Stil & Jetë

Mëngjes ‘bio’ në Tiranë!

Nga: Eda Merepeza

Mëngjesi në Tiranë ndan lagjet brenda dhe jashtë Unazës. Në të parat, baret mbushen më së shumti me të rinj “trendy”, ndërsa në të dytat pensionistët e pallateve e shtëpive pranë takohen e llafosen. Tashmë askush nuk vjen “për kafe” në shtëpi. Edhe gjyshet preferojnë ta pijnë kafen në lokalin poshtë pallatit. “Kafe” e quajta për publikun, se tensioni apo zemra nuk ua lejon dhe freskohen me ndonjë lëng.

Teksa kërkoja perime e fruta “bio” në cepat e pallateve te lagjes, ku fshatarët u fshihen policëve bashkiakë, njoha Dijen. Një mesogrua nga Tapiza, Dija rreth të gjashtëdhjetave shet rrëzë shkallëve të një bari, mollë, erëza, kastraveca e speca. Klientela e saj janë zonjat që pijnë lëngje në bar. Djali e sjell Dijen në Tiranë disa herë në javë dhe ajo nis e shpërndan porositë bio të zonjave kliente, që i ka marrë më parë përmes telefonit. Dija sjell nga fshati edhe pula e pata të gjalla, vezë e tlynë bio. Ndërsa zgjidhja perimet bio dëgjova një nga zonjat që e pyeste Dijen:

-“Si t’u bë nipi?”

-“Mir o. Kom nusen maraklije, kot. Si i kina rrit kalamojt ne, mi? I thosh nuses, lene çunin ta mori naj mikrob, se i bo mir. Puna modhe fort se hongri i çik dhe'. Moma ime thojte “ku ha miu, ha ne kalamoni”. Nji ku ina. S’na ka gjet gjo”.

Edhe “bio-n” e kemi ndryshe ne!

Tiranë, 16.08.2018

Tagged under Eda Merepeza