Psikologji

Zhvishi Këpucët e Vjetra!

Çfarë janë këpucët tona të vjetra?

”Këpucët e vjetra”, me të cilat ne ecim, janë modelet dhe zakonet e të menduarit, e të ndjerit dhe e sjelljes, që janë krijuar para shumë kohësh. Ato u transmetuan nga gjenerata në gjeneratë dhe janë sot ajo, që shumica e njerëzve i quan si normale. Ato janë linjat përcaktuese, mbi bazën e të cilave sillet shumica e njerëzve. Njeriu ”normal“  disponon sot një dollap plot me këpucë të vjetra, nga të cilat ai çdo mëngjes, kur zgjohet dhe fillon ditën e tij, vesh ndonjë palë prej tyre. Ai as që nuk e vëren më fare, që këmbët i dhëmbin dhe bashkë me to edhe shpirti i tij – njeriu mund t’u mësoka me aq shumë gjëra. Dhe ne jemi mësuar me gjërat më të marra. Po të na vizitonte dikush nga ndonjë yll tjetër dhe të na vrojtonte në mënyrë të paanshme, ai nuk do e mblidhte dot më veten nga habia. Në kërkim të një shpjegimi për këtë njerëzim të çuditshëm, përfundimi i tij do të ishte ndoshta: “Kjo specie, njeri, gjendet akoma në periudhën e paliçetave.”Qysh në muajt e parë të jetës sonë ne fillojmë të vrojtojmë, çfarë dhe si e bëjnë diçka të rriturit, çfarë thonë dhe mendojnë ata. Shumicën e tyre ne e mësojmë nga nëna, se me të ne jemi së bashku dhjetë herë më shumë, se sa me babain. Qysh në barkun e nënës, neve nuk na shpëton asgjë nga ato që mendon, thotë dhe ndjen kjo grua, se asnjë lidhje tjetër midis dy njerëzve nuk është më e ngushtë se ai i embrionit me nënën e tij. Dhe embrioni është që në fillimi një qenie e zhvilluar shpirtërore. Ai percepton me saktësinë më të madhe çdo vibrim të nënës, çdo frikë, çdo pikëllim, çdo depresion, çdo gëzim dhe çdo të qeshur, dhe i lejon vetes të impresionohet dhe preket prej tyre. Ai bëhet njohësi më intim i nënës së tij, që përpara se të lindi.

Në vitet e fëmijërisë së hershme ne i vrojtojmë për ditë nënën apo të rriturit e tjerë përreth dhe në këtë mënyrë kuptojmë saktësisht, çfarë mendojnë ata mbi jetën, mbi veten e tyre dhe mbi njerëzit e tjerë, si dhe si sillen ata. Por në atë periudhë, ne nuk kemi asnjë mundësi të vemë në dyshim  mënyrën e tyre të vështrimit të gjërave dhe të sjelljes: A është e arsyeshme që të mendosh kështu dhe të sillesh kështu? A më sjell gëzim në jetë, po mendova në këtë mënyrë? Ngaqë nëna (dhe nganjëherë edhe babai shpesh jo i pranishëm) është i vetmi model përreth meje, dhe unë jam i varur komplet nga përkujdesi i tyre, për sjelljen time unë e marr si shembull, sjelljen, mënyrën e të ndjerit, e të folurit dhe e të menduarit e tyre. Çfarë thonë nëna dhe babai, është njësoj si ta ketë thënë Perëndia. Për një fëmijë të vogël prindërit kanë rangun e Hyjnive, se ata kanë në dorë kulaçin dhe kërbaçin lidhur me masën e përkujdesit (domethënë për ushqim) që ata i kushtojnë atij. Dhe fëmija e nuhat shumë saktë këtë strukturë hierarkie. Ai përpiqet sipas mënyrës së tij, për të marrë prej tyre maksimumin e energjisë. Njeriu krijon në fëmijëri strategjinë e tij individuale  të mbijetesës, që në shumicën e rasteve është efektive edhe në moshë të rritur.

Fëmija fillon t’i fusi këmbët dhe të fillojë të eci në këpucët e vjetra të nënës dhe babait. Por në qoftë se vërejmë pak më me kujdes, ne do konstatojmë, që këto këpucë të vjetra të nënës dhe babait, në të vërtetë janë shumë më të vjetra; ato u prodhuan nga paraardhësit tanë dhe u përcollën më tej si një copë trashëgimi. Po të mundnim të shikonim, se sa i vjetër dhe i tejkaluar është ai material, se nga cila periudhë buron ai, në bazë të të cilit ne organizojmë jetën tonë sot, kjo do na ngjethte mishin.

Më poshtë unë do hap një dollap plot me këpucë të vjetra, dhe do të të lutem, t’i shikosh me vëmendje secilën prej këtyre këpucëve dhe t’i veshësh edhe një herë ato për një kohë të shkurtër. Përse? Që ti të ndjesh edhe një herë se ku të vrasin, tendosjen, dhimbjen dhe vuajtjen, që ti i ke shkaktuar vetes që prej dhjetëra vjetësh me ndihmën e këtyre këpucëve të vjetra. Po të bëhemi të vetëdijshëm, se si e kemi shkaktuar ngushtimin, shtypjen, tendosjen, vështirësinë në veten dhe jetën tonë, atëherë mund të shërohen plagët e vjetra dhe të çlirohemi nga shabllonet e vjetra dhe programet e vjetra të mënyrës se si ndjejm  dhe mendojm. Vetëm atëhere krijohet një hapësirë e re për vendime të reja, për një drejtim të ri në jetën tonë. Zbulo në kapitujt e tjerë, se cila këpucë gjendet edhe në dollapin tënd, ku të shtyp dhe ku të shkakton dhimbje ajo. (vazhdimin

 

Pjesë nga Libri “Zhvishi Këpucët e vjetra” nga autori  gjerman Robert Betz

Përktheu: Krenar Arifi  - Botimet Ideart