Për të qeshur

A e di ku ndodhem tani, shpirt?

Nga: Pëllumb Kulla

Burrë e grua patën dalë në një qendër të madhe tregtare të blinin ca dhurata për Krishtlindjet dhe për Vitin e Ri.
Duke u futur dyqan pas dyqanit, befas, gruaja vuri re me habi se kish ndonjë gjysmë ore që të shoqin nuk po e shihte gjëkundi. Nxorri celularin dhe me të nisi ta kërkojë. 
Burri e dëgjoi zilen dhe ngriti telefonin.
“A e di ku ndodhem, shpirt? Të kujtohet dyqani i bizhuterive, ai i shtrenjti fare, ku ishim bashkë para pesë vjetësh dhe pamë atë varësen me gurëza diamandi, që ti për pak luajte mendsh nga dëshira për ta pasur në qafë? Ti nuk po shqiteshe nga ai dyqan dhe unë t’u shfajësova, se atëherë nuk na dilte hesapi, por të premtova se sapo t’i sillnim punët në vijë, unë nuk do të rrija pa ta blerë… Të kujtohet?”
Me zemrën që nisi t’i rrihte me vrull, e shoqja nisi të qajë: “Po zemër, po! E kujtoj me saktësi ku ndodhet ai dyqan!”
“Sigurisht që e kujton, si mund ta harrosh ti atë!” tha burri. “Ballë atij dyqani është një lokal. Bash atje, me një shokun tim jemi ulur e po pijmë nga një shishe birrë. Eja më merr dhe kthehemi në shtëpi. Mirë?”

Tagged under Pellumb Kulla