Stil & Jetë

A të pispillosen edhe njerëzit si zogjtë?

Nga: Albert Vataj

Kjo është një dilemë, por edhe kahja për nga qartësimi i një shprehije, e cila duke qenë një nevojë ka mundur të transformohet në një filozofi të jetuari si një identitet social dhe shëmbëllim i tipareve shprehëse të qytetarisë. Kujdesi i tepruar për veten, shpesh është keqkuptuar. Ai ka patur dhe ka më shumë kundërshtarë se sa ka solidaritet në luftën kundër papastërtisë. Gjithsesi, i gjithë ai salltanet, e gjithë ajo krekosje, gjithë ajo përkujdesje, kostoja e saj, ka një domethënie, i përgjigjet një funksionaliteti, i shërben një atributi.

A keni vënë re që zogjtë duket se kalojnë shumë kohë duke pastruar e lëmuar pendët me sqep? Kalojnë orë të tëra çdo ditë duke shpupurishur me sqep pendët sikur të mos kishin gjë tjetër për të bërë. Pavarësisht se çfarë janë, papagaj ose pelikanë, harabela ose flamingo, të gjithë e bëjnë këtë ritual të përditshëm. Pse? A mos është thjesht një përpjekje për t’u dukur sa më mirë?

Arsyeja e vërtetë shkon përtej kësaj. Zogjtë kanë nevojë për këto seanca pastrimi e lëmimi po aq sa një aeroplan ka nevojë për një kontroll të imët. Në fakt mirëmbajtja e puplave është çështje jetë a vdekje për zogjtë. Pendët e tyre dëmtohen shumë gjatë përdorimit, prandaj pastrimi dhe lëmimi me sqep jo vetëm që mban larg parazitët, por edhe ruan funksionin e tyre aerodinamik.

Rutina e përditshme e rregullimit përfshin puthitjen e atyre fijeve të pendëve që mund të jenë ndarë nga njëra-tjetra. Nëse fijet e pendëve janë të puthitura mirë, atëherë zogu e ka më të lehtë të marrë më tepër vrull kur ngrihet në fluturim. Libri i shpendëve të Britanisë, (anglisht) shpjegon: «Ka dy grupe pendësh që kërkojnë kujdes të veçantë. Ato janë pendët e fluturimit në krahë dhe pendët ‘timoniere’ në bisht.»

Zogjtë luftojnë vazhdimisht edhe për t’u mbrojtur nga parazitët. Në fakt, përveçse paraqesin rrezik për shëndetin e zogjve, parazitët e vegjël brejnë edhe pendët. Natyralistët kanë vënë re që zogjtë me sqep të dëmtuar nuk mund të pastrohen si duhet dhe si pasojë mbartin në pendë më tepër parazitë se zogjtë e tjerë. Për ta pasur më të lehtë heqjen e parazitëve, disa lloj zogjsh mbulohen me milingona, acidi formik i të cilave me sa duket shërben si insekticid i efektshëm.

Dhe së fundi, pendët duhen vajosur. Për shpendët e ujit vaji mbi pupla është mbrojtje kundër ujit, ndërsa për gjithë zogjtë e tjerë është një mbrojtje nga moti. Por, nga vjen ky vaj? Vjen nga një gjëndër e veçantë e njohur si gjëndra e pastrimit, e cila gjendet pikërisht sipër bishtit. Ajo prodhon vaj dhe dyll që zogjtë me durim e përhapin nëpër pendë. Edhe në këtë rast, vëmendje e veçantë u kushtohet pendëve të fluturimit.

Pra, nuk duhet të mendojmë që zogjtë e kalojnë kohën kot ndërsa pastrojnë e lëmojnë puplat. Është e vërtetë që ky proces i ndihmon të duken bukur, por mbi të gjitha i ndihmon të jenë të shëndetshëm. Pra, në botën e zogjve të pastrohesh do të thotë të mbijetosh.

Duke u pastruar e lëmuar, zogjtë bashkojnë me njëri-tjetrin përbërësit e vegjël të pendëve të tyre, duke i puthitur prapë fijet

Nëse zogjtë e bëjnë këtë për një performancë më të mirë aerodinamike, dhe jo vetëm, njerëzit, ata domosdo që duhet t’i përkushtohen një angazhimi të tillë për një paraqitje sa më dinjitoze, për një prezencë më imponuese, e pse jo për t’u dakordësuar me postulatin sipas së cilit: “Ai që nuk respekton veten, mos ta kërkojë këtë tek të tjerët”.

 

Tagged under Albert Vataj