Psikologji

Të luash rolin e viktimës

Shumë njerëz e ndjejnë veten si viktima të dikujt ose diçkaje; sidomos shumica e tyre e ndjen veten si viktima të prindërve të tyre. ”Dikush“ brenda tyre mendon, se po të kishin qenë prindërit e tyre ndryshe ose më të mirë, ose po të kishin patur prindër të tjerë, ata do ti kishin punët më mirë sot. Të tjerë e ndjejnë veten si viktima të mësuesve të këqinj, si viktima të njerëzve autoritarë, shefave të padrejtë apo si viktima të partnerëve të tyre. Ata mendojnë, se po të mos kishte qenë kështu ai ose ajo, atëherë po, atëherë ata do ia kishin kaluar më mirë. Por nuk janë të paktë biles as ata prindër, të cilët e ndjejnë veten si viktima të fëmijëve të tyre të vështirë dhe të mundimshëm.

Njerëzit, në shumicën e rasteve, ia vënë fajin dikujt tjetër për pakënaqësinë e tyre. Dhe po nuk gjetën dot askënd, atëherë për këtë duhet të mbajë përgjegjësinë vetë jeta. Si pasojë shfaqen pastaj mendime të tilla si: ”Jeta është e padrejtë.” Favori (i dyshimtë) i kësaj sjellje do të ishte: Unë nuk kam nevojë të vras mendjen më tej për zgjidhjen e çështjes. Unë s’kam nevojë që të ndryshoj si brenda vetes edhe në mënyrën se si shfaqem në botën e jashtme.  Unë vendos, të vazhdoj të vuaj, se  fajin e kanë të tjerët për këtë. Unë mund të vazhdoj të sillem kështu si deri tani, se unë pra nuk mund të ndryshoj asgjë nga gjendja ime.

Padobia e kësaj sjellje është se: Në qoftë se unë vazhdoj t’i miratoj këto mendime, në të vërtetë nuk mund të ndryshoj asgjë në jetën time. Në këtë mënyrë unë dorëzoj pushtetin tim. Me mendime të tilla, unë zgjedh rolin e viktimës: Unë zgjedh pafuqinë. Unë zgjedh, që edhe më tej ta ndjej veten të pafuqishëm, të mbetur komplet në dorën e forcave të tjera, njerëzve të tjerë dhe fatit. Se, në qoftë se të tjerët janë fajtorë për fatin tim, atëherë ata duhet të kenë pushtet mbi mua.

Le ti bëjmë edhe një herë të qarta hallkat e këtij mendimi. Unë them: ”Ti e ke fajin, që unë nuk jam i lumtur, që i kam punët keq.” Në këtë mënyrë unë e deklaroj veten si viktimë të tjetrit. Si pasojë unë i dorëzoj tjetrit pushtetin mbi mua dhe mbi fatin tim. Në këtë mënyrë unë zgjedh vetë, që edhe në të ardhmen ta ndjej veten të pafuqishëm dhe të pashpresë. Prandaj, unë nuk mundem të ndryshoj asgjë në jetën time. Gjithçka mbetet si më parë. 

Po nuk u vu në pikëpyetje ky lloj mendimi se ”Unë vuaj, ngaqë ai është kështu apo ashtu“, në mënyrë të pashmangshme menduesi duhet ta ndjejë veten keq vazhdimisht.

Të lutem përpilo një herë, në një orë të qetë, një listë (më e mira do ishte me letër dhe kalem) të njerëzve apo situatave, për të cilat ti zemërohesh shpesh apo vazhdimisht. Dhe pastaj në çdo shembull bëja vetes të qartë, që gjatë jetës tënde ti gjithnjë i deklaron njerëzit e tjerë apo një ndodhi si fajtorë dhe veten tënde si viktimë. Kush e kalon jetën me një vetëdije të tillë viktime, ai nuk mund të jetë i lumtur. Se ai prodhon në trupin e tij tension, presion, ngushtësi dhe rëndesë ose emocione negative si inat, zemërim, pafuqi, shushatje, pikëllim dhe depresion.

 

Pjesë nga Libri "Zhvishi Këpucët e vjetra“ të autorit gjerman Robert Betz

Përktheu: Krenar Arifi