Urtësi

Profesori gjerman dhe buka

Pas vdekjes në moshë të thyer të një profesori, kthehet i biri nga larg dhe nis me zhvendosjen e gjësendeve nga shtëpia e të ndjerit. Pranë shumë gjërave të vlefshme, në dhomën e tij të punës,  në një dollap djali gjen edhe një bukë të fortë dhe të thatë.

Shërbyesja, e cila ishte kujdesur për profesorin deri në vdekje, e dinte arsyen se pse ai kishte ruajtur bukën në atë dollap dhe i rrëfeu djalit të tij:

“Në vitet e para pas luftës, profesori ishte i shtrirë për vdekje. Një mik i tij i dashur, i dërgoi atij një bukë, në mënyrë që të kishte edhe ai diçka për të ngrënë. Profesorit iu kujtua familja fqinje e varfëruar, e cila kishte fëmijë dhe kërkoi t’u dërgohet atyre. Familja e fqinjit u prek shumë nga mirësia e profesorit, por ajo nuk deshi ta mbajë për vete këtë dhuratë të çmueshme, por ia dërgoi një vejusheje, që jetonte në një shtëpi pranë tyre, në një dhomë të vogël të tavanit. Plaka u gëzua shumë për bukën, por ia dërgoi bijës së vet, që jetonte disa shtëpi më larg dhe kishte një djalë të vogël dhe nuk kishin asgjë për të ngrënë. Bija u gëzua për bukën dhe menjëherë i vajti mendja te profesori i sëmurë për vdekje. Iu kujtua se ai kishte ndihmuar njëherë djalin e saj të vogël dhe kishte refuzuar të merrte lekë dhe pa u hamendur, ia dërgoi profesorit të sëmurë.  Profesori rinjohu bukën menjëherë. Duke e mbajtur atë në dorë, tha: "Derisa në mes nesh të jetojnë njerëz, që veprojnë në këtë mënyrë, ne nuk duhet të kemi frikë për ardhmërinë!" Që prej asaj dite, ai e ka ruajtur këtë bukë në dollap. Në kohë të vështira, në të cilat kishte shumë pak shpresë, ai merrte bukën në dorë, mendohej dhe përsëri ndjehej mirë.”

 

Nga gjermanishtja: Lis Bukuroca