Për të qeshur

Shprehjet frazeologjike

Nga: JETA DEDJA

Skicë humoristike 

Na ishte njëherë njëri me shtatin pyll e mendjen fyell, i cili kishte një shok, ortak në biznes. Njëri nga këta i binte gozhdës, e tjetri patkoit, ndërkohë që një i tretë, punëtori i tyre, i shihte me sy e plaste me zemër e pastaj ikte nga sytë këmbët që dy pronarët të mos ia bënin 8 me 2 kur të shihnin që e kishte bërë punën shkel e shko. Por në fakt dy pronarët nuk e bënin gjakun ujë për gabimet e punëtorit se e dinin që gomari nuk çalon nga veshët. Tjetërkund u këndonin kumritë. Kishin hallin t’i shtrinin këmbët më tej jorganit, por ç’e do që inspektori i tatimeve të merrte gjak në vetull. Ai nuk tundej nga kontrollet dhe dukej që nuk e hante sapunin për djathë. Pronarët në fillim e pritën me këmbët e para, por inspektori ua futi këmbët në një këpucë. Ai nuk dukej se po kërkonte gjilpërën në kashtë, por ishte i vendosur që me një gurë të vriste dy zogj. Të tensionuar biznesmenët flisnin kodra pas bregut dhe njëri prej tyre bënte ecejake në zyrë si pulë pa kokë. Pastaj të dy filluan të zihen për 5 pare spec dhe inspektori më në fund e kuptoi që ishte e pamundur të nxirrte dhjam nga pleshti se biznesmenët ishin pemë pa kokrra. Kur inspektori u largua, biznesmeni kryesor e humbi si Xhaferri simiten, koka i nxirrte tym, ndërsa tjetri i qepur me pe leshi, krekosej si dhija e zgjebosur me bishtin përpjetë.

 

©FlasShqip.ca

 

 

 

Tagged under Jeta Dedja