Psikologji

Pse bëjnë thashetheme njerëzit?

Kur njerëzit nuk kanë me çfarë të merren, do gjejnë diçka të kalojnë kohën. Dhe me çfarë mund ti lezetojë më mirë koha e lirë sesa me jetën e të tjerëve?

Thashethemet që shpërndahen me shpejtësinë e dritës janë lajmet e këqija që ngjallin frikë e panik. Për shembull: "Flitet të vendosen vizat mes Shqipërisë dhe vendeve të BE".

Por edhe kur duan diçka e mirë të ndodhë, njerëzit shpërndajnë thashetheme. Për disa, arrestimet janë ngjarje të mira, për të tjerë mosarrestimet. Prandaj në Shqipëri mediat janë të mbushura me lajme pro e kundër disa çështjeve ndaj të cilave nuk kanë informacione të sakta. Sepse kur informacioni mbahet i rezervuar, pritet që njerëzit të flasin e të fantazojnë për të gjetur variantet e përgjigjeve ndaj një çështjeje që u intereson.

Kur ndodh një ndryshim i madh që ka impakt në publik, pas kësaj njerëzit do flasin edhe për detajet që shoqërojnë këtë ndryshim.

Shpeshherë përhapen thashetheme për të ulur reputacionin e dikujt. Targeti është dikush që i ka ecur mirë jeta, ka pushtet, para, bukuri, prestigj. Zakonisht ata që janë në pozita më të ulta, inferiorët, përhapin thashetheme malinje.

Mirëqënia e dikujt varet nga historitë e këqija të të tjerëve. Ka njerëz që prej thashethemeve negativiste për dikë, ndihen mirë vetë dhe problemet që kanë u duken më të vogla. Psh; një femër me probleme martesore, ose xheloze për një femër tjetër, përhap thashetheme për jetën private të saj. Thashethemexhesha gëzohet kur merr vesh se fjala e saj u përcoll përmes lojës së telefonit të prishur.

Ka edhe nga ata që përhapin thashetheme vetëm për qejf, pa asnjë arsye specifike.

Ka të tjerë që bien në grackën e thashethemit duke e përhapur pasi nuk e dinë që nuk është i vërtetë. Ata nuk i bëjnë kontroll të dyfishtë informacionit, siç është rregulli i gazetarëve, të paktën 2 burime verifikim.

Ka nga ata që për t’u dukur të pozicionuar pranë dikujt që ka pushtet, përhapin kot fjalë për ndonjë çështje vetëm për të fituar kredite ndër të tjerë. Sigurisht që adjutanti i shefit është burim i besueshëm.

E po, në këtë botë llafet i merr era, dhe erë fryn në çdo kohë.

©Flasshqip.ca