Për të qeshur

Ajnshtajni në rrobaqepësi

Në SHBA tregohej një anekdotë  për Ajnshtajnin në formën e dialogut mes dy rrobaqepësve hebrenj të Bronx-it. Kur ia treguan Ajnshtajnit, ai u shkul së qeshuri dhe u shpreh se ky ishte shpjegimi më i mirë "popullor" që pati dëgjuar për teorinë e tij të relativitetit...

"Teksa punonin në atelienë e tyre, një rrobaqepës dëgjon emrin e Ajnshtajnit dhe pyet kolegun e vet:
- Ore di gjë ti, ç'është ky Ajnshtajni?
- Po ti nuk e njeh?
- Jo.
- Ti je budallë apo bën kot? Ajnshtajni! Albert Ajnshtajni! Gjeniu si ai! E njeh gjithë bota. Dijetari më i madh i botës mbarë.
- Po pse është kaq i famshëm ky?
- I famshëm? Ore, po tallesh ti? Emri i tij është stampuar mbi stilolapsa, mbi kutitë e shkrepseve, mbi purot! Veç për të flitet! Kudo!
- E pse është kaq i famshëm ky robi?
- Për shkak të relativitetit.
- Vërtet? Po çfarë është relativiteti?
- Pupu... çfarë kungulli qenke! Relativiteti është relativitet dhe pikë! Ç'të të them më tepër se kaq!
- Po më shpjego diçka të paktën...
- Mirë, vërja veshin llafit: përfytyro sikur një plakë, që vjen erë të keqe, të të ulet në prehër për një minutë. Minuta do të duket si orë, apo jo? Por, nëse një vajzë e bukur dhe e parfumosur rastis të të ulet në prehër për një orë, ora do të duket si një minutë.
- Dhe ky qenka relativiteti?
- Po. Pak a shumë ky është.
Rrobaqepësi që nuk e njihte shkencëtarin u mendua një çast dhe në fund pyeti:
- Ore, nuk më thua..., me këto marrina e nxjerr bukën e kalamajve ky Ajnshtajni?"

Jean-Claude Carrière, Le cercle des menteurs 2, Plon, 2008