Psikologji

Për prindërit që ekspozojnë fëmijët në rrjete sociale

Të dish se çfarë duhet të postosh në media sociale është një nga përgjegjësitë e sotme si prind. Të mësosh rreth rreziqeve që media sociale paraqet për fëmijët është një domosdoshmëri sot.

Risitë teknologjike vijnë paketë bashkë me ndryshimet që shoqëria pëson në aspektin e komunikimit dhe këto mund të jenë fantastike përsa kohë ne mbajmë kontakte me njëri-tjetrin. S’ka rëndësi distanca, njerëzit e gjejnë gjithnjë një mënyrë për ta shkurtuar atë. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes, një fenomen i quajtur “Sharenting” mund të rrezikojë njerëzit tuaj më të dashur, fëmijët.

“Sharenting” ka ardhur si pasojë e mënyrave të reja të komunikimit dhe të shpërndarjes. Përmes fotografive dhe postimeve, ju jeni në gjendje të shprehni se si ndiheni dhe se çfarë bëni gjatë ditës.

Por pak reflektim nuk ju vret. Prandaj ju duhet të ndërgjegjësoheni rreth disa kufijve që duhet t’i vini vetes kur ndërveproni në mediat sociale. Sa shumë do të postoni mbi jetën e fmëijëve? Pse do t’i postoni gjërat që ata bëjnë? Dhe me kë do t’i ndani këto pastime?

Çfarë është sharenting?

“Sharenting”, siç mund ta merrni me mend është bashkim i dy fjalëve “Parenting”-prindërim dhe “Share”-ndaj, shpërndaj. Zakonisht i referohet prindërve që ndajnë në rrjete sociale foto të fëmijëve të tyre, më dendur në Facebook ose Instagram.

Sipas fjalorit Collins “sharenting” është “përdorimi i medias sociale për të ndarë lajme, imazhe, etj që kanë të bëjnë me fëmijët e personit që i ndan”

Po bëhet përditë e më i pranishëm si fenomen. Në fakt nuk ka patur një brez të tillë më parë me kaq shumë foto dhe postime. Nuk ka gjë të keqe dhe nuk përbën ndonjë shkelje të reklamosh fëmijën tënd dhe arritjet e tij, por në momentin që interneti paraqet edhe rrezikshmëri, prindërit duhet të bëjnë kujdes për fëmijët e tyre.  

Kur flasim për fenomenin “sharenting”, identifikojmë tre tipe prindërish:

Prindërit protektiv që e kanë merak privacinë e fëmijëve të tyre. Këta sigurisht që janë krenarë për fëmijët dhe gjërat që ata bëjnë në jetë, por janë tepër të kujdesshëm sa i përket jetës private të tyre dhe shmangin çdo rrezik të mundshëm, nuk postojnë asgjë.

Prindërit krenarë duan që miqtë e tyre të marrin vesh në kohë reale se sa të jashtëzakonshëm dhe të mrekullueshëm janë fëmijët e tyre, postojnë foto dhe përshkruajnë gjithçka që ata bëjnë.

Prindërit e irrituar janë ata që nuk miratojnë, madje urrejnë veprimet e prindërve që postojnë gjithçka për fëmijët e tyre.

Rreziqet e Sharenting

“Sharenting” mund të bëhet i dëmshëm për disa arsye si për shembull:

Mungesa e privacisë-Duke krijuar footprint-e digjitale përmes postimeve me subjekt fëmijën tuaj, ju po i shkelni atyre të drejtën për privaci, madje ia merrni privacinë.

Bullizimi online- Duke tejshpërndarë foto të fëmijëve apo video ju po i ekspozoni ata ndaj gjurmuesve të internetit dhe bullëve. Ju i jepni akses atyre në llogarinë tuaj apo të fëmijës, të komentojnë e të merren me fëmijën tuaj i cili në sytë tuaj mund të jetë i bukuri i dheut por në sytë e një personi të lig ai do të keqtrajtohet online për një tipar.

Mashtrimet- Fëmijët mund të jenë një target i mirë për mashtruesit të cilët hetojnë gjithë ditën në internet mbi fëmijët e adoleshentët që vishen bukur e ekspozohen prej prindërve në vendet që udhëtojnë. Ata zhvillojnë teknikat e peshkimit të këtyre fëmijëve qoftë në internet qoftë duke zbuluar se ku jetojnë apo cilën shkollë ndjekin, përmes diplomave apo dëftesave që prindërit kanë ekspozuar me mburrje në Facebook. E më pas, pasi i tërhqin përmes mashtrimesh e krijojnë lidhje fillojnë u bëjnë shantazhe me foto intime në këmbim të parave.

Pedofilët – Duke tejshpërndarë fakte mbi jetën e fëmijëve tuaj, ju mund t’i jepni akses pedofilëve. Foto të pafajshme e naive të postuara prej jush nga momente të fëmijërisë së fëmijëve tuaj, pedofilët i marrin dhe i përdorin ato për qëllime seksuale në faqet që ata ndjekin rregullisht.

Gjithashtu “Sharenting” mund të afektojë emocionet e fëmijëve. Kur ju postoni diçka rreth tyre, ju në fakt nuk u merrni leje nëse ata duan apo jo. Kështu që përveç shkeljes së parimit etik, varësia juaj prej postimeve në internet, mund t’i dëmtojë ata edhe në të ardhmen. Sapo të rriten e të kuptojnë mund të ndihen keq për gjërat e tyre që ju i keni ndarë me dynjanë në Facebook duke u shkelur atyre të drejtën për privaci.

Burimi: PsychologyToday

Përshtatur nga FlasShqip.ca