Psikologji

Ti, çfarë mendje ke?

Të flasësh për mendjen do të thotë të flasësh për një koncept disi abstrakt, i cili nuk është aspak i qartë për shumë njerëz. Është një fjalë që synon të përfshijë proceset që ndodhin në trurin tonë: mendimi, ndërgjegjja, perceptimi, besimet, dëshirat, ndjesitë etj. Mendja është terreni ku zhvillohen proceset e ndërgjegjshme, të pandërgjegjshme dhe funksionale.

Mendja reflektohet në idetë, veprimet dhe manifestimet e ndryshme të aktivitetit të trurit. E gjithë kjo është prodhuar nga procese të strukturuara. Me fjalë të tjera, gjithë kjo veprimtari mendore nuk është rastësore, por i bindet modeleve ose planeve që mësohen gjatë gjithë jetës. Kjo nuk do të thotë se është diçka e pandryshueshme. Në tru, çdo gjë është e ndjeshme ndaj ndryshimit.

Sipas mënyrës se si ndodhin këto procese, disa studiues kanë propozuar ekzistencën e tre llojeve të mendjeve: Mendja e ngurtë, Mendja fluide dhe mendja fleksibile. Secili prej tyre ka karakteristikat e veta dhe i bindet një logjike të ndryshme. Le të shohim secilën prej tyre.

Mendjet e ngurta

Edukimi është faktori që ndikon më shumë në konfigurimin e mendjes tonë. Është normale për njerëzit me mendje të ngurtë të jenë fëmijë të prindërve të ngurtë. Kjo ngurtësi është, në parim, një mekanizëm mbrojtës. Idetë fikse ju japin një ndjenjë kontrolli më të madhe dhe ju mbrojnë nga pasiguria. Ata që kanë këto tipare janë idealë për punë dhe aktivitete të disiplinuara.

Nga ana tjetër, ata që kanë mendje të ngurtë mund të jenë disi sipërfaqësorë. Ata nuk ndalen për të analizuar ose vlerësuar vlefshmërinë e ideve apo veprimeve. Ata supozojnë se gjithçka duhet të ndodhë në një mënyrë të rregullt, e cila gjithashtu është e paracaktuar.

Kjo bën që ata të kenë vështirësi të mëdha për të qenë krijuese dhe kjo është arsyeja pse ata zakonisht e kufizojnë vetveten për të përsëritur veten. Ata mund të ndjehen shumë të hutuar dhe të paaftë nëse diçka ose dikush i nxjerr ata nga zona e tyre të rehatisë. Mungesa e kontrollit mbi situatat zakonisht gjeneron shumë ankth dhe ata vuajnë.

Mendja fluide

E kundërta e mendjes së ngurtë është mendja fluide. Personat që karakterizohen nga mendje të tilla, nuk janë në gjendje të jenë të qëndrueshëm dhe prandaj ata përshtaten me gjithçka që ndodh rreth tyre. Ata marrin formën e enës ku janë vendosur. Ata kanë hequr dorë nga çdo lloj kontrolli mbi rrethanat.

Njerëz të tillë kanë nevojë për dikë që t'i drejtojë ata. Ata kanë vështirësi të marrin vendime dhe, madje, të mbajnë qëndrime për gjërat. Ata nuk dinë se çfarë të mendojnë. Dhe meqenëse nuk e dinë, ata e delegojnë atë detyrë te të tjerët për të cilët ata ndjejnë se kanë sigurinë që atyre u mungon.

Ata që kanë këtë mendje u duhet kohë  të vendosin.  Ata lejojnë të tjerët të vendosin synime për ta. Ata mund të jenë shumë të mirë në detyrat që kërkojnë shumë vartësi. Në një mënyrë apo tjetër, ata plotësojnë mendjen e ngurtë.

Mendja fleksibile

Mendjet fleksibile karakterizohen nga aftësia për t’u përshtatur. Kjo nuk do të thotë se, si mendja fluide, ata pranojnë pasivisht çfarëdo që të ndodhë. Përshtatja e tyre është e menduar dhe kreative. Ata e dinë se si ta vendosin veten brenda realitetit pa e imponuar vullnetin e tyre, por edhe pa iu nënshtruar të tjerëve.

Në këtë rast, mendimet drejtojnë veprimet. Realiteti është një objekt që përpunohet dhe për të cilin ekziston analiza dhe zgjerimi. Ka një hapje ndaj diskutimeve, që do të thotë që mendjet fleksibile mund të ndryshojnë mendimet dhe të përshtasin idetë. Është, në një farë mënyre, një mendje që njeh virtytin e përulësisë. Nuk beson se zotëron të vërtetën, por nuk i dorëzohet të paarsyeshmes ose padrejtësive, pasi personat me mendje fleksibël kanë kriteret e veta.

Kjo i bën këta që të lidhen me botën në mënyrë miqësore dhe konstruktive. Kjo lloj mendjeje gjithashtu krijon kushtet që ajo të vazhdojë të zhvillohet. Jeta është ndryshim dhe ndryshimi është pozitiv sepse na sfidon dhe në të njëjtën kohë na ndihmon të rritemi.

Asnjëri nga ne nuk gëozn në formën më të pastër njërën nga këto tipe mendjesh. Ne të gjithë kemi pak nga secila prej tyre, megjithëse karakteristikat e njërës ose tjetrës zakonisht mbizotërojnë. As nuk mund të thuhet se ka "mendje të këqija" dhe "mendje të mira". Megjithatë, vlen të kuptojmë se ka mënyra të të menduarit që na ndihmojnë të jemi më të lumtur, ndërkohë që ka edhe të tjera që na bëjnë të rrimë në një vend apo të dominohemi nga të tjerët.

Referenca: Psychology.org

©FlasShqip