Psikologji

5 fytyra ziliqarësh

Piktura nga Glejdis Darsia

Zilia nuk është një ndjenjë, është një lloj pasioni i sëmurë. Për fat të keq, ndoshta askush nuk ka jetuar kurrë një jetë pa u ndjerë ndonjëherë ziliqar. Ky është realiteti i qenieve njerëzore. Zilia ka shumë fytyra, por ato janë të gjitha toksike.

Nuk është e lehtë të kesh në jetën tënde një ziliqar, si brenda ashtu edhe jashtë pragut të shtëpisë. Zilia mund të marrë shumë forma, disa prej tyre të vështira për t'u vënë re. Ndonjëherë ziliqarët maskohen aq shumë saqë të tjerëve u duken njerëz me qëllime të mira.

Një nga detyrat më të mëdha që kemi në jetë është të mësojmë të dallojmë ziliqarët. Prandaj, njihuni me disa nga fytyrat e tyre:

  1. Sarkastikët

Ju e dini se sarkazma është njëlloj shakaje ku ju thoni diçka duke nënkuptuar të kundërtën ose diçka tjetër. Forma më e zakonshme e sarkazmës është një miksim mes mesazheve agresive dhe atyre miqësore. Si për shembull kur dikush ju thotë: “fustani është yll fare, por sa inat që je shëndoshur!, ose “shumë mirë shkoi gjithçka edhe pse bëre plot gabime”.

  1. Sulmuesit e drejtpërdrejtë

Sulmet e drejtpërdrejta përdoren nga personat që nuk kanë asnjë filtër. Sinqeriteti i tyre i supozuar është plot me keqdashësi. Ata e japin mendimin e tyre edhe pa ua kërkuar njeri. Nuk u bëhet vonë nëse bien në përsëritje me ato që thonë.

  1. Sadistët e ëmbël

“Sadistët e ëmbël” zakonisht janë njerëz miqësorë. Ata janë të kujdesshëm dhe socialë. Por më pas ata ju vënë shkopinj nën rrota dhe justifikohen sikur e bënë pa dashje.  Për shembull; ju i kërkoni t’ju bëjnë një nder, ata ju premtojnë që po dhe më pas… ups kanë “harruar”. Pastaj ju kërkojnë falje.

  1. Ziliqarët solidarë

Ziliqarët më të zakonshëm janë ata që vdesin të thonë “dua të të ndihmoj” dhe të dëgjojnë problemet e të tjerëve. Ata japin këshilla pa ua kërkuar njeri. Ata janë intrigantët që përdorin informacionin që marrin për të përhapur thashetheme dhe për të krijuar konfuzion. Ata përgjojnë jetën e të tjerëve, teknologjia u lejon ta bëjnë këtë edhe përmes profileve falso. Ata janë të mbushur plot me zili.

  1. Ziliqarët që krahasojnë veten me të tjerët

Ata kanë nevojë patologjike të jenë më të mirë se të tjerët. Ata përqëndrohen bashkë me zilinë e tyre te rrobat, makina, partneri, shkolla, karriera e tjetrit. Ata bëjnë një koment ose status në Facebook për të minimizuar arritjet e dikujt që e kanë vënë nën shënjestër. Ëndërrojnë që dikush t’ua ngrinte vlerat në publik, por fatkeqësisht ziliqarët nuk mund të grumbullojnë komente pozitive, pasi fytyra e tyre e vërtetë diktohet.

Sado që popullata përbëhet nga plot ziliqarë, këta janë një kategori e papëlqyer dhe shpesh e gjejnë veten të mbytur me helmin dhe zilinë e tyre.

Fytyrat e ziliqarëve fshehin pasigurinë që mbartin prej vitesh. Arritjet dhe lumturia e të tjerëve  u kujtojnë ziliqarëve dita-ditës sesa bosh dhe sa shumë të zhytur në palumturi ata janë.

Burimi:psychologytoday

Foto ilustruese: Pikturë nga Glejdis Darsia