Psikologji

‘T’u nejt për qejf’!

E keni gjetur veten ndonjëherë të ndjeni kënaqësi nga të mos bërit asgjë? Shpesh në ditët e sotme ne harrohemi pas punëve. Vrapojmë të kapim orarin, hamë me nxitim në këmbë ose rrugëve, rrufisim kafenë me një frymë, ikim e vijmë me ngut. Dhe në fund të ditës ndihemi të rraskapitur, ose nuk kemi nerva të merremi me fëmijët, të luajmë e t’u përgjigjemi kërkesave e pyetjeve të tyre.

Në fakt është e domosdoshme që në një moment të ditës, njerëzit të mos bëjnë asgjë. Thjesht të rrinë. “Il dolce far niente”–thonë italianët, “the joy of doing nothing”, -thonë anglezët, e ne shqiptarët mund të themi (në dialekt tingëllon më bukur) “t’u nejt për qejf”.

Kjo do të jetë një terapi fantastike për të eliminuar stresin e ditës, për të cilin jo gjithmonë jemi në dijeni se e kemi.

Gjejeni kohën çdo ditë për t’u shkëputur disa çaste nga përditshmëria, mërzitjet, hallet, shqetësimet. A ka kuptim që të bjerrësh zemrën, ndjenjat e tua për hir të gjërave që ndodhin çdo ditë?

Kur ne pushojmë, hemisfera e djathtë e trurit aktivizohet. Kjo hemisferë është përgjegjëse për imagjinatën, kreativitetin dhe kënaqësinë. A nuk mendoni se është gjynah të mos e aktivizoni çdo ditë këtë hemisferë?

Prandaj mundohuni të praktikoni çdo ditë terapinë “t’u nejt për qejf”

Shtrihuni në krevat dhe thjesht rrini!

Shkoni në park, shtrihuni mbi bar, gëzojuni natyrës, dëgjoni cicërimat e zogjve, zhurmën e parkut, të pemëve.

Uluni mbi gurë buzë detit dhe ndjeni valët a dallgët që ju përplasen në këmbë. Ndjeni sesi ajri i pastër, ju freskon mendjen dhe shpirtin dhe ju bëjnë të ndiheni më pranë kuptimit të jetës.

Ose relaksohuni në kolltuk dhe dëgjoni muzikë të mirë si kjo:https://www.youtube.com/watch?v=7wfYIMyS_dI

Mësoni të meditoni. Zbrazeni mendjen dhe thjesht merrni frymë thellë. Studime të shumta kanë treguar se meditimi ka aftësinë të ndryshojë strukturën cerebrale, duke e bërë atë më të fortë ndaj depresionit, ankthit dhe stresit.

Shijojini pushimet. Fikni telefonët, gatuani më pak dhe mos u ngatërroni me debate shterpë.

Flini më shumë se zakonisht. Dhurojini vetes një fundjavë për të kompensuar gjumin e munguar. Dhe mos mendoni se jeni dembel. Të fjeturit është një mrekulli për mendjen dhe trupin.

Mbani mend që ju jeni i vetmi person që mund të kujdeset vërtet për veten e vet. Prandaj duajeni dhe përkëdheleni veten dhe mos lejoni askënd ose asgjë t’ju privojë nga gjumi dhe shëndeti.

Burimi: psychologytoday

©FlasShqip