Urtësi

MENAXHIMI I LAVDISË

Nga: Vangjush Saro

Mund të të zërë pija. Të zë shiu. Avioni. Shvejku tregon diku se si në aksh rrugë, për pak e kishte zënë një makinë... Por është keq e më keq kur të zë lavdia.

Lavdia do këllqe që ta menaxhosh. U përpoqa të gjeja një fjalë më afër shqipes që të zëvendësonte këtë gjënë, “menaxhimin”. Pa sukses.

Si ta them: mbaj nën kontroll, qeveris... S’më doli gjë.

Kështu. Shumë njerëz dehen nga lavdia. Në rafshe të ndryshme të jetës. Në politikë. Në letra. Në punë të historisë e të gjuhës. I shoh këta njerëz krejt të shpartalluar në atë që bëjnë, sikur të ishin adoleshentë dhe aq. Po po. Lavdia duhet menaxhuar. Ciladoqoftë ajo, sidoqoftë ajo, e madhe, e vogël, reale, e ëndërruar, e pamundur, e sajuar...

Me lavdinë nuk ka trimëri. Ajo është kuçkë. Ta bjerr çdo lloj pasioni real dhe ti bën festë së koti. Letërsia (që unë them se e njoh më mirë) nuk është festë.

Kur nuk lexon, kur fjalët e më të fundit të katundit ta prishin mendjen, kur merr e jep me veten tënde gjer në kufijtë e delirit, por sidomos kur kërkon nga vetja më shumë nga sa mundet ajo të të japë, kur turresh vend e pa vend ndër publicitete dhe s’merr dot frymë së mburruri veten a së pëlqyeri gjithë ç’prodhon, me dhe pa mend, (sa shumë zgjati kjo frazë, po të perifrazonim Becket-in,) kësaj i thonë: “O kasolle, ku na mblodhe!”

Nëse nuk e kontrollon, lavdia bëhet e rrezikshme. Ajo të merr përpara me peshën e saj mizore dhe të shtyp.

Kur nuk di të menaxhojë lavdinë, krijuesi mund të flasë kodra pas bregut dhe t’i duket vetja gjeni, i letrave, i poezisë, i prozës, i kritikës, i gazetarisë, i diasporës, i rruzullimit. Më i dashuri i ... mëhallës.

Kur nuk di ta menaxhojë lavdinë, krijuesi, “gjuhëtari”, “historiani”, shndërrohet (pothuaj) në një psikopat. Dhe e keqja nuk është thjesht te sjellja me njerëzit apo me kolegët. Ai nuk është në gjendje të shohë mendjekthjellët botën që e rrethon. Ai nuk ka kontroll mbi veprimet e tij, për më tepër mbi krjimtarinë e tij, që i ikën për duarsh në përsëritje të vetvetes dhe në një emfazë të padurueshme, gjëra të cilat ai nuk arrin t’i shquajë. Është si puna e Sirenave të Uliksit. Duhet shumë forcë dhe modesti t’i mposhtësh.

Më falni se u zgjata pak!

Tagged under mesim