj sepse mund të ndihmoj si person që po mësoj t'i bie veglave të ndryshme, pa qenë në shkollë muzike. Muzika e bukur të ndriçon ditën. Ndoshta bashkoju të tjerëve që këndojnë. Diçka e mrekullueshme ndodh kur ti këndon.

Gjithmonë bie në mendime kur shikoj në kishat protestante që këndojne edhe në varrimin e të dashurve të tyre. Ata e kane kuptuar që edhe në vdekje ka arsye për të qenë mirënjohës.

A sugjeron ti diçka tjetër që mund të bëjmë për të qenë të lumtur dhe kur nuk kemi paratë që do të donim t'i kishim?