Stil & Jetë

'Bomba' demografike në shpërthim

Nga: Dr. Shefqet Deliallisi

Ndërsa e ardhmja i përket të rinjve, vendimarrja jo. Kjo për shkak të ndryshimeve demografike. Plakjes së popullsisë.

Deri në vitin 1900, tre në dhjetë persona kapnin moshën 70 vjeç, në ditët tona, shtatë në dhjetë, madje katër në dhjetë persona kapin moshën 80 vjeç. Po jetojmë një tranzicion demografik.

“Vala goditëse” e bumit të lindjeve të pas luftës së dytë botërore (“baby boom-i”) në vitet 1950-1960 goditi sistemin arsimor, në vitet 1970-1980 tregun e punës, dhe në dhjetëvjeçarin e parë dhe të dytë të shekullit që jetojmë, sigurimet shoqërore. 
“Baby Boom-erat”, tashmë të moshuar, po bëhen shumicë e popullsisë në vendet e zhvilluara, dhe janë duke dominuar, madje dhe tronditur, sistemin....

Vite më parë, Jacques Attali në librin impresionues “Një histori e shkurtër e së ardhmes” parashikonte: “Do të asistojmë një rënie të lindshmërisë dhe një rritje me intensitet të lartë të jetgjatësisë. Një plakje e përgjithshme e popullsisë do të pasojë. Nëse kjo prirje do të vazhdojë, jetgjatësia mesatare në vendet e zhvilluara, në vitin 2025 do t’i kalojë të 90-tat. Kjo do të ketë pasoja të mëdha sociale, ekonomike. Rritja e numrit të të moshuarve do rrisë fuqinë e tyre politike, mbasi vjen një kohë kur çështjet ekonomike shpesh zgjidhen nëpërmjet kutive të votimit dhe jo nëpërmjet tregut."

Këtë parashikim e vërtetoi tashmë Brexit-i. Të moshuarit britanikë, nëpërmjet kutive të votimit sfiduan rininë. E nxorrën Britanine jashtë nga Europa, kundër dëshirës së rinisë britanike që ishte kundër.

Por problemet do vazhdojnë edhe më tej sipas parashikimeve. 
Ndërsa numri i të moshuarve rritet me shpejtësi, ai i të punësuarve vazhdon të jetë i njejtë, madje dhe të tkurret. Një pjesë e rëndësishme e të ardhurave të krijuara nga gjenerata punuese transferohen tek të moshuarit nëpërmjet sigurimeve shoqërore apo takasave të tjera.
Pesha e financimit të pensioneve nga popullsia aktive do të rëndohet çdo ditë e më tepër. 
Sot në Europë, çdo individ aktiv financon një të katërtën e një pensioni për të moshuatit. Në 2050, ai do të financojë më shumë se gjysmën.

“Bomba” demografike pritet të shpërthejë.
Jemi duke vuajtur pasojat e egoizmit, dëshirës për një jetë gjithnjë e me më shumë komoditet, duke pakësuar numrin e fëmijëve. Duke mos menduar për të ardhmen e brezave.